31 maj 2022, Shkup – Sfida në periudhë afatshkurtër është që të arrihet ekuilibër midis mbështetjes fiskale për qytetarët dhe kompanitë dhe ruajtjes së borxhit publik në nivel stabil. Në periudhë afatgjate nevojitet që të zbatohet procesi i konsolidimit fiskal, por njëkohësisht të punohet për përshpejtimin e rritjes përmes investimeve në infrastrukturë, reformave strukturore si dixhitalizimi, kapitali njerëzor dhe tranzicioni i gjelbër.
Këto janë shkurtimisht konkluzionet sa i përket Forumit ekonomik dhe financiar, Shkup – SEFF nga ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe ish ministrat e Financave: Xhevdet Hajredini, Taki Fiti, Nikolla Popovski, Trajko Sllaveski, Zoran Stavreski, Kirill Minoski, Dragan Tevdovski dhe Nina Angellovska.
Ministri i Financave Besimi theksoi se edhe pse kriza ishte një sfidë e vërtetë, krahas politikave aktuale për përballimin e krizës, duhet parë edhe aspekti afatgjatë, në drejtim të asaj se si të arrihet rritje më e lartë dhe e qëndrueshme afatgjate. Kjo parashihet në Planin për rimëkëmbje dhe rritje të përshpejtuar ekonomike, ku krahas konsolidimit fiskal parashihet axhenda që përfshin investime ambicioze infrastrukturore, investime në kapitalin njerëzor, dixhitalizim dhe energji të qëndrueshme të gjelbër si dhe rritje të gjelbër.
Njëri nga ministrat e parë të Financave, Hajredini, theksoi rëndësinë e investimit në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe theksoi se nevojitet të investohet në kapacitetet energjetike, diçka që nuk është bërë me dekada dhe për shkak të së cilës janë edhe pasojat e krizës energjetike në vend të cilat janë ndjerë tejmase.
Fiti dhe Minovski theksuan se investimi në kapital njerëzor dhe arsim mund të kontribuojë dukshëm në strukturën më të mirë të ekonomisë. Fiti theksoi se duhet të gjenerojmë njerëz me njohuri dhe aftësi adekuate sa i përket kërkesave të tregut të punës, por njëkohësisht duhet të sigurojmë shfrytëzim më të mirë të burimeve njerëzore në të treja nivelet. Sllaveski theksoi se duhet të punohet në drejtim të një modeli të qëndrueshëm ekonomik, me mbështetje të ndërmarrjeve të eksportit me ç’rast do të jepen rezultate.
Popovski dhe Stavreski diskutuan lidhur me inflacionin, efektet e tij dhe çfarë duhet të ndërmerret nga politika fiskale. Stavreski theksoi se në periudhë inflacioni të lartë, politika monetare ngushtohet, por duke pasur parasysh se edhe aktiviteti ekonomik ngadalësohet, me ç’rast duhet që të ndiqet politikë ekspansive fiskale, megjithatë – sa ekspansive duhet të merret parasysh edhe stabiliteti i borxhit publik. Sipas kësaj, duhet impenjim për kursimet që mund të bëhen.
Ky ishte këndvështrimi i ish ministrit të Financave Tevdovski, i cili theksoi se është shumë e rëndësishme që të targetohen masat dhe të prioritizohen kostot.
Ish ministrja Angellovska theksoi se vendi ka arritur që ta përballojë me sukses një nga krizat më të mëdha ekonomike, siç është Covid-19, gjë që tregon se ekonomia jonë është rezistente dhe se mund të arrihet zhvillim.