25 shkurt 2023, Shkup – Republika e Maqedonisë së Veriut shënoi 30 vjetorin e anëtarësimit në Grupacionin e Bankës Botërore. Sot, 30 vjet më parë, vendi iu bashkua këtij institucioni kryesues financiar botëror që ndihmon vendet në luftën kundër varfërisë dhe në përmirësimin e standardit të jetesës të njerëzve në vendet në zhvillim.
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, shprehu mirënjohje për përkrahjen e Bankës Botërore, duke theksuar se bashkëpunimi do të vijojë të avancohet sepse ky institucion financiar botëror ofron kontribut domethënës në rikrijimin dhe zhvillimin e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut.
“Banka Botërore për 30 vite e përkrah zhvillimin dhe progresin e vendit tonë, ky institucion financiar ofron kontribut domethënës në përmirësimin e kushteve shoqërore në Maqedoninë e Veriut. Për këto 30 vite, pikërisht përmes Bankës Botërore janë realizuar projekte investuese në vlerë rreth tre miliardë dollarë. Anëtarësimi ynë dhe para se gjithash, partneriteti shumëvjeçar me Bankën Botërore, rezultoi me realizimin e projekteve të mëdha në pjesën e infrastrukturës rrugore, ndërtimin e kopshteve dhe shkollave, si dhe projekteve të tjera të cilat në mënyrë direkte ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve tanë dhe ekonomisë. Krahas përkrahjes nëpërmjet projekteve, për ne si vend, me rëndësi të veçantë janë përkrahja këshillëdhënëse mbi politikat, ndihma teknike dhe shkëmbimi i përvojave që i ofron Banka Botërore, që paraqesin kontribut domethënës në krijimin e politikave sociale dhe ekonomike, ndërsa janë në drejtim të zhvillimit ekonomik të shtetit dhe përmirësimit të standardit të jetesës”, theksoi Kovaçevski.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi shprehu mirënjohje për Bankën Botërore për vijimësinë e partneritetit të këtillë dhe për rezultatet që arrihen në zhvillimin e vendit, si dhe shprehu kënaqësinë që bashkëpunimi i këtillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për anëtarësim, por janë 30 vite partneritet”. Banka Botërore u tregua si një partner jashtëzakonisht lojal dhe i përkushtuar, i cili ka dhënë kontribut të veçantë në reformimin dhe modernizimin e të gjitha segmenteve të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, përmes projekteve investuese, numri i të cilave është afër 100, me vlerë afërsisht 3 miliardë dollarë”, pohoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, i cili përfaqëson Republikën e Maqedonisë së Veriut në Bordin e Guvernatorëve të Bankës Botërore.
“Gjatë kësaj periudhë prej 30 viteve, Banka Botërore u bë partner i Maqedonisë së Veriut, e cila me përkushtim e përkrah vendin në përpjekjet e tij për të përmirësuar standardin e jetesës, kapitalin njerëzor, si dhe për të përmirësuar mirëqenien e vendit. Bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim të përmirësimit në mënyrë të konsiderueshme të jetesës së qytetarëve” theksoi drejtori i Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, Massimiliano Paolucci.
Me Bankën Botërore, punojmë në përmirësimin dhe zgjerimin e rrugëve, lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, lidhjen e rrugëve lokale, modernizimin e bujqësisë, përmirësimin e shërbimeve sociale, përmirësimin e arsimit fillor, përmirësimin e efikasitetit energjetik në sektorin publik, krijimin e institucioneve efektive, transparente dhe llogaridhënëse për menaxhimin me financat publike, etj.
Republika e Maqedonisë së Veriut prej vitit 1993 është anëtare e Bankës Botërore, si dhe pjesë e Konstituencës Holandeze. Misioni i Bankës Botërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut fokusohet në nxitjen dhe përkrahjen e krijimit të vendeve të reja të punës, si dhe në përmirësimin e standardit të jetesës përmes zbatimit të projekteve dhe financimit të tyre, shërbimeve konsulente dhe hulumtimeve në drejtim të krijimit të kapaciteteve, zhvillimit të burimeve njerëzore dhe investimeve në infrastrukturë.
Ndihma nga Banka Botërore në vend është përcaktuar dhe zbatohet në përputhje me Strategjinë e Partneritetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bankën Botërore për periudhën 2019-2023. Qëllimet e përcaktuara në strategji janë përmirësimi i mjedisit për sektorin privat konkurrues; zgjerimi i aftësive dhe mundësive për kategoritë e ndjeshme; përmirësimi i qëndrueshmërisë dhe krijimi i rezistencës ndaj goditjeve.
Bashkëpunimi realizohet përmes projekteve në sektorin e ndihmës sociale, shëndetësisë, arsimit, përmirësimit të shkathtësive, mjedisit afarist, zhvillimit të sektorit financiar etj.