13 qershor 2022, Shkup – Konsolidimi gradual fiskal, resprektivisht ulja e deficitit buxhetor është ajo për të cilën përpiqemi pavarësisht sfidave të shkaktuara nga krizat e reja ekonomike botërore. Deficiti buxhetor i parashikuar me rishikimin është më i ulët krahasuar me dy vitet paraprake, ndërsa strategjia fiskale parasheh uljen graduale të deficitit në 2.8% në vitin 2027, përkatësisht nën kriteret e Mastrihtit. Ministri i Financave, Fatmir Besimi, në debatin parlamentar për rishikimin e Buxhetit për vitin 2022, theksoi se Qeveria vijon me axhendën afatmesme për uljen e diferencës ndërmjet shpenzimeve dhe të hyrave të buxhetit, pa ndikuar negativisht në rritjen.
– Me strategjinë fiskale të periudhës 2023-2027 parashihet konsolidim fiskal gradual me etapa, me ulje të deficitit buxhetor si pjesmarrje procentuale në PBB prej: 4.2% në vitin 2023, 3.6% në vitin 2024, 3.2% në vitin 2025, 3.0% në vitin 2026% dhe 2.8% në vitin 2027. Në periudhë afatmesme, pavarësisht rreziqeve dhe pasigurive aktuale, politika fiskale do të vazhdojë drejt konsolidimit dhe ristrukturimit të mëtejshëm të shpenzimeve publike me ulje graduale të deficitit buxhetor dhe borxhit publik, stimulimit të aktivitetit ekonomik përmes shpenzimeve kapitale dhe investimeve në infrastrukturë, si dhe përmirësimit të kushteve për të bërë biznes dhe krijimit të vendeve të reja të punës – theksoi Besimi.
Deficiti i projektuar për vitin 2022, pagesa në bazë të kryegjësë së borxhit të jashtëm në vlerë prej 6.23 miliardë denarë dhe pagesa e borxhit të brendshëm në vlerë prej 5.54 miliardë denarë do të financohen me huamarrje në tregun ndërkombëtar dhe vendor, duke pasur parasysh situatat aktuale ekonomike dhe të politikës së jashtme, me ç’rast këtë vit fokus më i madh do të jetë financimi nga tregjet ndërkombëtare. Ky përcaktim do të mundësojë që më shumë para nga sektori bankar vendas të shfrytëzohen në ekonominë e Maqedonisë, si dhe përmes burimeve të jashtme të financimit do të rriten rezervat devizore të shtetit.