18 shtator 2025, Shkup - Akademia e Financave Publike pranë Ministrisë së Financave organizoi trajnimin online të parashikuar në Programin vjetor të trajnimeve për vitin 2025, me temën “Menaxhimi i risqeve”. Trajnimi ishte dedikuar për të punësuarit e sektorit publik të cilët përballen me lloje të ndryshme risqesh gjatë punës së tyre të përditshme, si në aspektin financiar, juridik, organizativ dhe operativ.
Trajnimi u zhvillua nga trajnerë, respektivisht ekspertë në fushën e menaxhimit të risqeve, të punësuar në Sektorin e Harmonizimit Qendror të Sistemit të Kontrollit të Brendshëm Financiar në Sektorin Publik në Ministrinë e Financave, të cilët, përmes prezantimeve, studimeve të rasteve dhe qasjes interaktive, përcollën rëndësinë thelbësore të menaxhimit të risqeve në institucionet publike.
Përmes platformës interaktive online, pjesëmarrësit patën mundësinë të informoheshin rreth parimeve dhe metodave kryesore të menaxhimit efektiv të risqeve, si dhe mjeteve praktike për vlerësimin dhe analizën e tyre. Theks i veçantë iu dedikua Metodologjisë së re të menaxhimit të reziqeve në subjektet publike, duke e shqyrtuar në mënyrë të detajuar përmbajtjen dhe zbatimin e saj në praktik. Qëllimi ishte që pjesëmarrësit ta perceptojnë në mënyrë të qartë shfrytëzimin e saj dhe të aftësohen në menaxhimin adekuat të risqeve në suaza të institucioneve të tyre.
Trajnimi kontribuoi në përmirësimin e kapaciteteve të të punësuarve në sektorin publik për t'u përballur në kohë dhe në mënyrë efikase me risqet, në drejtim të përmirësimit të cilësisë së kryerjes së kompetencave të tyre.
Ministria e Financave, nëpërmjet Akademisë së Financave Publike, mbetet e përkushtuar ndaj edukimit dhe zhvillimit të vazhdueshëm të të punësuarve në sektorin publik. Në vazhdim është realizimi i trajnimeve të tjera të parashikuara në Programin e trajnimeve për vitin 2025, si dhe trajnimeve të specializuara ad-hoc, të përshtatura sipas nevojave dhe sfidave aktuale në fushën e financave publike.