Кumtesa|

20 maj 2021, Shkup – Ekonomia po rimëkëmbet, kështu që politikat ekonomike janë të nevojshme për përshpejtimin e rimëkëmbjes dhe rritjes së mëtejshme ekonomike. Përmes përfshirjes së komunitetit shkencor në krijimin e tyre, mund të arrihet sinergji e zgjidhjeve të mira, të cilat do ta përshpejtojnë rritjen, theksoi ministri i Financave Fatmir Besimi në konferencën për shtyp, me rastin e konferencës së parë të përbashkët shkencore të Ministrisë së Financave dhe ASHAM. Në këtë konferencë, ministri i Financave së bashku me akademikun Taki Fiti, theksoi se për financimin e rritjes, si dhe për vazhdimin e përpjekjeve për konsolidim fiskal, Ministria e Financave përmes një plani të veçantë, do të gjejë mekanizma të rinj për financim që do të ruajnë stabilitetin makroekonomik.

Është e dukshme se për ekonominë tonë rimëkëmbja ka filluar. Këtë e vuri në dukje dje misioni i rregullt i FMN-së, ku vlerësoi se ekonomia tashmë ka filluar procesin e rimëkëmbjes. Eksporti në tremujorin e parë u rrit për 18%, ndërsa importi rritet për 14.1%. Shkëmbimi tregtar në muajin mars në raport me vitin e kaluar u rrit për 35.5%, ndërsa eksporti shënoi rritje për me 36.7%. Prodhimi industrial në muajin mars për herë të parë që nga fillimi i krizës regjistroi rritje më të lartë, duke arritur në 7.6%, me rritje të industrisë së përpunimit për 6.2%. Pritjet e subjekteve afariste në muajin prill janë përmirësuar në raport të rritjes së vëllimit të prodhimit, sigurimit të prodhimit me porositë dhe zvogëlimit të stoqeve ekzistuese. Shfrytëzimi i kapacitetit të prodhimit po rritet gjithashtu me shfrytëzueshmëri prej 71.7% në prill, që është në nivel të periudhës para krizës. Kreditimi në muajin mars u rrit për 5.2% në nivel vjetor, me rritje si në amvisëritë ashtu edhe në sektorin korporativ, ndërsa depozitat shënuan rritje prej 7.4%. Realizimi i buxhetit gjithashtu mund të ofrojë pasqyrë të mirë të kondicionit dhe zhvillimit të ekonomisë. Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme, pra nga fillimi i vitit deri më datë 18 maj, të ardhurat e përgjithshme janë më të larta për 13.4% në raport me vitin e kaluar, ndërsa tatimet dhe kontributet janë më të larta për 14.3% – theksoi Besimi.

Ai theksoi se për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe përshpejtimin e rritjes së mëtejshme, duhet t’i jepet përkrahje ekonomisë, të investohet në projekte të mëdha, si dhe të ruhet politika e konsolidimit gradual fiskal.

Që të financojmë rritje ekonomike të përshpejtuar dhe njëkohësisht t’i përmbahemi planit afatmesëm për konsolidim fiskal, sfidës do t’i përgjigjemi me Planin për financimin e rimëkëmbjes dhe përshpejtimit të rritjes ekonomike. Objektivi kryesor i këtij Plani është që përmes krijimit dhe shfrytëzimit të mekanizmave, instrumenteve, fondeve dhe burimeve të reja të financimit, të krijohet efekt i shumfishtë, resprektivisht përveç investimeve publike të planifikuara në vlerë prej rreth 4 miliardë euro për periudhën 2021-2025, të mobilizohen disa herë më shumë mjete dhe investime nga sektori privat. Plani përfshin krijimin e fondeve zhvillimore, fondeve për përkrahjen e inovacionit, fondeve garantuese, fondeve të kapitalit sipërmarrës (venture), dhe instrumente të ngjashme për përkrahjen e ndërmarrjeve të eksportit, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe ndërmarrjeve sociale. Planifikohen edhe partneritete publike-private, koncesione dhe instrumente të tjera për financimin e projekteve kapitale publike, si dhe projekte të sektorit privat – tha Besimi.

Akademiku Taki Fiti theksoi se temat që do të diskutohen në konferencën shkencore trajtojnë probleme dhe çështje jashtëzakonisht të rëndësishme si sfidat fiskale në periudhën pas krizës – ndryshimet strukturore, investimet publike dhe rritja e gjelbër, menaxhimi i borxhit publik dhe qëndrueshmëria e financave publike, konsolidimi fiskal, kapaciteti fiskal i njësive të vetëqeverisjes lokale, etj.

– Mbajtja e kësaj Konference të rëndësishme është hapi i parë konkret i realizimit dhe operacionalizimit të detyrimeve që dalin nga Memorandumi për bashkëpunim ndërmjet ASHAM dhe Ministrisë së Financave. ASHAM ka përkrahur dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen këtë lloj bashkëpunimi në përputhje me një nga funksionet dhe rolet kryesore të Akademisë – funksionin këshillues, përkatësisht hulumtime dhe përgatitje të rekomandimeve dhe sugjerimeve shkencore për krijuesit e politikave në sfera të ndryshme, në këtë rast në sferën e financave publike. ASHAM e mirëpret gatishmërinë e Ministrisë së Financave, që përmes debatit lidhur me tema shumë të rëndësishme, të dëgjohet edhe zëri i shkencës – tha akademiku Fiti.

Ministria e Financave dhe ASHAM për herë të parë organizuan konferencë të përbashkët shkencore. Në temën me titull “Sfidat e politikës fiskale në periudhën e pandemisë së Kovid-19 dhe perspektivat në periudhën pas krizës”, ku morën pjesë mbi 30 ekonomistë të shquar (akademikë dhe profesorë – ndër të cilët edhe ish ministra të Financave), si dhe përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe Komisionit Evropian. Të gjitha punimet shkencore të prezantuara në këtë konferencë, do të botohen në përmbledhjen e punimeve, që do të jetë në dispozicion për opinionin.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *