11 korrik 2022, Shkup – Implementimi i masave antikrizës do t’i ndjekë trendet ekonomike, ku pjesa më e madhe e tyre, pritet të jetë aktive në tremujorin e katërt të vitit. Do të ketë masa për qytetarët, kompanitë dhe përkrahje për stabilizimin e çmimit të ushqimeve. Njëkohësisht, përmes politikës prudente do të ruhet hapësira fiskale, si dhe do të sigurohet në mënyrë esenciale ruajtja e stabilitetit makroekonomik, shkruan ministri i Financave, Fatmir Besimi në kolumnën e tij.
“Me rishikimin e buxhetit janë siguruar edhe 19 miliardë denarë shtesë për disa kategori dhe qëllime, për absorbimin e një pjese të efekteve të krizës. Rreth një e katërta e këtyre mjeteve janë rezervë për masa. Përveç kësaj, janë siguruar mjete shtesë për bujqit për nxitjen e prodhimit vendas dhe kështu edhe ndikim të favorshëm në çmimet e ushqimeve. Për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve, parashihen mjete shtesë për përkrahje për përballimin e goditjeve të çmimeve, si dhe parashihen mjete edhe për rritjen e pensioneve – në mënyrë sistemike, sipas rritjes së pagave dhe kostove të jetesës. Në rishikimin ka mjete shtesë edhe për kompanitë për subvencionimin e rritjes së pagave, si dhe programe për përkrahjen e investimeve”, shkruan ministri i Financave.
Ministri Besimi thekson gjithashtu, se përveç buxhetit si përkrahje për qytetarët dhe ekonominë nga kriza energjetike dhe inflacioni janë edhe huatë e favorshme nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej 100 milionë eurove për likuiditetin e EMV-së, me qëllim të absorbimit të goditjes së çmimeve në tregun e rregulluar, resprektivisht subvencionohen faturat e energjisë elektrike të amvisërive. Gjithashtu, në dispozicion janë edhe mjete financiare nga Banka Evropiane e Investimeve në vlerë prej 100 milionë eurove për përkrahje të ekonomisë përmes kredive të favorshme dhe pa interes, të cilat përmes modelit të Planit të rritjes së përshpejtuar do të përfshihen edhe bankat komerciale me 100-200 milionë euro shtesë.
Gjithashtu, këtu janë edhe masat ekzistuese që janë llogaritur në rishikim, si ulja e TVSH-së për energji elektrike për amvisëri, kthimi i 2.2 miliardë denarëve në drejtim të qytetarëve përmes projektit TVSH-ja ime dhe masat e tjera të përcaktuara sistemike që ndihmojnë kategoritë e ndjeshme gjatë krizës si të ardhurat minimale të garantuara dhe masa të tjera aktive në tregun e punës, si dhe metodologjia e re që mundëson rregullimin e vazhdueshëm të pensioneve dhe pagës minimale me inflacion dhe rritje për mbrojtjen e standardit të tyre të jetesës dhe integritetit.
Besimi theksoi se pavarësisht nga kriza, ruhet komponenti i lartë zhvillimor i buxhetit me 32.1 miliardë denarë investime kapitale, të cilat edhe përkundër korrigjimit në rënie me rishikimin, janë në nivelin më të lartë historik deri më tani.