13 prill 2022, Shkup – Ministria e Financave përmes inspektimit financiar në sektorin publik do të kontrollojë në mënyrë më efikase dhe efektive shfrytëzimin e mjeteve financiare në subjektet e sektorit publik dhe shfrytëzimin e mjeteve financiare nga fondet e BE-së. Kjo parasheh zgjidhjen e re ligjore për inspektimin financiar në sektorin publik, e cila u miratua nga Qeveria në mbledhjen e djeshme me propozim të ministrisë së Financave.
Me zgjidhjen e re ligjore zgjerohet baza për fillimin e inspektimit financiar sipas detyrës zyrtare, në rastet e informatave të arritura ose pas marrjes së informacionit për dyshime të justifikuara për parregullsi të kryera, mangësi dhe/ose dyshim për vepër penale në menaxhimin financiar të mjeteve publike, si dhe të mjeteve të fondeve të BE-së në subjektet e inspektimit financiar. Është përcaktuar se nuk do të kryhet inspektim financiar në rast të denoncimit anonim të parashtruar, përveç rastit kur denoncimi anonim do të mbështetet në dëshmi ose nëse ekzistojnë argumente për dyshim të justifikuar për parregullsi, mungesë ose dyshim për vepër penale në menaxhimin financiar të mjeteve publike, si dhe mjeteve të fondeve të BE-së në subjektet e inspektimit financiar.
Ligji i ri parasheh vendosjen e akteve me të cilat shqiptohen masa ndaj subjektit të inspektimit financiar për menjanimin e parregullsisë ose mangësisë, ndërprerjen e parregullsive, si dhe kthimin e mjeteve në buxhet.
Një ndër ndryshimet më të konsiderueshme është edhe rritja e vlerës së gjobës për udhëheqësin e subjektit të inspektimit financiar, si dhe vendosja e dispozitave të reja kundërvajtëse për kundërvajtje të kryera sa i përket shfrytëzimit të kundërligjshëm të mjeteve nga fondet e BE-së dhe kundërvajtjet e kryera nga personi fizik dhe personi përgjegjës në personin juridik, që i referohen pamundësisë së kryerjes së inspektimit financiar ose mosveprimit sipas kërkesave të inspektimit financiar.
Nevoja për miratimin e ligjit të ri paraqitet për shkak të përmirësimit të efikasitetit dhe efektivitetit të inspektimit financiar gjatë kryerjes së kontrollit të shfrytëzimit të mjeteve financiare publike në subjektet e sektorit publik dhe shfrytëzimit të mjeteve financiare nga fondet e BE-së, si dhe për tejkalimin e mangësive në rregullativën ekzistuese, të cilat janë konstatuar gjatë zbatimit të ligjit në praktikë nga ana e inspektimit financiar në Ministrinë e Financave.
Propozim ligji për inspektimin financiar në sektorin publik është përgatitur në bashkëpunim me ekspertë nga projekti Tuining “Përforcimi i funksioneve të planifikimit, realizimit dhe kontrollit të brendshëm të buxhetit” i financuar nga BE-ja dhe është dorëzuar për mendim në Drejtorinë e Përgjithshme për Buxhet të Komisioni Evropian (DG Budget).