21 maj 2022, Shkup – Edhe 76 milionë euro mjete të tjera shtesë në rast se nevojiten masa të reja për mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe përkrahjen e kompanive, 52 milionë euro mjete shtesë për bujqit, rritje të pensioneve dhe pagave për mësimdhënësit, si dhe subvencione për rritjen e pagës minimale. Kjo sigurohet me rishikimin e buxhetit, të miratuar nga Qeveria, të cilin e prezantoi para opinionit publik ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Të hyrat e përgjithshme me Rishikimin janë planifikuar në nivel prej 245.8 miliardë denarë dhe janë rreth 6.9 miliardë denarë ose 2.9% më të larta në krahasim me projeksionet fillestare të buxhetit. Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 288.5 miliardë denarë ose më të larta për 5.9%, përkatësisht për rreth 16 miliardë denarë më shumë në krahasim me projeksionet fillestare me planin për vitin 2022. Në bazë të të hyrave dhe shpenzimeve të planifikuara, deficiti është planifikuar në nivel prej 42.7 miliardë denarë, përkatësisht 5.3% nga PBB-ja .
– Përkrahja financiare shtesë prej 4.7 miliardë denarë është projektuar për mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe likuiditetit të kompanive në kushtet e vazhdimit të krizës në tregun botëror të energjensave dhe produkteve primare. Sigurojmë mbrojtje – bafer, që të kemi hapësirë për reagim të shpejtë me anë të masave të reja për mbrojtjen e qytetarëve dhe ekonomisë.
Parashikojmë mjete shtesë prej 3.2 miliardë denarë – subvencione për bujqit, me qëllim të stimulimit të rendimenteve dhe amortizimit të presioneve të çmimeve për produktet ushqimore bazë. Gjithashtu, planifikohet rritja e transfertave në NJVL për rritjen e pagave për të punësuarit në kopshte të fëmijëve, si dhe për të punësuarit në shkollat fillore dhe të mesme për 15% duke filluar nga muaji shtator 2022. Pensionet janë rritur në mënyrë shtesë, sipas metodologjisë së re për llogaritjen e pensioneve. Janë planifikuar mjete lidhur me programin e subvencionimit të kontributeve për përkrahje të pagave – thotë Besimi.
Shpenzimet kapitale janë planifikuar në nivel prej 32.2 miliardë denarë ose rreth 6 miliardë denarë më të ulëta se plani për vitin 2022. Megjithatë, kjo vlerë është për 8.8 miliardë denarë më e lartë se vitin e kaluar ose për 14.4 miliardë denarë më e lartë se në vitin 2020.
Ministri theksoi se me anë të mjeteve të buxhetit janë planifikuar investime të konsiderueshme në fushën e infrastrukturës rrugore, në Korridorin 8: zgjerimi i autostradës Tetovë-Gostivar, ndërtimi i autostradës së re Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë, ndërtimi i pjesës Gostivar-Bukojçan, pjesës Rankovce-Kriva Pallankë dhe Kriva Pallankë deri në kufirin me Bullgarinë, si dhe ndërtimi i pjesës perëndimore të rrugës së korridorit 8 përmes ndërtimit të autostradës Kërçovë-Bukojçan dhe pjesës Kërçovë-Ohër. Në Korridorin 10 është planifikuar pjesa Prilep – Manastir. Gjithashtu, NPRRSH-ja do të përgatisë studim fizibiliteti për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren. Po ashtu, me mjete kreditore parahihet edhe ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë (kufiri me Kosovën), përmirësimi i infrastrukturës rrugore të komunave në Republikën e Maqedonisë së Veriut përmes Projektit për lidhjen e rrugëve lokale.
Në fushën e infrastrukturës hekurudhore është planifikuar financimi i tri fazave të ndërtimit dhe rehabilitimit të pjesës lindore të linjës hekurudhore – Korridori VIII, si dhe Projekti lidhur me ndërtimin e linjës hekurudhore Kërçovë – kufiri me Shqipërinë. Planifikohet edhe ndërtimi i vendkalimit kufitar me përmbajtje shoqëruese “Tabanovce”, ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë.
Në fushën e gazifikimit, parashihet ndërtimi i gazsjellësve kryesorë pjesa Shkup-Tetovë, Gostivar – Kërçovë dhe pjesa Shën Nikollë – Veles, ndërtimi i gazsjellësit interkonektiv ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, ndërtimi i gazsjellësit interkonektiv ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë, si dhe ndërtimi i gazsjellësit interkonektiv ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë.
Ministri Besimi theksoi se janë planifikuar disa projekte të mëdha kapitale në mbrojtjen e mjedisit jetësor, shëndetësisë dhe arsimit.
Deficiti dhe pagesa e borxhit të jashtëm dhe borxhit të brendshëm që është në vlerë prej 11.8 miliardë denarë ose gjithsej 45 miliardë denarë do të financohet përmes huamarrjes në tregun ndërkombëtar dhe atë vendor. Duke pasur parasysh situatat aktuale ekonomike dhe të politikës së jashtme, këtë vit fokus më i madh do të jetë financimi nga tregjet ndërkombëtare. Ky përcaktim do të mundësojë që më shumë para nga sektori bankar vendor të shfrytëzohen në ekonominë e Maqedonisë dhe gjithashtu, përmes burimeve të jashtme të financimit do të rriten rezervat devizore të shtetit.
Rritja ekonomike për këtë vit projektohet në 3.2%, sipas projeksionit të FMN-së, ndërsa norma e inflacionit në vitin 2022 projektohet në 7.2%. Rritja e numrit të të punësuarve projektohet në 1.6%, ku do të kontribuojë që norma mesatare e punësimit të rritet në 47.9%, ndërsa shkalla e papunësisë të ulet në 14.5%. Paga mesatare neto pritet që të rritet me shpejtësi me projeksion prej 11% për vitin 2022.