Кumtesa|

11 shtator 2023, Shkup – Qeveria është tërësisht e përkushtuar për zbatimin e reformave që përcaktojnë rrugën drejt integrimit më të shpejtë dhe të plotë në BE. Procesi i negociatave është i hapur, si dhe mundësia për ta përshpejtuar atë rrugë. Skriningu si fazë fillestare tashmë është duke u zhvilluar, me ç’rast është përgatitur Drafti i raportit për klasterin e parë, i cili ndër të tjera thekson se po zbatohen reforma për përmirësimin e të hyrave buxhetore dhe realizimin e shpenzimeve, me përmirësim të njëkohshëm të disiplinës fiskale. Kjo u konstatua në takimin e ministrit të Financave, Fatmir Besimi me Gert Jan Koopman, drejtor i përgjithshëm për fqinjësi dhe negociata të zgjerimit në KE, që u mbajt në Bruksel.

“Përkushtimi për zbatimin e reformave ka një element të përbashkët, kjo është për të sjellë Evropën në shtëpi për të gjithë qytetarët. Reformat definohen përmes të gjitha proceseve që po zbatojmë në nivel nacional dhe së bashku me partnerët tanë nga BE-ja, të cilët qëndrojnë fort dhe në vazhdimësi, pas angazhimit tonë evropian. “Përkrahja vjen në forma të ndryshme, ndërsa përparimi në atë rrugë nënkupton avancimin e atij bashkëpunimi dhe rritjen e disponueshmërisë së mjeteve financiare për realizimin e reformave të përcaktuara”, tha ministri Besimi.

Në këtë takim u theksua se ka lidhshmëri ndërmjet zbatimit të reformave dhe mbështetjes financiare për vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përkatësisht zbatimi i reformave do të thotë përafrim me BE-në dhe qasje në më shumë fonde të reja. Momentalisht, në vendet kandidate ose vendet potenciale kandidate janë të disponueshme mjete nga fondet paraaderuese – IPA. Mjetet e IPA III për periudhën 2021-2027 janë në vlerë të përgjithshme prej 14.2 miliardë eurove, ndërsa përmes fondeve që i shfrytëzojnë vendet anëtare për atë periudhë janë dispozicion 392 miliardë euro. Ndërsa kjo paraqet vetëm një pjesë të përfitimeve të përfundimit më të shpejtë të këtij procesi evropian.

Në këtë takim u fol edhe për krizën energjetike dhe masat që po ndërmerren për përballimin e saj. Ministri vuri në dukje pakot e masave që janë ndërmarrë deri më tani që nga fillimi i krizës së Covidit dhe krizës aktuale energjetike dhe asaj të çmimeve, ndërsa shprehu mirënjohjen për angazhimin e deritanishëm të BE-së për të ndihmuar në përballimin e krizës në vend.

Në këtë kontekst, u theksua se, deri në fund të vitit pritet pagesa e transhesë së parë të përkrahjes së shpallur makrofinanciare nga BE-ja për RMV-në, në vlerë prej 50 milionë eurove. Vendimi i ofrimit të përkrahjes makrofinanciare nga BE-ja për vendin, në vlerë të përgjithshme prej 100 milionë eurove, është miratuar gjatë verës, ndërsa procedura e tërheqjes së transhesë së parë pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *