4 Dhjetor 2021, Shkup – Procesi i miratimit të buxhetit më kujton thënien e ish-sekretarit shtetëror të Thesarit të SHBA-së Jacob Lew që thotë se “Buxheti nuk është vetëm koleksion i numrave, por pasqyrë e vlerave dhe aspiratave tona”. Duke u nisur nga ky koncept, buxhetin që e propozojmë krahas specifikavetë pasqyruar në numra, është edhe pasqyrim i përkushtimit tonë për qëllimet dhe parimet e definuara sipas së cilave do të udhëhiqemi.
Çdo denar i investuar i qytetarëve duhet të investohet në mënyrë të arsyeshme aty ku jep efektin më të madh, ndërsa ai është buxheti me “vlerë më të madhe për paratë e investuara” (value for money) dhe për këtë do të ketë llogaridhënie, si dhe për këtë qëllim vendosen treguesit pesëvjeçar për vlerësimin e suksesshmërisë sa i përket vlerësimit të politikave. Gjithashtu, ky buxhet është përpiluar sipas “rregullit të artë”, në financat publike, gjegjësisht deficit buxhetor është më i ulët se shpenzimet kapitale, që nënkupton huamarrje vetëm për shpenzime kapitale që do të arrijnë nivelin më të lartë në krahasim me çdo buxhet paraprak. Kjo do të nxisë një cikël investimesh që do të kontribuojnë në rritjen e përshpejtuar ekonomike, ndërsa përmes axhendës së gjelbër dhe përkrahjes për inovacione dhe dixhitalizim, do të kontribuoj drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe cilësisë më të mirë të jetesës për qytetarët. Gjithashtu, ky buxhet përfshin edhe programe për përkrahje gjatë kohës së krizës si dhe një trend të qartë të konsolidimit fiskal në periudhë afatmesme, veçanërisht nëse e marrim parasysh faktin se me Ligjin e ri për buxhetin që është në procedurë parlamentare parashihet vendosja e rregullave fiskale dhe këshillit fiskal.
Debat gjithëpërfshirës dhe konstruktiv për Propozim buxhetin
Këtë javë prezantuam Propozim buxhetin për vitin 2022, në Komisionin parlamentar amë për Financim dhe buxhet dhe Komisionin Ligjdhënës juridik. Kisha mundësinë që në atmosferë të diskutimit konstruktiv ta prezantoj buxhetin dhe t’i shfaqim pikëpamjet lidhur me qëllimet kryesore dhe politikat e planifikuara. Shfrytëzoj mundësinë t’i falënderoj deputetët për debatin konstruktiv gjatë diskutimit dhjetëditor lidhur me Propozim buxhetin për vitin 2022.
Ky është një konfirmim se gjithëpërfshirja në këtë proces, jep rezultat dhe e përmirëson cilësinë e punës sonë. Gjatë diskutimit lidhur me amendamentet janë pranuar gjithsej 23 amendamente, prej të cilave 8 janë nga deputetët e opozitës, 4 nga deputetë e pushtetit dhe 2 nga Kuvendi, me ç’rast 9 amendamente u propozuan nga komisionet dhe u përkrahën në mënyrë unanime. Vlera e përgjithshme e amendamenteve të pranuara është 382 milionë denarë, që sipas, deputetëve dhe shërbimeve në Kuvend, kjo është një prej ndryshimeve më të mëdha të bëra përmes diskutimit për amendamentet, dhe është konfirmim për gjithëpërfshirjen në procesin e miratimit të buxhetit dhe kapacitetin demokratik në vendin tonë. Pas miratimit nga Qeveria, do të shqyrtohet në seancë plenare në Kuvend, ku gjithashtu pres të vazhdojmë në këtë frymë dhe me përkrahje të gjerë ta votojmë Buxhetin për vitin 2022.
Buxhet në kohë të krizës dhe pasigurisë
Prioritetet kyçe për vitin e ardhshëm të pasqyruara në këtë dokument janë: rimëkëmbja e mëtejmë ekonomike dhe rritja e përshpejtuar përmes investimeve, mbrojtja e shëndetit të qytetarëve në rreziqet që janë ende të pranishme nga pandemia, por edhe përkrahja e standardit të jetesës së popullatës.
Në periudhën e kaluar u përballëm me shumë sfida. Pikërisht në situata të tilla, intervenimi shtetëror dhe veçanërisht politika fiskale në rastin tonë mbeten kyçe për tejkalimin e sfidave dhe zbatimin e politikave zhvillimore. Politikat fiskale në esencë janë kontraciklike, gjegjësisht duhet të stimulojnë gjatë kohës së krizave ekonomike dhe të konsolidojnë në kohë të prosperitetit ekonomik. Stimuli I rrituriscall në kohë të krizës ka për qëllim ruajtjen e vendeve të punës, ruajtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve dhe stimulimin e aktivitetit ekonomik.
I ashtuquajturi “Distorzion i tregut” ose intervenimi shtetëror, i cili jo domosdoshmërisht udhëhiqet sipas parimeve rigoroze të tregut, përveç tjerash, duhet të mbajë llogari edhe për komponentin social, gjegjësisht ta kufizojë ndikimin e krizës mbi kategoritë të ndjeshme sociale të qytetarëve. Në këtë kontekst, fokusi i politikës tonë fiskale në periudhën e kaluar ishte i orientuar drejt mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, përkrahjes së kategorive të ndjeshme të qytetarëve dhe kompanive më të prekura, por edhe drejt krijimit të politikave për stimulimin e rritjes ekonomike.
Duke i marrë parasysh këto postulate, janë vendosur masa të konsiderueshmedhe të shpejta ekonomike në favor të më të prekurve nga kriza e fundit. Në dy vitet e fundit, janë zbatuar gjashtë pako të masave për përkrahjen e ndërmarrjeve dhe të punësuarve në sektorët më të prekur. Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Financave, vetëm me katër pakot e para të masave, rënia e aktivitetit ekonomik u lehtësua për 4.2 pikë përqindje në vitin 2020, nëse i përfshijmë edhe efektet multiplikative, që janë evidentuar edhe në raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare. Gjegjësisht, thënë kushtimisht, në mungesë të masave, rënia e ekonomisë në vitin 2020, vlerësohet që do të ishte nënivel prej -8.7% krahasuar me rënien e realizuar prej 4.5%. Vlerësimi i efektit nga pakot 5 dhe 6 të masave që ende vazhdojnë, do të bëhet në fillim të vitit të ardhshëm, por vlerësimet fillestare tregojnë se pritshmëritë lidhur me efektet janë mjaft pozitive.
Gjegjësisht, reagimi i shteteve në mbarë botën ishte i menjëhershëm dhe energjik, i përkrahur me pako të mëdha financiare për përkrahje. Sa për krahasim, sipas të dhënave të UNKTAD, stimulimi fiskal për vitin 2020 në ekonomitë e zhvilluara ishte për 270% më i lartë në krahasim me stimulimin e siguruar për krizën e madhe financiare në periudhën 2008-2009. Në ekonomitë në zhvillim, kjo shifër ishte 18% më e lartë. Gjegjësisht, ekonomitë e zhvilluara në vitin 2020 kanë injektuar 9.7% të PBB-së në ekonomitë, krahasuar me nivelin prej 2.6% të PBB-së gjatë krizës financiare globale, ndërsa tek ekonomitë në zhvillim kjo shifër ishte në nivel prej 5.5% të PBB-së në krahasim me nivelin e ulët prej 4.6% të PBB-së në periudhën 2008-2009. Kjo tregon intensitetin e krizës me të cilën u ballafaquam dhe nevojën për reagim të shpejtë.
Tek ne, nga fillimi i krizës miratuam gjashtë pako të masave në vlerë prej një miliardë e dyqind milionë euro, gjegjësisht rreth 11% të PBB-së. Stimulimi i përgjithshëm fiskal i përfshin jo vetëm shpenzimet e drejtpërdrejta të buxhetit, por edhe lirimet dhe lehtësimet tatimore, garancitë në dispozicion etj. Sa për krahasim, sipas të dhënave të FMN-së, stimulimi fiskal në vendet e rajonit lëvizë prej 2.4% të PBB-së në Bullgari, 3% në Bosnjë e Hercegovinë, 3.3% në Shqipëri, 4% në Mal të Zi, 5% në Kosovë, 7% në Kroaci, 13,6% në Serbi dhe në Greqi dhe Slloveni me rreth 14% të PBB-së.
Megjithatë, efektet e pandemisë vazhduan edhe përgjatë vitit 2021. Por, ekonomia jonë pati rimëkëmbje duke arritur rritje prej 13.1% në tremujorin e dytë dhe presim që vitin ta përfundojmë sipas rritjes së projektuar të PBB-së prej 4.1% me mundësi që rritjen në fjalë, ta tejkalojmë.
Lidhur me rrjedhat ekonomike globale, mund të thuhet se ekonomia globale po rimëkëmbet dhe pritet rritje prej 5.9% në vitin 2021 dhe 4.9% në vitin 2022, sipas projeksioneve të FMN-së për muajin tetor. BE-ja, gjegjësisht Gjermania si partneri ynë më i rëndësishëm tregtar pritet të arrijë rritje prej 5.1% për qind për vitin 2021, gjegjësisht 3.1%, ndërsa parashikimet për vitin 2022 janë gjithashtu inkurajuese, me rritje të pritshme të BE-së prej 4.4% gjegjësisht 4.6% për Gjermaninë.
Është e rëndësishme të theksohet se ky buxhet miratohet në një moment delikat për ekonominë tonë dhe atë globale. Jemi përballë pasigurive, sfidave të vazhdueshme por edhe para mundësive të reja. Duke u nisur nga kjo, është koha për buxhet zhvillimor i cili do të rezultojë me rritje të përshpejtuar përmes rritjes së investimeve, por edhe do të ketë kapacitet për lehtësimin e krizave dhe rreziqeve me të cilat përballemi.
Buxheti si reflektim i vlerave dhe aspiratave tona
Duke anticipuar kontekstin në të cilën ndodhet ekonomia vendase dhe globale dhe sfidat e së ardhmes dhe me qëllim të arritjes së prioriteteve lidhur me ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve, përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe përshpejtimin e zhvillimit ekonomik, Propozim buxheti për vitin 2022 ka katër qëllime themelore.
Së pari, vazhdimi i kujdesit lidhur me mbrojtjen e shëndetin e popullatës. Së dyti, rimëkëmbja ekonomike dhe përshpejtimi i rritjes. Së treti, rritja e investimeve në konsolidimin fiskal dhe së katërti, përkrahja e proceseve reformuese në gjyqësi dhe integrimet euroatlantike si dhe financimi i pandërprerë i funksioneve themelore të shtetit.
Duke pasur parasysh aspektin nacional dhe global dhe duke njohur nevojën për të vendosur parashikueshmërinë dhe konsistencën drejt reformave dhe prioriteteve strategjike, buxheti si një dokument strategjik është konceptuar në kornizë afatmesme. Përkatësisht, në mbështetje të qëllimeve të këtij Buxheti janë dokumentet strategjike të miratuara, të tilla si Strategjia fiskale, Strategjia e borxhit publik, Plani i qëndrueshmërisë fiskale dhe rritjes ekonomike, Plani i rritjes së përshpejtuar ekonomik, Plani i investimeve publike, Programi i reformave ekonomike të përgatitura në kornizë afatmesme 2022-2026. Kjo është në kuadër të angazhimit për SMART financa publike, përkatësisht financa publike që janë strategjike, të qëndrueshme, llogaridhënëse, të orientuara drejt reformave dhe transparente.
Menaxhimi i financave publike dhe arritja e këtyre qëllimeve do të udhëhiqet nga parimet e “vlerës për paratë e investuara”, buxhetimi i bazuar në rezultate dhe transparencë dhe monitorimi i treguesve specifikë. Me rëndësi është të theksohet fakti se me anë të këtij buxheti respektojmë “rregullin e artë” në financa.
Kjo do të thotë se shpenzimet kapitale e tejkalojnë deficitin buxhetor, gjegjësisht huamarrja e përgjithshme do të shfrytëzohet në shpenzime kapitale. Respektivisht, dihet se huamarrja afatgjate është e justifikueshme dhe e drejtë, nëse përfitimet e investimeve i gëzojnë edhe gjeneratat që do të paguajnë borxhet përkatëse. Qasje alternative për këtë do të ishte tatimimi më i lartë që do t’i privonte gjeneratat e tanishme. Prandaj, huamarrja për projekte dhe shpenzime kapitale, përfitimet e të cilave i kanë gëzuar shumica e gjeneratave, justifikohet nga aspekti i drejtësisë ndër gjenerata dhe është vlerë e shtuar sa i përket mënyrës së planifikimit dhe menaxhimit të financave publike.
Transparenca dhe llogaridhënia mbeten parime kryesore në realizimin e buxhetit. Qytetarët çdo herë duhet të jenë të informuar se paratë e tyre janë shpenzuar në mënyrë efikase dhe në përputhje me qëllimin, prandaj Ministria e Financave vazhdon me përpjekjet për përmirësim të transparencës në menaxhimin me financat publike. Në këtë drejtim është edhe portali “Financa të hapura”, ku përmes tij në vazhdimësi sigurohet që opinioni publik të ketë qasje në të dhënat, gjegjësisht transaksionet e realizuara nga Buxheti i shtetit, si dhe nga buxhetet e komunave.
Gjithashtu, në ueb faqen e saj prezanton Numëruesin fiskal, ku publikohen të dhënat ditore për realizim kumulativ të të hyrave buxhetore, shpenzimeve buxhetore, shpenzimeve kapitale, përqindja e realizimit të tyre, të dhëna mujore për gjendjen e borxhit shtetëror, si dhe Kalendari i rregullativës tatimore i cili jep parashikim dhe transparencë në pjesën e politikës tatimore.
Buxheti zhvillimor me instrumente inovative për financim
Propozim buxheti për vitin 2022 planifikon shpenzime me vlerë prej 272.4 miliardë denarëve që paraqet rritje prej 1.4% krahasuar me vitin 2021 dhe janë në nivel prej 35.2% të PBB-së. Nga ana tjetër, ardhurat janë për 7.4% më të larta se vitin 2021 dhe janë në nivel prej 31% të PBB-së ose 238.9 miliardë denarë. Si rezultat i kësaj, deficit buxhetor planifikohet të jetë në nivel prej 33.5 miliardë denarëve ose 4.3% të PBB-së. Ky trend i uljes së deficitit buxhetor është kuadër të planit për konsolidim gradual fiskal përmes vazhdimit të përkrahjes së ekonomisë në kohë krize. Përkatësisht, deficit I proektuar paraqet ulje krahasuar me nivelin e realizuar prej 8.1% në vitin 2020 dhe deficiti i projektuar prej 6.5% me mundësi të jetë më i ulët në vitin 2021.
Në këtë buxhet vëmendje të konsiderueshme i kushtohet investimeve. Në vitin 2022 shpenzimet kapitale planifikohen të jenë në nivelin më të lartë deri më tani prej 38.2 miliardë denarëve. Ky buxhet paraqet ndryshim të konsiderueshëm edhe nga aspekti i strukturës. Shpenzimet kapitale marrin pjesë me 14% në shpenzimet e përgjithshme dhe janë rritur për 28.3% krahasuar me vitin 2021, përmes shkurtimeve të shpenzimeve buxhetore “joproduktive”. Kjo është në kuadër të Planit për rritje të përshpejtuar 2022 – 2026, që ka për qëllim financimin e rimëkëmbjes ekonomike të shkaktuar nga kriza dhe përkrahjen e rritjes së përshpejtuar dhe të qëndrueshme, njëkohësisht duke ruajtur stabilitetin fiskal.
Në raport me përmirësimin e dinamikës për realizimin e investimeve kapitale, tashmë mund të vërehen rezultatet e para nga mekanizmi KAPEF, ku në kuadër të Planit për rritje të përshpejtuar 2022 – 2026 është paraparë kornizë institucionale për menaxhimin me projektet në nivel nacional me vendosjen e njësive të reja për menaxhim dhe koordinim me projektet. Krahas këtij qëllimi, Ministria e Financave do të vendosë instrumente inovative për financimin e buxhetit edhe atë fletobligacione zhvillimore, fletobligacione të gjelbra, fletobligacione projektuese dhe fletobligacione të indeksuara me inflacion. Po ashtu, për nxitjen e investimeve do të promovohen partneritete publiko private, themelimi i fondit për zhvillim, fondit për zhvillim rajonal dhe lokal, funksionimi i fondit garantues, fondeve për efikasitet energjetik etj, janë një pjesë e instrumenteve të reja ku shteti do të mobilizojë mjete shtesë nga sektori privat në drejtim të qëllimit për rritje të përshpejtuar.
Kjo mënyrë e financimit do të jetë vlerë e shtuar drejt ekonomisë sonë në disa aspekte. E para, do të mobilizohen mjete maksimale nga burimet vendase dhe të huaja me qëllim të realizimit të përshpejtuar të projekteve të domosdoshme nga infrastruktura fizike, axhenda e gjelbër, dixhitalizimi dhe inovacionet si dhe zhvillimi teknologjik. E dyta, do të kontribuohet drejt zhvillimit të tregut të kapitalit dhe publikut investitor duke përfshirë qytetarët do tu jepet mundësi për investime në instrumente të sigurta alternative për investim. E treta dhe më e rëndësishmja, do të bashkohen dy tipare kyçe të sektorit privat dhe publik të cilat janë të njohura në mesin e ekonomistëve, efikasiteti i sektorit privat dhe siguria e sektorit publik. Përfshirja e qytetarëve dhe sektorit privat vendas si investitorë, do të kontribuojë drejt rritjes së efikasitetit në realizimin e projekteve dhe alokimin e burimeve, duke siguruara se për rrezikun dhe shpenzimet do ta kenë shtetin si garantues kryesor.
Këto dhe shumë masa të tjera të parapara do të kontribuojnë drejt rritjes së pritshme të investimeve bruto prej 8.5% në bazë reale për vitin 2022. Në mënyrë shtesë, projektimi i rritjes së konsumit prej 3.1% dhe pritshmëritë e rritjes së aktivitetit importues nga ana e kompanive vendase prej 8.1% dhe zhvillimet pozitive në tregun e punës ku numri i të punësuarve pritet të rritet për 3.1% do të kontribuojnë drejt rritjes së përshpejtuar në vitin 2022. Prej këtu, rritja ekonomike e projektuar për vitin 2022 pritet të jetë 4.6%.
Investimet kapitale të përshpejtuara janë temë aktuale dhe përfshijnë pjesën qendrore në strategjitë për rritje në vendet e zhvilluara. Para disa ditësh, në SHBA u miratua pakoja prej 1 trilionë dollarëve investime në infrastrukturë, me përkrahje bipartizane, kurse paraprakisht Britania e Madhe paralajmëroi planin 10 vjeçar me vlerë prej 650 miliardë funtave investime në infrastrukturë, tranzicion drejt ekonomisë së gjelbër dhe dixhitalizim të përshpejtuar. Në këtë drejtim është edhe pakoja e paralajmëruar për rimëkëmbjen e BE-së me vlerë prej 800 miliardë eurove, si plotësim i buxhetit afatgjatë 2021 – 2027.
Sipas Planit tonë për rritje të përshpejtuar 2022-2026, në këtë periudhë pesëvjeçare planifikohen investime në vlerë prej rreth 4 miliardë eurove me burime publike të financimit dhe investime në vlerë prej 8 miliardë eurove përmes tërheqjes së kapitalit privat. Këtu do t’i përfshijë projektet më të rëndësishme infrastrukturore të tilla si Korridori 8, autostrada dhe hekurudha, infrastruktura energjetike, gazsjellësi, interkoneksionet dhe rrjetet distributuese, investimet në burimet e energjisë së ripërtërishtme, fotovoltaikët, elektranat e turbinave me erë dhe hidrocentralet, si dhe shumë projekte të tjera sa i përket mjedisit jetësor, menaxhimit të ujërave, menaxhimit të mbeturinave, mbrojtjes së ajrit dhe infrastrukturës komunale. Kjo do të kontribuojë në përmirësimin e konkurrencës së ekonomisë sonë dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve.
Përkrahja e ekonomisë dhe kategorive të ndjeshme, cilësi më e mirë e jetesës dhe zhvillimi lokal
Përmirësimi i standardit të jetesës së qytetarëve është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë. Rrjedhimisht, përveç politikave për rritjen e përkrahjes së sektorit privat, sa i përket rritjes së konkurrencës së tyre dhe kushteve më të mira për të punësuarit, me këtë buxhet parashihet rritje e pagave në sektorët kyç të administratës shtetërore me qëllim që të përforcohet integriteti i tyre dhe performanca në punë.
Rritja e pagave, që i referohet rritjeve të miratuara për inspektorët, parashihet të jetë në vlerë prej 10%, arsimi i lartë me 8% nga viti 2021 dhe 7% shtesë në vitin 2022, sektori i shëndetësisë me 5%, gjyqësori dhe prokuroria me 15%, Ministria e Punëve të Brendshme me 5%, struktura IPA me 15%, si dhe riekipimi i pozicioneve kyçe në diplomaci dhe plotësimi i nevojave të Ministrisë së Mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s. Gjithashtu, buxheti do ta ruajë likuiditetin sa i përket pagesës së rregullt të pagave dhe pensioneve, kryerjes së funksioneve themelore të shtetit dhe përkrahjes së reformave në sektorin e gjyqësorit dhe eurointegrimeve.
Gjithashtu, Qeveria e RMV-së mbetet konsekuente lidhur me masat e përkrahjes së ekonomisë dhe kategorive të ndjeshme gjatë krizës. Subvencionet për sektorët më të prekur nga COVID-i dhe kriza energjetike do të vazhdojnë edhe në vitin 2022, ku parashihen 5.4 miliardë denarë për këtë qëllim dhe programe të tjera me fleksibilitet të caktuar do të përshtaten sipas nevojave. Përkrahja do të vazhdojë edhe në sektorin e bujqësisë, ku nga viti i ardhshëm do të funksionojë edhe fondi intervenues në sektorin e bujqësisë.
Progres i dukshëm mund të vërehet në lidhje me planin e rritjes së të hyrave të njësive lokale dhe decentralizimit fiskal. Granti në bazë të të hyrave nga TVSH-ja, rritet nga 4.5% në 5%, si pjesë e planit të rritjes graduale të të hyrave të komunave në bazë të TVSH-së së paguar dhe tatimit mbi të ardhurat personale në nivel prej 6% deri në vitin 2024. Kjo do të sigurojë rritje prej 21% të të hyrave të njësive lokale në bazë të të hyrave të tilla, krahasuar me vitin 2021. Me këtë rritet kapaciteti fiskal dhe autonomia sa i përket harxhimit të mjeteve të komunave, si përfaqësues më i drejtpërdrejtë i interesave të njësive lokale. Do të themelohen fondi i barazisë, fond i sukseshmërisë dhe fondi i zhvillimit rajonal dhe lokal.
Transferet sociale parashihen të jenë në vlerë prej 124.5 miliardë denarëve. Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve, përkatësisht 64.4 miliardë denarë, dedikohen për pagesën e pensioneve me qëllim që të mundësohet nivel dinjitoz i jetesës së qytetarëve të moshuar. Përkrahja e mbrojtjes shëndetësore mbetet prioritet me 36 miliardë denarë ku planifikohet rritje e pagave të të gjtihë të punësuarve në institucionet shëndetësore publike, sigurimi i ilaçeve të nevojshme, cilësia e shërbimeve shëndetësore dhe përmirësimi i infrastrukturës në sektorin e shëndetësisë.
Sa i përket mbrojtjes sociale, parashihen 11 miliardë denarë, ku përfshihet reforma e sistemit të mbrojtjes sociale përmes vendosjes së të hyrave minimale të garantuara. Gjithashtu, do të vazhdojë zbatimi i politikave politike dhe masave të punësimit dhe pagesa e kompensimit në rast të papunësisë.
Sfidat dhe perspektivat
Duke pasur parasysh rrethanat e miratimit të këtij buxheti, përkatësisht pas rimëkëmbjes së tërësishme të ekonomisë nga kriza shëndetësore dhe rritjes së shumëfishtë të çmimeve të energjisë në bursat botërore, duhet të jemi të vetëdijshëm për sfidat që na paraprijnë në periudhën e ardhshme. Rreziku nga paraqitja e varianteve të reja të virusit dhe vazhdimi i rritjes së çmimeve të produkteve primare në bursat botërore mbeten sfida të mëdha për financat publike.
Duke pasur parasysh të gjitha rreziqet e lartpërmendura, konsideroj se Buxheti 2022 është krijuar që t’i adresojë të gjitha mundësitë dhe sfidat që na paraprijnë në periudhën e ardhshme. Gjithashtu, prolongimi i datës për negociata me Bashkimin Evropian mund të paraqesë sfidë shtesë për investitorët dhe rritjen e ekonomisë sonë.
Në fund, dëshiroj të theksoj se buxheti paraqet dokument kyç, i cili i përfshin aktivitetet e planifikuara të politikës fiskale në favor të zhvillimit ekonomik, përmirësimit të mirëqenies së të gjithë qytetarëve, valorizimit të të këtyre mundësive dhe zbutjes së rreziqeve. Prandaj, të vetëdijshëm për këtë nevojë dhe për kontekstin në të cilin ndodhemi, dëshiroj të bëj një apel të sinqertë për përkrahje të gjerë të këtij Buxheti nga deputetët në Kuvend, ku pres debat konstruktiv gjatë ditëve vijuese.
Fatmir Besimi, ministër i Financave