Kolumna|

10 qershor 2023, Shkup – Javën e kaluar, u hapën mundësi të reja për “ta sjellur BE-në në shtëpi”, lidhur me njoftimin e kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen mbi planin e ri për përafrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe përkrahjen e tyre ekonomike. Plani mund të interpretohet si “dorë e shtrirë” për vendet e rajonit, procesi i anëtarësimit të të cilave ndër vite u shoqërua me një sërë sfidash. Siç vuri në dukje, Von der Leyen në forumin GLOBSEC në Bratisllavë – “qasja e re e BE-së nuk është vetëm t’u kërkojë partnerëve të bëjnë një hap drejt saj, por edhe që BE-ja të hapërojë drejt tyre, me ç’rast qëllimi i përbashkët është përshpejtimi i procesit”.

Sipas njoftimit, plani është që të ndihemi pjesë e Bashkimit Evropian përmes përfitimeve të shumta për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ekonomitë e tyre. Ky është mesazh shumë inkurajues, veçanërisht në periudhë specifike, kur në tokën evropiane zhvillohet luftë, me ç’rast optimizmi i BE-së në rajon varion dhe në nivel nacional jemi përballë pasigurisë politike. Njëkohësisht, të gjithë jemi të stërlodhur nga krizat e shumta të njëpasnjëshme ekonomike globale që kanë ndodhur gjatë tre viteve të fundit.

Momenti pozitiv duhet shfrytëzuar, si nga aspekti i procesit të aderimit në BE, ashtu edhe nga aspekti “i sjelljes së BE-së në shtëpi”, reformave dhe mundësisë së shfrytëzimit të përfitimeve të anëtarësimit, madje ende pa u anëtarësuar në të.

 

Katër shtylla për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor

 

Sipas njoftimit të kryetarës së KE-së, nisma e re për përkrahjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përafrimin e tyre drejt Bashkimit Evropian bazohet në katër shtylla: 1) Përafrimi drejt tregut të përbashkët të BE-së, 2) Integrimi ekonomik rajonal, 3) Përshpejtimi i reformave fundamentale dhe 4) Stimulimi i rritjes ekonomike përmes rritjes së nivelit të fondeve aderuese. Pakoja në fjalë, ka përfshirje vërtet të gjerë dhe përfitimet ekonomike të saj janë të shumëfishta. Vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësinë që shumë më herët t’i ndjejnë benefitet e shtytësit kryesor të suksesit ekonomik të Bashkimit Evropian – tregut të përbashkët. Me shumë mundësi, kjo qasje do t’i referohet një prej segmenteve më të mëdha të tij, respektivisht tregut të vetëm dixhital, i cili i referohet shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve përmes kanaleve dixhitale. Ai përfshin fusha të tilla si tregtia elektronike, siguria kibernetike dhe lehtësimi i shërbimeve të pagesave dhe tregtia e mallrave. Ekonomia e përbashkët rajonale mund të ndihmojë në përshpejtimin e procesit të aderimit në BE, por gjithashtu integrimi ekonomik rajonal është esencial për nxitjen e potencialit të madh ekonomik të rajonit duke e bërë atë më tërheqës për investitorët e huaj. E njëjta gjë është edhe me reformat paraaderuese, sepse sundimi i ligjit dhe gjyqësori efikas dhe kredibil janë sinjale pozitive për investitorët e huaj, ndërsa tranzicioni i gjelbër dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së energjisë janë kruciale për stabilitetin dhe rritjen e qëndrueshme. Nevojitet në mënyrë urgjente rritja e investimeve në rajon, me ç’rast do të rritet standardi i jetesës dhe do të ndihmohet në përafrimin drejt BE-së.

Siç u përmend, planifikohet zgjerimi i fondeve paraaderuese për vendet e Ballkanit Perëndimor, që do ta stimulojnë aktivitetin ekonomik dhe do të krijojnë hapësirë ​​shtesë fiskale.

 

Plani i BE-së dhe Plani nacional për përshpejtimin e rritjes

 

Si autor, eurointegrimet janë inspirimi im i vazhdueshëm. Kam shqyrtuar shumë herë, si nëpërmjet teorisë ekonomike, ashtu edhe përmes analizave empirike: përfitimet e tregut të përbashkët evropian, rëndësinë e anëtarësimit për investitorët e huaj, nxitjen e konkurrencës së kompanive vendase, përmirësimin e kushteve për zhvillimin e biznesit, rëndësinë e fondeve paraaderuese për ekonominë dhe kushtet e jetesës etj. “Ta sjellim Evpopën në shtëpi” ka qenë gjithmonë aksioma me të cilën jam udhëhequr dhe impenjuar në krijimin dhe zbatimin e politikave, duke pasur parasysh qëllimin përfundimtar të integrimeve, që është sigurimi i progresit ekonomik dhe mirëqenies për qytetarët tanë. Në këtë drejtim është edhe Plani ynë për përshpejtimin e rritjes ekonomike, i cili bazohet në të njëjtat premisa dhe ka të njëjtin qëllim. Duke pasur parasysh këtë, dhe i intriguar nga plani i sapo prezantuar i BE-së për Ballkanin Perëndimor, këtë kolumnë ia dedikova analizës krahasuese të dy planeve, strategjisë që duhet zbatuar, si dhe sinergjisë që mund të rezultojë nga zbatimi i mëtejshëm i planit zhvillimor nacional dhe evropian.

Para së gjithash, nëse analizojmë strukturën e planit të BE-së, ajo orientohet në përforcimin ekonomik, lidhjen e rajonit, përmirësimin e konkurrencës së ekonomive dhe rritjen e investimeve. Nëse shqyrtohet Plani nacional për përshpejtimin e rritjes, mund të konkludohet se një pjesë e madhe e strukturës është e njëjtë, ashtu edhe qëllimet. Nëpërmjet zbatimit të dy planeve, nuk do të mungojë përkrahja e Bashkimit Evropian dhe perspektiva e qartë për qëllimin përfundimtar “sjellja e Evropës në shtëpi”, respektivisht sigurimi i mirëqenies për qytetarët.

 

Lidhja ekonomike dhe tregu i vetëm evropianEuropean single market

 

Padyshim që përfitimi dhe shtytësi më i madh i zhvillimit ekonomik të BE-së është tregu i vetëm prej gjysmë miliardë konsumatorësh, përmes të cilit BE-ja është kthyer në superfuqi tregtare. Tregu i vetëm i BE-së mundëson lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, qytetarëve dhe kapitalit, pa detyrime doganore, kuota, viza dhe transferim të lirë të kapitalit për personat fizikë dhe juridikë. Tregu i përbashkët përcakton vlera dhe standarde të përbashkëta, ndihmon në zgjerimin e kompanive dhe rritjen e inovacionit. Tregu i përbashkët kërkon që të gjithë të prodhojnë sipas rregullave dhe standardeve të njëjta, gjë që krijon besimin e konsumatorëve në cilësinë e produkteve, si dhe besimin në procesin e prodhimit nga aspekti i repektimit të të drejtave të punëtorëve edhe nga aspekti i mbrojtjes së mjedisit jetësor. Nga ana tjetër, tregu i vetëm është mundësi për kompanitë, veçanërisht për kompanitë e vogla, për tërhejqjen e konsumatorëve dhe investimeve të reja në drejtim të zgjerimit të mëtejshëm të tyre. Kjo është gjithashtu shumë domethënëse përsa i përket zinxhirëve të furnizimit që mundësojnë qasje më të lehtë tek furnitorët e rinj. Njëkohësisht, tregu i vetëm është pjesë e përgjigjes ndaj problemeve globale, siç janë ndryshimet klimatike, nëpërmjet zhvillimit të ekonomisë qarkore dhe përfitimeve të revolucionit dixhital, si dhe zgjidhjeve novatore.

Teoria e avantazheve krahasuese e David Ricardos thotë se secili duhet ta prodhojë atë për të cilën ka avantazhe krahasuese, në mënyrë që përmes specializimit të këtillë të arrihet produktivitet më i madh dhe të reduktohen kostot për çdo njësi prodhimi. Nga ana tjetër, teoria e avantazheve kompetitive (konkurruese) – Competitive Advantage të Michael Porter dhe sipas teorive endogjene të rritjes, si forcë lëvizëse të rritjes shihen inovacionet, kapitali njerëzor, infrastruktura dhe kapitali financiar. Duke e parë nga prizmi i ekonomisë sonë, ndërmarrjet tona që hyjnë në tregun evropian do të mund t’i shfrytëzojnë përfitimet e ofertës së avantazheve krahasuese dhe arritjes së ekonomive të shkallës në prodhim, por gjithashtu do të stimulohen në përsosjen e produkteve të tyre, inovacionit, gjë që do t’i bëjë më konkurruese. Njëkohësisht, Qeveria me investime në përmirësimin e infrastrukturës, përforcimin e kapitalit njerëzor si dhe përkrahjen e investimeve dhe inovacioneve në sektorin privat do të kontribuojë në përmirësimin e konkurrencës së ekonomisë sonë, stimulimin e investimeve dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike. Këtu, sigurisht do të shtoja edhe qeverisjen e mirë, si në aspektin e sundimit të ligjit, ashtu edhe në drejtim të përforcimit të kapaciteteve të institucioneve dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimeve publike. Plani nacional për përshpejtimin e rritjes ekonomike përfshin mekanizma për përkrahjen e konkurrencës dhe inovacionit të ndërmarrjeve vendase, duke siguruar qasje në financa dhe fonde, si dhe instrumente të tjera për përkrahjen e eksportit dhe zhvillimit të kompanive.

Kur bëhet fjalë për lidhjen rajonale, duhet përmendur se Ballkani Perëndimor ka arritur progres të konsiderueshëm ekonomik dhe shoqëror gjatë dy dekadave të fundit dhe se me popullsi prej 17.6 milionë banorësh, si treg është sfidë për ekonomitë e vogla në zhvillim që e përbëjnë atë. Nisma për t’u lidhur në një treg, ka ekzistuar ndër vite dhe janë ndërmarrë disa hapa. Megjithatë, duke marrë parasysh përfitimet që mund të rezultojnë nga integrimi i mëtejshëm i tregjeve në rajon, BE-ja ngre çështjen e një tregu të vetëm në Ballkanin Perëndimor si shtyllë në planin e zhvillimit të rajonit. Qasja tek konsumatorët e rinj, përforcimi dhe qasja në zinxhirët e rinj të furnizimit, ulja e kostove të eksportit, përforcimi i konkurrencës së produkteve në rajon, rritja e atraktivitetit për investitorët e huaj, si treg i vetëm – të gjithë këta faktorë ndikojnë në përforcimin ekonomik të rajonit dhe stimulimin e rritjes ekonomike. Si rrjedhojë, si në rastin e tregut të përbashkët të BE-së, përfitimet e lidhjes në rajon nuk duhen neglizhuar, përkundrazi, ato janë aspekt i rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe kusht për vazhdimin e rrugës së tyre evropiane. Nga aspekti i politikës nacionale, nismat multilaterale për lidhjen e rajonit janë pranuar gjithmonë me entuziazëm, ndërsa nga aspekti i përkrahjes së kompanive për plasimin e tyre në tregun rajonal, si në rastin paraprak me tregun evropian, kemi më shumë instrumente me të cilat do të përkrahen për të performuar në të.

 

Reformat strukturore

 

Kur bëhet fjalë mbi reformat strukturore për avancimin e sistemit dhe administratës për një shoqëri demokratike dhe ekonomi të tregut, do të nënvizoj se masat dhe politikat që parashikuam dhe që zbatojmë për rritje ekonomike të përshpejtuar, inkluzive dhe të qëndrueshme, janë gjithashtu në drejtim të mirëqeverisjes, respektivisht sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe ngritjes së kapaciteteve të institucioneve. Rëndësi të jashtëzakonshme në këtë drejtim ka koncepti i qëndrueshmërisë fiskale, për të cilin impenjohemi, posedojmë plan të veçantë aksional, ku në këtë kontekst ruhet edhe stabiliteti makroekonomik dhe financiar. Gjithashtu përfshihen edhe masat për nxitjen e decentralizimit fiskal, sigurimin e zhvillimit të barabartë rajonal dhe lokal, mjedisit të qëndrueshëm jetësor dhe dixhitalizimin e ekonomisë dhe shërbimeve publike.

Njëkohësisht, veprojmë në drejtim të përmirësimit të mjedisit afarist dhe luftimit të ekonomisë gri, përmirësimit të qasjes në financa dhe adaptimit të teknologjive dhe modernizimit të bujqësisë.

Nga aspekti i përkrahjes së konkurrencës së kompanive, përveç përkrahjes financiare, do t’i përmend edhe masat e ndërmarra në lidhje me zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe përshtatshmërinë e ofertës në tregun e punës. Nëpërmjet strategjisë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e kapitalit njerëzor në vend, trajtohen të gjitha fushat që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë, përmes investimeve në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale. Gjithashtu, përmes masave aktive në tregun e punës dhe zgjerimit të vazhdueshme të fondeve të destinuara për to, ndërmerren veprime për rritjen e përshtatshmërisë së fuqisë punëtore ndaj nevojave aktuale të kompanive.

 

Fondet shtesë të BE-së dhe investimet

 

Shtylla e fundit dhe shumë domethënëse si në planin e rritjes së BE-së, ashtu edhe në planin nacional për rritje të përshpejtuar është nxitja e investimeve private dhe publike, të cilat do të kontribuojnë në krijimin e vlerave të reja, stimulimin e aktivitetit ekonomik dhe ofrimin e kushteve më të mira të jetesës për qytetarët dhe zhvillimin ekonomik. Në këtë drejtim, BE-ja ka paralajmëruar fonde të reja që do të jenë në dispozicion për Ballkanin Perëndimor dhe që kanë si pikësynim zhvillimin ekonomik të rajonit. Edhe pse vlera e fondeve nuk u theksua, pa hezitim BE-ja ndër vite ka qenë përkrahje e madhe dhe partnere për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Sa i përket vetëm shembullit të vendit tonë, gjatë 30 viteve të fundit, përkrahja e BE-së për vendin tonë vlerësohet në mbi 3.3 miliardë euro përmes granteve dhe përkrahjes makrofinanciare.

Duke diskutuar mbi planin tonë nacional për përkrahjen e rritjes ekonomike, do të përmend se në të është paraparë kornizë ambicioze afatmesme prej 4 miliardë eurove në investime publike, kryesisht projekte të mëdha infrastrukturore, të cilat do të tërhiqnin dy herë më shumë investime në kapitalin privat, si rezultat i efektit multiplikativ të planit.

Në kuadër të strategjisë së mobilizimit të kapitalit, krahas fondeve zhvillimore të organizatave ndërkombëtare, janë planifikuar edhe disa instrumente financiare për mobilizimin e kapitalit vendas për qëllime zhvillimore, përfshirë zhvillimin e tregut të letrave shtetërore me vlerë.

 

“Dora e shtrirë”

 

Në fund të elaborimit tim të shkurtër mbi këtë temë, duke pasur parasysh përmasën e problematikës, do të konkludoja se para nesh qëndron mundësia historike për arritjen e aspiratave shumëdekadëshe, pikësynimit dhe sigurimin afatgjatë për jetesë më të mirë të qytetarëve tanë. Mundësia e identifikuar është gjysma e qëllimit të arritur. Duhet ta pranojmë “dorën e shtrirë” të BE-së, të punojmë në përmirësimin e kushteve të jetesës në vendin tonë, “ta sjellim Evropën në shtëpi” dhe të bëhemi pjesë e saj. Këtë mund ta bëjmë vetëm duke pasur qëllim të qartë nacional dhe vendosjen e interesave nacionale para atyre personale. Zhvillimi i politikës së duhur është gjithmonë marrja në konsideratë e ekonomisë, sepse ekonomia është ajo që përcakton cilësinë e jetesës së qytetarëve tanë.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *