Кumtesa|

11 prill 2023, New York – Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për 30 vjet. Në periudhën e kaluar ka kontribuar në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare dhe në ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Tani si  vend anëtar i NATO-s, vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në botë, ndërsa përcaktimi për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian e orienton atë për të siguruar zhvillim dhe prosperitet ekonomik.

Kjo u konstatua në takimet e ministrit të Financave, Fatmir Besimi në selinë e OKB-së, ku ka biseduar me zëvendëssekretaren e përgjithshme të OKB-së Amina Mohammed si dhe me drejtoreshën rajonale për Evropë dhe Azi Qendrore Ivana Zhivkoviq.

“Republika e Maqedonisë së Veriut u përkushtohet aktiviteteve që nënkuptojnë zhvillimin dhe prosperitetin e shtetit, duke pasur parasysh Qëllimet globale për zhvillim të qëndrueshëm, të përcaktuara nga OKB-ja. Së bashku me OKB-në, me të cilën kemi marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi dhe partneriteti, përgatitëm Strategji nacionale të zhvillimit që përcakton prioritetet dhe përcakton rrugën e zhvillimit të vendit në 20 vitet e ardhshme. Zhvillimi ekonomik, mbrojtja e mjedisit jetësor dhe energjia, si dhe financat publike janë sferat kryesore, të identifikuara në strategji, që duhet të hartohet deri në fund të këtij viti”, theksoi ministri Besimi.

Ministri Besimi shtoi se vendi ynë merr përkrahje të vazhdueshme nga organizatat ndërkombëtare dhe se kjo përkrahje i referohet sferave të rëndësishme, siç janë: axhenda e gjelbër ose mbrojtja e mjedisit jetësor, avancimi i decentralizimit, luftimi i ekonomisë gri etj.

“Mund të konfirmoj se vendi ynë është një prej nëntë vendeve në botë që i është miratuar përkrahja e projektit nga Fondi i qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm – fondi SDG. Bëhet fjalë për projekt që i referohet vendosjes së instrumentit për financimin e projekteve të gjelbra për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe për luftën kundër ndryshimeve klimatike. Qëllimi është qasja më e lehtë deri te mjetet për projektet e energjisë së ripërtëritshme dhe efikasitetit energjetik për amvisëritë dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme. Fondi siguron 7.9 milionë dollarë amerikanë, njëherazi, qeveria do të bashkëfinancojë me mjete me vlerë prej 800 mijë dollarëve amerikanë, ndërsa së bashku me BERZH-in dhe bankat e përfshira, programi vlerësohet të jetë 46.5 milionë dollarë amerikanë. Mjetet pritet të jenë në dispozicion për shfrytëzuesit e fundit gjatë mesit të këtij viti. Kjo do të mundësojë aplikimin e përshpejtuar të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe efikasitetit energjetik, të cilat do të kontribuojnë në uljen e ndotjes së ajrit. Projekti do të implementohet nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara – UNDP, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe Komisioni Ekonomik i OKB-së për Evropën (UNECE) – në partneritet me BERZH-in”, theksoi ministri.

Me programet e OKB-së po punohet edhe për avancimin e decentralizimit fiskal, vënies në funksionim të dy fondeve të përcaktuara me Ligjin e Financimit të Vetëqeverisjes Lokale, Fondin e Barazimit dhe Fondin e Performancës, si dhe përmirësimin e kapaciteteve të komunave për arkëtimin e të hyrave të tyre. Ndërmerren aktivitete për luftimin kundër ekonomisë joformale  dhe për përkrahjen e sferave më të prekura nga kriza energjetike dhe e çmimeve. Tashmë, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe UNDP-së – program i OKB-së është nënshkruar Memorandum bashkëpunimi i përkrahjes së këtyre sferave.

Takimet në OKB, ministri i Financave i realizoi në kuadër të vizitës së tij në SHBA, ku do të marrë pjesë edhe në Takimet pranverore të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe do të takohet me përfaqësues të lartë të këtyre institucioneve financiare ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *