2 korrik 2021, Shkup – Ky vit do të jetë vit i rimëkëmbjes, pas së cilës Republika e Maqedonisë së Veriut do të angazhohet që të arrijë qëllimet prioritare lidhur me përshpejtimin e rritjes dhe zbatimin e axhendës evropiane. Partneriteti afatgjatë dhe përkrahja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të Maqedonisë së Veriut, si dhe në integrimet euroatlantike kanë rëndësi të paçmuar për vendin tonë në realizimin e prioriteteve. Ministri i Financave Fatmir Besimi, sot në margjinat e Dialogut të Forumit të Prespës realizoi takim me ndihmës sekretarin shtetëror dhe zëvendësndihmës sekretarin në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Stejt Departamentin e SHBA-së Philip Reeker dhe Matthew Palmer si dhe ambasadoren e SHBA-së, Kate Marie Burns, ku u diskutua për bashkëpunimin dhe perspektivat e ekonomisë sonë.
Prioritetet e Qeverisë dhe Ministrisë së Financave janë arritja e normave më të larta të rritjes ekonomike prej 4% në 5% në nivel vjetor, si dhe rritja e pagave prej 20% deri në 30% në periudhën afatmesme me qëllim që të përmirësohet standardi i jetesës së qytetarëve. Këtë do ta synojmë përmes zbatimit të politikës fiskale në periudhën afatmesme, e cila do të orientohet në drejtim të investimeve, rimëkëmbjes dhe rritjes së qëndrueshme dhe konsolidimit fiskal. Në këtë drejtim, tashmë është bërë një hap i rëndësishëm përmes përgatitjes së legjislacionit përkatës që do të jetë bazë për zbatimin e këtyre reformave siç janë: Ligji i ri për buxhetet, i cili u miratua nga Qeveria, Strategjia fiskale afatgjate dhe Strategjia për menaxhimin e borxhit publik, Strategjia për reformën tatimore, si dhe plani ambicioz shumëvjeçar i investimeve.
Nga aspekti i rritjes së investimeve, në Ministrinë e Financave Plani për financimin e rimëkëmbjes ekonomike dhe rritjes së përshpejtuar është në fazën përfundimtare i cili synon t’i multiplikojnë mjetet për investime përmes angazhimit të kapitalit privat. Në këtë mënyrë, axhenda e planifikuar zhvillimore mund të arrihet më shpejt dhe njëkohësisht do të mund të zbatohet konsolidimi fiskal.
Në këtë takim, të dyja palët shprehën angazhimin e theksuar për vazhdim të bashkëpunimit dhe partneritetit të mirë, si dhe mbështetjen për realizimin e prioriteteve në ndërtimin e një shoqërie më të mirë dhe një ekonomie më të fuqishme.