28 dhjetor 2022, Shkup – Mbrojtja më e madhe e qytetarëve që shfrytëzojnë shërbimet e shoqërive financiare dhe rritja e besimit në shoqëritë financiare janë pjesë e qëllimeve të ndryshimeve në Ligjin e Shoqërive Financiare, të hartuara nga Ministria e Financave dhe të miratuara nga Qeveria në mbledhjen e fundit.
Me ndryshimet në Ligjin e Shoqërive Financiare në drejtim të mbrojtjes së konsumatorëve, të cilët janë shfrytëzues të shërbimeve të këtyre shoqërive, përcaktohet vlera maksimale e të gjitha kostove që lidhen me kredinë, hiqet mundësia e marrjes së kredisë për mbylljen e kredisë së maturuar paraprake në të njëjtën shoqëri financiare, ndërsa hiqet mundësia për shoqëritë tregtaretë të cilët posedojnë leje ose licencë në përputhje me Ligjin e Lojërave të Fatit dhe Lojërave Argëtuese që të jenë ndërmjetësues kredie të ndonjë shoqërie financiare, përkatësisht të ofrojnë produkte kreditore.
Ndryshimet e propozuara parashikojnë që shoqëria financiare nuk mund të lidhë marrëveshje për kredi konsumatore, nëse kostot që nuk përfshihen në normën vjetore të kostove totale kalojnë 60% të vlerës së kredisë së aprovuar.
Kompensimet i referohen të gjitha kostove që paguan konsumatori ose ka detyrimin të paguajë ato gjatë gjithë periudhës së vlefshmërisë së marrëveshjes, të cilat rrjedhin ose në çfarëdo mënyre ndërlidhen me marrëveshjen për kredi konsumatore ose shërbime lidhur me to. Përjashtim nga kjo janë kostot e bëra në procedurat përmbaruese dhe interesi ligjor ndëshkues.
Shoqëria financiare do të ketë detyrimin që në mënyrë transparente dhe publike ta publikojë tariforen me kompensimet në faqen e saj të internetit ose ta vendosë në vend të dukshëm në ambientet e saj të punës.
Me ligjin e ri të propozuar, shoqëritë financiare do të duhet të krijojnë sistem të menaxhimit me rrezikun kreditor, që i referohet humbjes së shoqërisë financiare për shkak të pamundësisë që klienti t’i shlyejë detyrimet e tij në vlerën e dakorduara ose afatet përkatëse.
Me këtë ligj, përforcohet edhe mbikëqyrja mbi punën e shoqërive financiare, sipas shembullit të rregullatorëve të tjerë (si p.sh., Banka Popullore dhe Komisioni i Letrave me Vlerë), ndërsa do të hartohet dhe miratohet edhe rregullore e veçantë. Gjithashtu, parashihen edhe gjoba në vlerë prej 8.000 deri në 10.000 euro për mosrespektimin e dispozitave ligjore.
Gjithashtu, ndryshimet janë në drejtim të përforcimit të kornizës rregullatore për punën e shoqërive financiare në tregun e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim që shoqëritë financiare të jenë institucione serioze financiare duke ofruar alternativën e punës së bankave dhe të mos jenë vetëm shoqëri që ofrojnë kredi afatshkurtër për popullsinë.
Në këtë drejtim, ndryshimet më të konsiderueshme janë rritja e vlerës së kryegjësë themelore për themelimin e shoqërisë financiare nga 100.000 euro në 500.000 euro, me ç’rast ajo nuk mund të sigurohet me hua ose kredi, duhet të ketë të së paku dy të punësuar, udhëheqësi duhet të jetë i punësuar në shoqërinë financiare dhe të posedojë reputacion. Ndryshimet ligjore përcaktojnë që nëse shoqërisë financiare në afat prej një viti i shqiptohen dy masa, përkatësisht gjobë apo ndalim i përkohshëm për kryerjen e veprimtarisë, atëherë asaj do t’i merret licenca.
Me ndryshimet ligjore, rirrgullohet edhe aktiviteti financiar – faktoringu (faktorizimi).
Ndryshimet në ligj janë si rezultat i nevojës për t’i përforcuar standardet dhe kërkesat rregullatore që duhet t’i plotësojnë shoqëritë financiare, ku numri i tyre shënoi rritje të konsiderueshme, ndërsa shënoi rritje edhe numri i shfrytëzuesve të kredive konsumatore që ata i ofrojnë.