Кumtesa|

22 korrik 2021, Shkup – Shëndeti i qytetarëve, ekonomia dhe financat e shëndosha si dhe shoqëria në përgjithësi mbeten prioritete kryesore për këtë vit. Në atë drejtim është edhe ribalanci i Buxhetit për vitin 2021, në të cilin ka rritje të të hyrave prej 4.7% ose rreth 10 miliardë denarë më shumë mjete për shpenzime kapitale për 24% ose mjete shtesë për masat lidhur me përkrahjen e amvisërisë dhe ekonomisë, për shëndetësinë dhe për procesin e imunizimit të popullatës, rritjen e përkrahjes së bujqësisë dhe kategorive të ndjeshme sociale.

Këtë e deklaroi ministri i Financave Fatmir Besimi, duke arsyetuar ribalancin e Buxhetit për vitin 2021, i cili nga sot është në rendin e ditës para deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

-Politika fiskale gjithmonë duhet t’i përgjigjet nevojave reale, ta përkrahë rritjen dhe zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe ta përmirësojë standardin e jetesës së qytetarëve. Prandaj, qëllimet kryesore e Buxhetit për vitin 2021 janë përforcimi i financimit të sistemit të mbrojtjes shëndetësore dhe ruajtja e shëndetit dhe jetës së qytetarëve, përkrahja e stabilizimit ekonomik dhe vendosja e themeleve për rimëkëmbjen e qëndrueshme ekonomike dhe rritjen e përshpejtuar, si dhe financimi i pandërprerë i funksioneve themelore të shtetit dhe përkrahja për reformat në gjyqësi dhe integrimet euroatlantike, theksoi ministri.

Duke theksuar se rebalanci për vitin 2021 është reflektim i situatave ekonomike, kujdes në drejtim të shfrytëzimit të mjeteve publike dhe destinimit të tyre kah realizimi i targeteve të vendosura si dhe përkushtim në ballafaqimin me pandeminë, ministri theksoi se stimuli fiskal për ekonominë dhe qytetarët vazhdon deri në rimëkëmbjen e plotë dhe kthimin e ekonomisë në rrugën e rritjes ekonomike. Gjegjësisht, theksoi se, mbetet përkushtimi që të investojmë në të mirat e përhershme me fokus në implementimin e projekteve infrastrukturore kapitale në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturën energjetike dhe komunale, si dhe investimet kapitale për përmirësimin e kushteve në shëndetësi, arsim dhe sektorin social, bujqësi dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Ministri theksoi se, të hyrat në Buxhetin janë me realizim të shkëlqyer. Nga fillimi i vitit duke përfshirë muajin qershor të vitit 2021 janë realizuar në vlerë prej 101.1 miliardë denarë, që është 47.5% krahasuar me planin dhe shënuan rritje prej 15.6% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shpenzimet, gjithashtu, realizohen në mënyrë të rregullt dhe në kohë dhe janë në korniza të parashikimeve dhe pritjeve. Duke përfshirë muajin qershor të vitit 2021 janë realizuar në vlerë prej 116.8 miliardë denarë, që paraqet 47.2% në raport me vlerën e planifikuar vjetore ose rritje prej 3% në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ekonomia pritet që të rimëkëmbet gjatë këtij viti, me ç’rast rritja projektohet të jetë 4.1%. Gjatë katër muajve të parë të vitit 2021, shkëmbimi tregtar u intensifikua në mënyrë të konsiderueshme, eksporti i mallrave shënoi rritje nominale prej 40.7%, dhe importi i mallrave prej 34.4%. Të dhënat për industrinë tregojnë se në muajin mars është ndërprerë rënia e prodhimit gjatë dy muajve paraprakë dhe në muajin prill rritja shënoi 46.1%, shkalla e papunësisë vazhdoi të zvogëlohet dhe arriti 16%, ndërsa pagat shënuan rritje mesatare prej 4%, rritje prej 48.2% është shënuar edhe te shpenzimet kapitale në gjashtë muajtë e parë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. 

Rol të rëndësishëm në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe intensifikimin gradual të saj do të kenë investimet. Rritja reale e investimeve bruto është projektuar në 8% për vitin 2021, në kushte të rritjes së pritur dhe investimeve publike dhe private. Konsumi, pritet të shënojë rritje reale prej 4%, kurse rritja e konsumit publik është e projekuar në 4.3%. Eksporti parashihet të shënojë rritje prej 10.6%, kurse importi prej 11% në bazë reale. Numri i të punësuarve parashihet të rritet me 1%, gjë që do të kontribuojë që shkalla mesatare e punësimit të rritet në 47.5%, ndërsa shkalla e papunësisë të ulet në 15.8%.

Të hyrat e përgjithshme me ndryshimet dhe plotësimet në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2021, janë planifikuar në nivel prej 222.5 miliardë denarë ose për 4.7% më të larta se projeksionet fillestare të Buxhetit.

Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 268.8 miliardë denarë ose për 8.6% më shumë në raport me planin.

Të hyrat dhe shpenzimet e planifikuara, paraqesin deficit në vlerë prej 46.2 miliardë denarë, përkatësisht 6.5% nga BPV-ja.

Me anë Ribalancit janë siguruar më shumë mjete për shpenzime kapitale, mjete shtesë për sektorin e shëndetësisë që kontribuojnë drejtpërdrejt në luftën kundër krizës shëndetësore. Në drejtim të vazhdimit të masave, nga masat paraprake me qëllim të ripërtëritjes së ekonomisë dhe kthimit të normave të rritjes ekonomike siç kanë qenë para fillimit të krizës, parashihen mjete për masa nga pakohja e pestë dhe e gjashtë të dizajnuara si mbështetje e drejtpërdrejtë për ekonominë dhe kompanitë, mjete për pagesën e regresit për pushimin vjetor sipas Marrëveshjes kolektive të degës për institucionet shtetërore dhe mjetet për angazhimin e asistentëve të shkolluar për fëmijët me nevoja të veçanta. Me anë të Ribalancit, gjithashtu bëhet kufizimi dhe reduktimi në nivel minimal i shpenzimeve jothelbësore të shfrytëzuesve të buxhetit.

Përveç kësaj, në përputhje me Strategjinë fiskale 2022-2026, përveç përmirësimit të strukturës së financave publike me rritjen e pjesëmarrjes së shpenzimeve kapitale, parashihet konsilidim gradual fiskal, përmes zvogëlimit të deficitit buxhetor si pjesëmarrje procentuale në BPV edhe atë: 4.3% në vitin 2022, 3.5% në vitin 2023, 2.9% në vitin 2024, 2.5% në vitin 2025 dhe 2.2% në vitin 2026.

Buxhetit të RMV-së, në periudhën e ardhshme është krijuar plotësisht në funksion të arritjes së prioriteteve strategjike, përshpejtimin e rritjes ekonomike, prioritetin për proceset integruese të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE dhe detyrimet që dalin nga anëtarësimi në NATO .

 

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *