Кumtesa|

20 korrik 2022, Shkup – Sot, ne ishim dëshmitarë se BE-ja bëhet realitet dhe çdo ditë jemi më afër familjes së BE-së. Sot fillojmë një projekt të ri që lidhet direkt me përkrahjen nga BE-ja, me grant evropian nga programi për Ballkanin Perëndimor. Këto projekte mundësojnë lidhjen me vendet fqinje, nga njëra anë me Bullgarinë dhe nga ana tjetër me Shqipërinë, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi në fjalimin e tij në konferencën për shtyp me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve për ndërtimin e fazës së parë dhe të dytë të projektit për lidhjen hekurudhore me Republikën e Bullgarisë në Korridorin 8 dhe rehabilitimin e një pjese të linjës hekurudhore të Korridorit 10.

“Zhvillimi i vendit tonë lidhet me infrastrukturën përgjatë Korridorit 8 dhe Korridorit 10, si projekte kryesore infrastrukturore që e bëjnë vendin tonë udhëkryq të këtyre korridoreve evropiane. Kjo do të thotë – PBB më të lartë, të ardhme më të mirë, zhvillim më të madh të turizmit dhe cilësi më të mirë jetese si dhe më pak ndotje”, theksoi Besimi.

Me këtë, siç shton ministri Besimi, konfirmohet se pjesa e borxhit publik që financohet me kredi, siç janë kreditë e favorshme nga BERZH-i dhe granti nga BE-ja, “na ofrohet mundësia që të realizojmë projekte të tilla që kanë rëndësi të jashtëzakonshme ekonomike dhe politike në këtë periudhë”.

Ministri Besimi theksoi se me rishikimin e Buxhetit janë paraparë 520 milionë euro për shpenzime kapitale, që është 11% nga shpenzimet e përgjithshme në Buxhet.

“Ky është niveli më i lartë historik si strukturë e anës së shpenzimeve të Buxhetit, por edhe në vlerë nominale është në nivel më të lartë historik në periudhë kur që nga viti 2020 përballemi me kriza të njëpasnjëshme. Dhe tani, në kulmin e krizës energjetike dhe të inflacionit, vazhdojmë me realizimin e këtyre projekteve”, thekson Besimi.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window