27 tetor 2026, Shkup – Më 27 tetor 2026, në Ministrinë e Financave u mbajt trajnimi me temë "Përmbushja e kushteve për efektivitetin e marrëveshjeve të lidhura me huadhënës të huaj, tërheqja e mjeteve dhe veprimi sipas dispozitave të tjera të marrëveshjeve të lidhura me institucionet financiare ndërkombëtare dhe kreditorët bilateralë", organizuar nga Sektori i Akademisë së Financave Publike.
Trajnimi u zhvillua nga znj.Lençe Bozhinoska nga Sektori i Marrëdhënieve Financiare Ndërkombëtare, e cila prezantoi aspektet kryesore të përmbushjes së detyrimeve kontraktuale, kushtet për efektivitetin e marrëveshjeve të lidhura dhe procedurat për tërheqjen e mjeteve nga huat dhe grantet.
Qëllimi i trajnimit ishte avancimi i njohurive dhe kapaciteteve praktike të pjesëmarrësve për përmbushjen e saktë dhe në kohë të kushteve dhe detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet me institucionet financiare ndërkombëtare dhe kreditorët bilateralë.
Në kuadër të trajnimit u trajtuan çështjet që lidhen me krijimin e strukturës së financimit dhe realizimin e projekteve, zbatimin e dispozitave ligjore për huamarrjen dhe lëshimin e garancive shtetërore, si dhe përgjegjësitë e institucioneve të përfshira në zbatimin e projekteve të financuara nga huadhënës të huaj.
Theks i veçantë iu kushtua përmbushjes së kushteve për vendosjen në fuqi dhe efektivitetin e marrëveshjeve të lidhura, kushteve për disponueshmërinë e mjeteve dhe transheve të huave dhe granteve, si dhe procedurave për tërheqjen e mjeteve dhe përmbushjes së detyrimeve të tjera kontraktuale.
Në pjesën e fundit të trajnimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të shkëmbenin përvoja dhe të diskutonin për përfitimet, pasojat dhe sfidat e zbatimit të dispozitave kontraktuale, si dhe zgjidhjet e mundshme për veprim më efikas në praktikë.
Përmes organizimeve të trajnimeve të tilla, Sektori i Akademisë së Financave Publike kontribuon në avancimin e vazhdueshëm të njohurive profesionale dhe përforcimin e kapaciteteve institucionale për menaxhimin efikas të financave publike, përmbushjen konsistente të detyrimeve kontraktuale dhe koordinimin më të mirë midis institucioneve të përfshira në realizimin e projekteve të financuara nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe kreditorët bilateralë.