Intervista, Кumtesa|

27 shtator 2020, Shkup – Në ekonomi, cilësia do të jetë parësore, determinuese, bëri të ditur ministri i Financave, Fatmir Besimi, në intervistë për Radio Evropa e Lirë. Ministri theksoi se, Qeveria do të promovojë diversitetin në punësim në sektorin e biznesit, siç bëhet në kompanitë globale dhe institucionet ndërkombëtare.

Z. Besimi, menjëherë pas marrjes së postit duhet të kishit filluar me rishikimin e buxhetit. Sa para mungojnë? Sa para përpiu kriza e koronës nga arka e shtetit?

Kjo situatë imponoi rishikimin e buxhetit dhe shifra e saktë do të rezultojë me pakon e masave. Pavarësisht kësaj, tashmë jemi duke punuar, me ç’rast arritëm në disa vlerësime për shkurtime, respektivisht rialokim të mjeteve nga buxheti aktual dhe pjesa e dytë, pavarësisht se sa do të jetë pakoja, ku sa i përket përgatitjes tashmë jemi në fund, do destinohemi me rritje të mundshme të deficitit apo huamarrjes, me qëllim që të mbulohet pakoja e re e masave, që është në kuadër të pritshmërive, afërsisht, aq sa ishin masat e deritanishme në tre pakot paraprake për ballafaqim me krizën e Covid-it.

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi paralajmëroi subvencione për punësime etnike në sektorin privat. A do të parashihen këto para në këtë rishikim apo në buxhetin për vitin e ardhshëm?

Në programin e Qeverisë për vitet 2020-2024, ekziston formulimi lidhur me faktin se qeveria në bashkëpunim me sektorin privat do të inkurajojë dhe stimulojë në këtë aspekt, me qëllim të përkrahjes dhe promovimit të marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe tolerancës, që të krijohet mjedis pozitiv pune, në drejtim të shfrytëzimit të këtij potenciali të përgjithshëm njerëzor në ekonomi.

Do ta diferencoj atë që është e rëndësishme, sepse shoh që janë krijuar shumë aktivitete në opinionin publik lidhur me këtë temë, kjo do të thotë se në ekonomi, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në të gjithë botën, cilësia do të jetë parësore, determinuese dhe ne besojmë, unë personalisht besoj se, qytetarët pavarësisht përkatësisë etnike kanë cilësitë e tyre si personalitete dhe profesionistë.

Ideja e kësaj është që pasi ekzistojnë vlerat e tilla në Bashkimin Evropian, diversiteti duhet të jetë një nga ato vlera. Ashtu siç ekzistojnë në kompanitë globale të botës, siç është sot Google, ku drejtori kryesor ekzekutiv është nga India edhe këtu diversiteti do të jetë vetëm vlerë pozitive në ekonominë tonë dhe do të rezultojë nga nevojat e tregut. Dhe mendoj se, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit, ky mund të jetë vetëm proces normal sipas cilësisë dhe parimeve të tregut dhe duke pasur parasysh që qeveria me përkrahjen për promovim të diversitetit si vlerë në Bashkimin Evropian, ku ne synojmë të bëhemi pjesë e tij.

Stimulimi dhe inkurajimi nuk zbulojnë shumë nga aspekti i politikave qeveritare

Kjo është një pjesë që do të rezultojë nga bashkëpunimi me komunitetin e biznesit. Qëllimi kryesor është që qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, cilësisë së tyre profesionale dhe personale, të jetë predispozicioni kryesor, siç përcaktohet nga kushtet e tregut, resprektivisht siç do të determinojnë kushtet e tregut. Politikat do të jenë në drejtim të përkrahjes së ekonomisë, krijimit të vendeve të reja të punës, inkurajimit në aspekt të diversitetit, siç bëjnë kompanitë globale dhe institucionet ndërkombëtare.

A kemi analizë se te cilat grupe sociale apo etnike ka mungesë të punësimeve që të bëhet stimulimi i tyre?

Tregu do të determinojë se si do të reagojnë kompanitë ndaj tregut, do të thotë se premisa kryesore prej shekujsh në funksionimin e ekonomisë së tregut janë parakushtet e tregut. Fakti që shtetet me politika të ndryshme, qofshin ato sociale apo me karakter tjetër është që të përkrahin ekonominë, ndër të tjera në rastin konkret edhe promovimi dhe përkrahja e diversitetit të realitetit tonë shoqëror. Kjo është një punë që bëhet edhe në kompanitë globale – ndërkombëtare. Ata kanë politikat e tyre për burimet njerëzore, ku një nga vlerat është promovimi i diversitetit.

 

Borxhi publik arriti në 6.5 miliardë euro, resprektivisht pothuajse 60% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Cila do të ishte një huamarrje e sigurt?

Standardi që vlerësohet në kushte normale, për vendet e BE-së është standard i përgjithshëm prej rreth 60% të PBB-së. Megjithatë, nëse shikojmë realisht se ku janë vendet e BE-së dhe të rajonit, tashmë kemi, për shembull, Kroacinë dhe Slloveninë, ato janë më afër nesh, me rreth 67% ose 71% të PBB-së, kemi situate të vendeve të BE-së me huamarrje më të lartë.

Kështu që këto parametra, korniza, ne duhet t’i kuptojmë në aspekt të perspektivës afatmesme, sepse në periudhë krize, në periudhë kur nuk ka rritje të PBB-së, nuk ka të ardhura, ekzistojnë nevoja serioze për shpenzime, ndër të cilat shpenzime në buxhet për të mbuluar atë që mungon si në sektorin privat ashtu edhe tek qytetarët, atëherë zgjidhja e thjeshtë është huamarrja afatshkurtër dhe ristrukturimi i borxhit, me qëllim që të mos ketë tejkalim të borxhit në periudhë afatmesme dhe afatgjate.

Vendet e rajonit kanë pozitë tjetër të borxhit publik, por sigurisht në situata të tilla nuk është çudi që borxhi publik të rritet duke pasur parasysh që kemi edhe shumë projekte serioze investuese, duhet të përkrahen projekte infrastrukturore, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për rritjen dhe zhvillimin tonë afatgjatë, por edhe për konkurrencën tonë.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *