Buxheti për vitin 2023 do jetë në drejtim të menaxhimit të krizës energjetike dhe krijimit të politikave që do t’i mundësojnë ekonomisë sonë të bëhet e qëndrueshme, moderne dhe më e fuqishme se paraprakisht. Gjithashtu, është veçanërisht e rëndësishme edhe udhëheqja e politikave prudente të brendshme dhe sigurimi i kushteve më të pranueshme për financimin e nevojave të vendit. Në fokus do të jetë edhe lufta kundër ekonomisë gri në rrethanat e reja të krijuara nga kriza globale. Kjo u theksua nga zëvendësministri i Financave, Filip Nikolloski, gjatë panelit të diskutimit në kuadër të Samitit të ministrave të Financave, guvernatorëve të bankave qendrore dhe drejtorëve të drejtorive tatimore, që mbahet në Mal të Zi dhe organizohet nga Lidhja e Ekonomistëve të Serbisë. Samiti këtë vit mbahet për të nëntën herë radhazi me titullin “Stabiliteti financiar dhe monetar i rajonit në kushtet e rreziqeve të theksuara gjeopolitike”.
“Me buxhetin për vitin e ardhshëm, do të sigurohen mjete financiare për përballimin e krizës energjetike, për investime kapitale sa i përket nxitjes së rritjes ekonomike, si dhe për subvencione në sektorin e bujqësisë me qëllim të nxitjes së prodhimit vendas dhe efektit pozitiv të pritur mbi çmimet e ushqimeve.
Deficiti buxhetor do të jetë më i ulët se ai i vit aktual dhe në të njëjtën kohë, sipas Ligjit të Buxheteve, do të themelohet Këshilli Fiskal që duhet të sigurojë analiza dhe mendime të pavarura dhe profesionale për supozimet makroekonomike dhe ato fiskale, strategjinë fiskale, buxhetin, si dhe për rreziqet fiskale” theksoi zëvendësministri Nikolloski, në panelin e diskutimit me temë “Stabiliteti i financave publike në kohëra jostabile”.
Lidhur me financimin e deficitit buxhetor në kushte të rritjes së normës së interesit të instrumenteve financiare në mbarë botën, Nikolloski theksoi se po ndiqen politika prudente të brendshme, duke siguruar kushte më të pranueshme për financimin e nevojave të vendit. Njëkohësisht, u miratua vendimi për emetimin e letrave me vlerë në tregun e Gjermanisë, gjegjësisht fletobligacionin NSV në vlerë prej 250 milionë eurove, me normë interesi prej 3.75%, me EURIBOR 6 mujor plus, me afat pagese – 3 vjet dhe me grejs periudhë – 18 muaj.
“Instrumenti me të cilin vendi ynë merr hua, ka vlerë më të ulët sesa vlera që do të arrihej me emetimin eventual të euroobligacionit të ri, me ç’rast ky instrument me normën e tij të interesit dhe afatin e maturimit është opsioni më i mirë për portofolin e borxhit publik.
Këtë instrument, zakonisht e emetojnë klientët me cilësi të lartë të vlerësimit kreditor investues stabil, ndërsa letrat me vlerë blihen nga investitorët e Gjermanisë”, deklaroi Nikolloski dhe shtoi se deri në fundvit për financimin e deficitit buxhetor të projektuar, planifikohet sigurimi i mjeteve nga tregu vendas dhe FMN-ja në përputhje me Rishikimin e Buxhetit të vitit 2022.
Në panelin e diskutimit, së bashku me zëvendësministrin e Financave, për temat lidhur me financat publike, folën edhe ministri i Financave i Malit të Zi, Aleksandar Damjanoviq dhe ministrja e Financave të Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, si dhe zëvendësministrja e Financave të BeH-së, Marjana Vuçiq dhe përfaqësuesja rajonale e Zyrës së FMN-së për Ballkanin Përendimor, Stephanie Eble.