22 mars 2023, Shkup – Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut siguroi 70 milionë euro grant nga BE-ja lidhur me financimin e projektit për ndërtimin e Impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në qytetin e Shkupit. Marrëveshja e grantit, e cila sigurohet nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), u nënshkrua sot nga ministri i Financave, Fatmir Besimi, ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova dhe nënkryetarja e BEI-së, Liljana Pavlova. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes morën pjesë edhe: zëvendëskryeministri i Çështjeve Evropiane, Bojan Mariçiq dhe euroambasadori David Geer.
Këto mjete janë si shtesë e mjeteve financiare tashmë të siguruara për realizimin e këtij projekti nga BEI-ja në vlerë prej 68 milionë eurove dhe 58 milionë eurove nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Konstruksioni i përgjithshëm financiar për realizimin e këtij projekti, realizimi i të cilit është nën përgjegjësinë e Qytetit të Shkupit dhe NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” është 197.2 milionë euro.
Sipas zëvendëskryerministrit Mariçiq, me këtë projekt konfirmohet se integrimi evropian është formula më e mirë sa i përket zhvillimit të mëtejshëm të RMV-së.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk paraqet vetëm plotësim të kritereve të përfshira në klasterët negociues, por edhe harmonizim me legjislacionin e BE-së. Negociatat me BE-në kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve tanë” theksoi Mariçiq, duke shtuar se me këtë projekt jepet kontribut i rëndësishëm lidhur me përmirësimin e mjedisit urban të qytetit të Shkupit, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për trajtimin e ujërave të zeza, si dhe plotësimin e standardeve evropiane.
Mariçiq potencoi se me këto lloj projektesh, e sjellim Evropën në shtëpi, i përvetësojmë standardet dhe mënyrën e jetesës së Bashkimit Evropian në vendin tonë dhe në kryeqytet.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, potencoi se me marrëveshjen që sot e nënshkruajmë, RMV-ja është një hap më afër në arritjen e perspektivës së BE-së dhe anëtarësimin në familjen evropiane.
“Republika e Maqedonisë së Veriut i ka filluar negociatat me BE-në, me ç’rast aktivitetet në këtë drejtim po marrin një hov të përshpejtuar. Paralelisht me këtë, reformat për ta sjellë Evropën në shtëpi për zbatimin e standardeve evropiane në jetën e përditshme, po zhvillohen me shpejtësi. Krahas aktiviteteve për respektimin e legjislacionit evropian, që është pjesë e këtij procesi, në mënyrë aktive po punohet në projekte të rëndësishme infrastrukturore që do të kontribuojnë në zhvillimin dhe rritjen e përgjithshme të ekonomisë. Projektet e përcaktuara strategjike janë identifikuar nga BE-ja, për të cilat RMV-ja deri më tani ka marrë grante në vlerë prej 462 milionë eurove për realizimin e 29 projekteve, të cilat kanë vlerë investimi prej 2.6 miliardë eurove”, nënvizoi ministri Besimi.
Ministrja Shukova thekson se me këtë marrëveshje, Qeveria e përmbyll konstruksionin financiar dhe mundëson fillimin e ndërtimit të Impiantit për trajtimin e ujërave të zeza për Qytetin e Shkupit. “Pas sigurimit të financave, tha ajo, Qytetit të Shkupit i mbetet si obligim që ta përfundojë procesin e eksproprijimit dhe së bashku me komunën e Gazi Babës ta kompletojnë dokumentacionin urbanistik dhe të planit, si dhe t’i nënshkruajnë marrëveshjet e ndërtimit dhe mbikëqyrjes nga drejtori i NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”.
Ky është një proces sfidues që kërkon koordinim të madh nga të gjitha palët e involvuara. Por, sigurisht që ne jemi të gatshëm ta pranojmë këtë sfidë. Ky projekt është mbi të gjitha interesat politike, si dhe domosdoshmëri nëse dëshirojmë të jemi pjesë e familjes evropiane”- theksoi ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova.
Euroambasadori Geer theksoi se rruga drejt BE-së paraqet proces të transformimit, por edhe të përmirësimit të standardeve të jetesës.
“Investimi i Ekipit të Evropës në Impiantin e trajtimit në Shkup është shembull praktik pikërisht për këtë aspekt. Ky impiant në mënyrë të sigurt do t’i të trajtojë dhe pastrojë ujërat e zeza të gjeneruara nga pothuajse një e treta e popullsisë në vend. Kështu, do të kontribuohet edhe në një të ardhme evropiane më të gjelbër të këtij vendi”, deklaroi euroambasadori Geer.
“Ne jemi jashtëzakonisht krenarë që kishim mundësinë të ofrojmë kësisoj përkrahjeje për Maqedoninë e Veriut në një kohë të krizës së prolonguar dhe të sfidave serioze. Nënshkrimi i këtij granti është tregues i fuqishëm i qasjes së Ekipit të Evropës dhe angazhimit të BE-së ndaj vendit tuaj në rrugën drejt integrimit evropian dhe atij rajonal, njëkohësisht, duke mundësuar në këtë mënyrë edhe standard më të mirë të jetesës për të gjithë.
Zbatimi i këtij projekti, pritet ta përmirësojë dukshëm mjedisin jetësor, si dhe priten përfitime shëndetësore dhe njëkohësisht do të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe arritjen e targeteve klimatike”, tha nënkryetarja e BEI-së, Liljana Pavlova, përgjegjëse për aktivitetet në Maqedoninë e Veriut.
Marrëveshja e nënshkruar sot është shtesë në portofolin e pasur të investimeve që janë realizuar me përkrahjen e BEI-së në vlerë prej 1.16 miliardë eurove. Vlera e investimeve është 277 milionë euro për ndërtimin e rrjetit modern të transportit në vend, 178 milionë euro për ujësjellës dhe kanalizime, qasje më të mirë në ujë të pijshëm, si dhe 64 milionë euro në energjetikë.
Aktualisht, në sektorin publik projektet financohen nga BEI-ja në vlerë prej 147 milionë eurove, ndërsa vlera e granteve investuese nga WBIF-ja të marra me përkrahje nga BEI-ja është 82.2 milionë euro. Realizimi i investimeve kapitale që do ta afrojnë Republikën e Maqedonisë së Veriut me BE-në janë ndër prioritetet kyçe, ndërsa me këtë konfirmohet vlera e planifikuar për projekte infrastrukturore në buxhet prej 800 milionë eurove.
Me nënshkrimin e Marrëveshjes së grantit të BE-së për Impiantin e trajtimit, sot shënohet Dita Botërore e Ujit.