7 dhjetor 2022, Shkup – Qeveria mbetet në përcaktimin për krijimin e sistemit të drejtë tatimor. Kjo, ndër të tjera, do të arrihet përmes modelit të ri të progresit ku do të punohet në periudhën e ardhshme.
Këtë e theksoi zëvendësministri i Financave, Filip Nikolloski, në intervistën për BloombergAdria, ku foli për reformën tatimore dhe konceptin e ri që ishte temë e debatit me palët e involvuara gjatë muajve të fundit dhe duhet të vendoset me faza nga viti 2023.
“Koncepti i ri i reformës tatimore duhet të sjellë drejtësi, efikasitet, efektivitet dhe transparencë. Kjo erdhi si rezultat i debatit, me ç’rast në këtë drejtim është edhe shfuqizimi i modelit ekzistues së tatimimit progresiv, për të cilin edhe analizat kanë treguar se nuk ofron rezultate reale dhe nuk është model i drejtë. Ne e shfuqizuamë atë, por nuk heqim dorë nga progresi.
Jemi duke punuar në modelin e ri që do të synojë të përfshijë të gjitha të ardhurat në një amvisëri”,theksoi zëvendësministri i Financave dhe sqaroi se me modelin ekzistues nëse në një familje katër anëtarëshe ka vetëm një të punësuar me të ardhura prej 100.000 denarë ai do të tatimohet me normën e dytë, ndërsa në një familje tjetër katër anëtarëshe ku të gjithë kanë të ardhura individuale nga 80 mijë denarë, ata nuk do të paguajnë tatim shtesë.
Sa i përket nismës për vendosjen e tatimit mbi fitimin ekstra, ai tha se vendosja e tatimit të tillë në kohë krize nuk është risi dhe se tatim të tillë tashmë kanë vendosur edhe vendet e tjera.
“Në kohë krize, kompani të caktuara nga industri të ndryshme si rezultat i inflacionit, rritjes së çmimeve, kanë pasur fitim ekstra, me ç’rast shqyrtohet vendosja e tatimit mbi fitimin ekstra me karakter të përkohshëm. Kjo nuk është risi, një tatim të tillë ka vendosur Kroacia dhe disa vende të tjera”, theksoi zëvendësministri i Financave, Filip Nikolloski në intervistë.