11 nëntor 2025, Shkup – Sot, zëvendësministri i Financave Nikollçe Jankullovski mori pjesë në konferencën "Sistem i qëndrueshëm pensional - dy dekada progres", kushtuar përvjetorit të njëzetë të reformës së pensioneve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në të cilën ai theksoi se bëhet fjalë për shënimin e përvjetorit të reformës së pensioneve që hodhi themelet për ndërtimin e sistemit pensional stabil dhe të qëndrueshëm në vend.
“Sistemi pensional në Maqedoni ka kaluar nëpër disa faza kyçe. Me futjen e shtyllës së dytë të detyrueshme dhe të tretë vullnetare, qytetarëve u është dhënë mundësia të marrin pjesë aktive në planifikimin e tyre të pensioneve. Sistemi i vendosur në këtë mënyrë ka kontribuar ndjeshëm në sigurinë dhe stabilitetin financiar, duke mundësuar diversifikimin e të ardhurave dhe rritjen e kursimeve”, theksoi Jankulovski.
Ai shtoi se Ministria e Financave po ndjek me kujdes reformën dhe përmes Buxhetit siguron pagesë të rregullt dhe në kohë të pensioneve, me mbështetje të vazhdueshme të standardit të pensionistëve.
“Me mjetet e siguruara në buxhetet për vitet 2025 dhe 2026 parashikohet pagesa e plotë e pensioneve dhe rritja prej 5.000 denarëve, si dhe 1.000 denarë shtesë për secilin pensionist në shtator të këtij viti. Fillimi i pagesës së pensioneve të para nga shtylla e dytë do të jetë hap i rëndësishëm drejt qëndrueshmërisë dhe uljes së presionit mbi fondin shtetëror”, potencoi ai.Jankullovski nënvizoi se vizioni i Ministrisë është që sistemi të përmirësohet dhe të përshtatet me sfidat e reja demografike dhe ekonomike, në mënyrë që çdo qytetar të ketë të drejtën për pleqëri të sigurt.
“Kjo është përgjegjësia dhe vizioni ynë i përbashkët për të ardhmen”, shtoi zëvendësministri.
Jankullovski përshëndeti themelimin e Shoqatës së Shoqërive për Menaxhimin e Fondeve Pensionale, e cila përfaqëson një hap tjetër drejt përforcimit të dialogut dhe bashkëpunimit midis të gjitha palëve të interesuara në sistemin pensional.
Konferenca, në të cilën morën pjesë përfaqësuesit e institucioneve, e sektorit afarist dhe ekspertë nga fusha e sigurimit pensional, hap rrugën për ide, vizione dhe dialog të ri për të ardhmen e sistemit pensional të qëndrueshëm dhe stabil në Republikën e Maqedonisë së Veriut.