Кumtesa|

  • Nënkryetarja e BEI Liljana Pavllova dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski inaguruan zyrtarisht përfaqësinë e BIE në Maqedoninë e Veriut
  • Përfaqësia e re BEI-së në Shkup do të përmirësojë më tej përkrahjen këshilluese dhe financiare në kuadër të BEI-së në nivel global për vendin dhe në këtë mënyrë do të përmirësojë më tej rritjen e qëndrueshme dhe rritjen e punësimit.
  • Deri më sot, Grupacioni BEI ka investuar 1.1 miliardë euro në zhvillimin ekonomik dhe social të Maqedonisë së Veriut

 

30 maj 2022, Shkup – Banka Evropiane për Investime (BEI), banka e Bashkimit Evropian, sot zyrtarisht inaguroi përfaqësinë e saj në Shkup në kuadër të hapësirave të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me këtë hap, Banka e BE-së konfirmon përkrahjen e saj për rritjen e qëndrueshme dhe tranzicionin e gjelbër të vendit. Përfaqësia e re e sapocaktuar do të nxisë përkrahjen teknike dhe financiare për investimet private dhe publike në vend.

Hapja e përfaqësisë së BEI-së në Shkup është në përputhje me politikën e BEI-së për vendosjen e tyre në disa vende jashtë BE-së. Kjo arritje do i ndihmojë Bankës së BE-së që t’i perceptojë më mirë nevojat rajonale të financimit, të identifikojë më shumë projekte të reja dhe të krijojë lidhje më të ngushta me organet shtetërore dhe anksionerët e tjerë. Deri më sot, zyrat e themeluara të BEI-së në 23 vende anëtare të BE-së dhe 30 vende jashtë BE-së avancojnë dialogun e biznesit dhe politikave.

Në ceremoninë me rastin e hapjes së përfaqësisë, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe nënkryetares së BEI-së, Liljana Pavllova, iu bashkuan ministri i Financave, Fatmir Besimi, shefi i Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, ambasadori David Geer dhe përfaqësues të tjerë të lartë të komunitetit të biznesit dhe atij bankar dhe partnerët financiarë ndërkombëtarë.

Liljana Pavllova, nënkryetare e BEI-së, përgjegjëse për operacionet në Maqedoninë e Veriut, deklaroi:

“Hapja e përfaqësisë së BEI-së në Maqedoninë e Veriut është një sinjal i qartë i përkushtimit tonë të thellë për prosperitetin e vendit, si dhe integrimin e tij në rajon dhe në BE. Zgjerimi i përfshirjes sonë në vend vjen në kohë të duhur, kur të gjithë ne ballafaqohemi me sfida komplekse klimatike, energjetike dhe sociale që kërkojnë qasje dhe model të ri partneriteti nën udhëheqjen e Team Europe.

Si partner i dëshmuar dhe i besuar i vendit, zyra jonë e re do i ndihmojë BEI-së që të rrisë përkrahjen e saj për tranzicionin energjetik, mbrojtjen e mjedisit jetësor, transportin e qëndrueshëm, zhvillimin ekonomik lokal si dhe sektorin privat. Kjo do të inkurajojë bashkëpunimin tonë me Komisionin Evropian dhe partnerët lokalë për sigurimin e përkrahjes akoma më të determinuar për projektet kyçe të përfshira në Planin ekonomik dhe të investimeve dhe në nismën Porta globale e Komisionit.”

Përfaqësia e re e BEI-së në Shkup do t’i mundësojë Bankës së BE-së që të rrisë akoma më shumë kapacitetin e saj operativ në filialin e saj të ri “BEI Global” dhe të zhvillojë marrëdhënie më të ngushta me organet shtetërore, promotorët e projekteve, organizatat lokale dhe institucionet financiare. Gjithashtu, Banka e BE-së shpreson se do t’i përshpejtojë nismat e reja dhe të përforcojë identifikimin, përgatitjen dhe financimin e projekteve, si dhe realizimin e tyre në përputhje me praktikat më të mira. Banka do të vazhdojë ta përkrahë sektorin publik dhe do të donte të rriste përkrahjen për sektorin privat të vendit.

Përfaqësues i emëruar i BEI-së në Maqedoninë e Veriut është z. Bjorn Gabriel, i cili është pjesë e BEI-së tashmë 14 vite. Deri vonë, ai udhëhiqte ekipin e Politikave dhe operacioneve në përfaqësinë e Grupacionit BEI për Bashkimin Evropian në Bruksel, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet e BE-së, vendet anëtare dhe grupet e ekspertëve, për të ndihmuar në përcaktimin e kontributit të bankës në politikat kyçe dhe iniciativat e BE-së në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe politikën e zgjerimit.

BEI në nivel global do të bëjë gjithçka që të tregojë se përkrahja këshilluese dhe financiare e BEI-së në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe partnerët tanë financiarë, do të përshpejtojë rritjen, sigurojë prosperitet për zonat rurale, mundësojë transformim të qëndrueshëm në vend dhe përforëcojë ekonominë lokale.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski theksoi se hapja e përfaqësisë së BEI-së në vend është porosi e fuqishme dhe mirënjohje për Republikën e Maqedonisë së Veriut, që angazhimet tona t’i vendosim në kulmin e prioriteteve tona sa i përket tranzicionit energjetik, mbrojtjes së mjedisit jetësor, transportit të qëndrueshëm, zhvillimit ekonomik lokal dhe sektorit privat.

“Në periudhën prej vitit 1991 deri më tani, Banka Evropiane e Investimeve ka siguruar financa në vlerë prej një miliard eurove për përkrahje të zhvillimit socio-ekonomik në procesin e anëtarsimit të vendit tonë në BE, duke financuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projektet në fushën e transportit, energjetikës, si dhe projektet infrastrukturore komunale. Aktualisht, me buxhet prej 246.9 milionë eurove, dedikuar për bashkëfinancim të projekteve në sektorin privat, në vazhdim zbatohen projektet për furnizim me ujë dhe largim të ujërave të zeza në komunat, projekti për financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe ndërmarrjeve të mesme me kapitalizim të tregut, projekti “Interkonektori i gazit natyror Greqi – Maqedoni e Veriut, pjesa e Maqedonisë së Veriut” dhe projekti për Stacionin filtrues të ujërave të zeza në Shkup” theksoi kryeministri Kovaçevski.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi theksoi se hapja e kësaj zyre të BEI-së është dëshmi për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet BE-së dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit tonë në BE.

“Pjesa lindore e Korridorit VIII të linjës hekurudhore, aksi i fundit Kriva Pallankë – Kufiri me Bullgarinë; projekti “Interkorektori për përçimin e gazit natyror Greqi – Maqedonia e Veriut, në pjesën e Maqedonisë së Veriut, ku në bazë të të cilit tashmë i nënshkruam dokumentet e nevojshme juridike me BEI-në, si dhe vazhdimësia sa i përket përkrahjes financiare me qëllim të financimit të ndërmarrjeve të vogla dhe mesme me linjë të re kreditore, janë disa nga projektet që do të realizohen përmes përkrahjes së Bankës Evropiane të Investimeve. E vlerësojmë sinqerisht vendimin e BEI-së për hapjen e zyrës në Shkup, duke e përkrahur Qeverinë në avancimin e procesit të zbatimit të Planit të investimeve ekonomike”, deklaroi ministri Besimi.

Shefi i delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, David Geer, deklaroi se: Hapja e zyrës së re të BEI-së në Shkup, ofron një mundësi të shkëlqyer lidhur me përforcimin e përkrahjes sonë ndaj Maqedonisë së Veriut. Përmes punës së përbashkët në terren si Ekipi i Evropës (TeamEurope)– BE-ja, vendet anëtere të BE-së dhe BEI si institucioni më i rëndësishëm financiar – mund të vazhdojë të japë kontribut real në vend, duke e përforcuar ekonominë, duke krijuar vende të punës dhe duke bërë ndryshime reale në jetën e qytetarëve.”

Si partner shumëvjeçar i Maqedonisë së Veriut, që nga fillimi i punës sonë në këtë vend në vitin 1977, BEI investoi 1.1 miliardë euro duke përkrahur zhvillimin e infrastrukturës vitale dhe ndërmarrjeve të mesme dhe vogla (NMV). Nga viti 2009, BEI siguroi 635 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut, duke ruajtur pothuajse 100.000 vende të punës.

Në periudhën e njëjtë, Banka e BE-së destinoi 277 milionë euro për ndërtimin rrjetit modern të transportit në Maqedoninë e Veriut duke kontribuar në sigurinë e rrugëve, shkurtimin e kohëzgjatjes së udhëtimit dhe kohezionin rajonal.

Sa i përket infrastrukturës së ujërave dhe ujërave të zeza, BEI deri më tani investoi 128 milionë euro, që ndihmon në përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe qasjes lidhur me shërbimet sanitare për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, njëherazi në uljen e nivelit të ndotjes së ujit. BEI financon ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza në Shkup, respektivisht projektin më të madh të mjedisit jetësor.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *