12 shtator 2025, Shkup – Mjetet shtesë prej pesëmbëdhjetë milionë eurove janë siguruar nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për avancimin e arsimit fillor. Sot, në Kuvend u miratua Ligji i Huamarrjes me Hua nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – Banka Botërore sipas Marrëveshjes së Hausë për Financimin Shtesë të Projektit për Avancimin e Arsimit Fillor, që është parakusht për nënshkrimin e Marrëveshjes së huasë.
Qëllimi i projektit është përmirësimi i mësimit në nivel shkollor, reformimi i monitorimit dhe vlerësimit të progresit nacional të mësimit, përmirësimi i kompetencave të mësimdhënësve, ekipeve përkrahëse multidisiplinare dhe drejtuesve të shkollave, si dhe menaxhimi sektorial, menaxhimi i projektit në fjalë, monitorimi dhe vlerësimi.
Në përputhje me propozimligjin e cekur më sipër, huaja jepet me periudhë shlyerjeje prej 12 vjetësh, me periudhë grejs të përfshirë prej 3 vjetësh dhe me normë interesi Euribor gjashtëmujor me interval variabil. Bëhet fjalë për financime shtesë në kuadër të Projektit për avancimin e arsimit fillor të implementuar nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ku janë aprovuar 21.5 milionë euro dhe deri më tani janë tërhequr 94.3% e mjeteve të aprovuara. Projekti për avancimin e arsimit fillor është përgatitur në kuadër të Strategjisë së Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim në partneritet me vendin tonë për periudhën 2019-2023.