21 nëntor 2019, Shkup – Përmes masave për dixhitalizim të institucioneve nga sektori fiskal, si Ministria e Financave dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike, mundet dukshëm të ndikohet mbi uljen e ekonomisë gri. Njëkohësisht, duke shfrytëzuar teknologjinë do të ndërmerren edhe masa të mëtutjeshme për përmirësim të transparencës fiskale, si parakusht për efikasitet fiskal.
Këto janë disa nga temat që u diskutuan në takimin midis ministres së Financave Nina Angellovska dhe guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska me zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar Tao Zhang, që u mbajt në Shkup, në të cilën mori pjesë edhe Shefja e Zyrës së Fondit të Vjenës, Stefani Eble.
Në takim u përkrahën përpjekjet e vendit për rritjen e transparencës fiskale, siç është platforma “Financa të Hapura”, e cila u promovua dje dhe me të cilën opinionit u mundësohet qasja deri te të gjitha pagesat e Thesarit shtetëror. Gjithashtu u shpreh mbështetje për idetë dhe masat në drejtim të uljes së ekonomisë gri.
Përfaqësuesit e lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, theksuan se Fondi dhe Republika e Maqedonisë së Veriut kanë marrëdhënie partneriteti dhe se ato janë gjithashtu të hapur për marrjen dhe jo vetëm për dhënien e rekomandimeve dhe sugjerimeve.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, në deklaratën përfundimtare nga misioni i rregullt që u mbajt kohën e fundit në vend, theksoi se reformat për uljen e ekonomisë gri do të ndihmojnë në përmirësimin e klimës së biznesit në vend dhe do të mbrohen punëtorët të cilët njëherit do të kenë edhe përfitime të mëdha potenciale në kuptim të të ardhurave. Fondi theksoi se ekonomia joformale është e dëmshme për arsye të përballjes së bizneseve legale me konkurrencë jolojale, e cila nuk paguan tatime ose nuk është në harmonizim me rregullativat, ndërsa punëtorët në sektorin joformal privohen nga të drejtat e punëtorëve, ndërsa burimet publike janë zvogëluar.
Në përputhje me vlerësimet e fundit të FMN-së, perspektivat për rritjen e ekonomisë maqedonase janë rritur. Pritet që rritja të përforcohet në mënyrë shtesë gjatë këtij viti, ndërsa tatimet më të ulta, pensionet më të larta dhe pagat, të jenë një stimul shtesë për shpenzimet, që do të rezultojnë me rritje edhe më të fortë vitin e ardhshëm.