Кumtesa|

15 shtator 2023, Shkup – Efekti ekonomik i BE-së është 15-20% PBB më e lartë për vendet e reja anëtare, vende të reja dhe më të paguara, siguri dhe stabilitet. Duhet të shfrytëzohet momenti që Republika e Maqedonisë së Veriut të bëhet anëtarja e 28-të e Bashkimit Evropian. Këto ishin porositë kryesore nga hapja e Konferencës së Tretë Vjetore të Forumit Ekonomik të Shkupit – SEFF, në përkrahjen e Ministrisë së Financave. Konferencën e hapën ministri i Financave, Fatmir Besimi, kryeministri Dimitar Kovaçevski, si dhe komisioneri i BE-së për buxhet dhe administratë, Johannes Hahn.
 
Siç bëri të ditur ministri i Financave, Besimi, SEFF-i është platformë për diskutimin e politikave publike që rezultoi si domosdoshmëri gjatë krizës së Covid-19 dhe ka për qëllim t’i bashkojë të gjithë pjesëmarrësit e tanguar, si politikëbërësit, përfaqësuesit politikë, komunitetin e biznesit, përfaqësuesit akademikë, për gjetjen e zgjidhjeve më të mira. Tema e këtij viti “Evropa-Po, Evropa-Tani” i dedikohet sfidave dhe mundësive që u paraqiten te të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në kontekstin e eurointegrimeve.
 
“Bashkimi Evropian multikulturor, pacifist dhe i orientuar drejt zhvillimit rezultoi nga nevoja e rindërtimit të Evropës. Që atëherë, ekonomia, paqja dhe siguria, si dhe të drejtat e njeriut kanë qenë shtytësit e saj. Ndikimi i BE-së vlerësohet prej 15%-20% si shtesë e PBB-së për banor, duke përfshirë rritjen e shumëfishtë të fondeve të disponueshme pas anëtarësimit, me ç’rast vetëm te fondet e kohezionit janë 22 herë më të larta. Në kohë krizash të shumta, të cilat përkojnë njëra me tjetrën, tani më shumë se kurrë është koha që vendet ta përrkrahin njëra-tjetrën”, theksoi ministri Besimi.
 
Në fokus të fjalimit të kryeministrit Kovaçevski ishin edhe përfitimet e anëtarësimit në BE. Ai theksoi se efektet ekonomike të anëtarësimit në Bashkimin Evropian janë të tejfishta. “Në 5 vitet e para kjo do të nënkuptojë rritje të pagave nga 70 në 100%, rritje të PBB-së në vlerë prej 80 deri në 90%, rritje të numrit të vendeve të punës, si dhe rritje prej 30% deri në 40% të numrit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, theksoi Kovaçevski.
 
Gjatë fjalimit të tij, Kovaçevski iu referua progresit që ka bërë vendi në vitet e fundit, para së gjithash në fushën ekonomike.
 
 “Shkalla e papunësisë, ndryshe nga viti 2016 kur ishte pothuajse 24%, sot ka rënë në 14.4%. Në vetëm një vit kemi rritur punësimin prej 9.5%. Krahasimi për këto vite është i madh edhe për sa i përket investimeve të huaja direkte, nëse në vitin 2016 ato arritën në 338 milionë euro, në vitin 2022, vit pas pandemisë Covid-19 dhe në kulmin e krizës globale ekonomike dhe energjetike, ato arritën në pothuajse 754 milionë euro. Për krahasim, në vitin 2016, paga minimale në vend ishte 10.000 denarë, ndërsa tash në muajin mars të këtij viti shënon 20.175 denarë, që do të thotë dy herë më shumë në krahasim me atë që kishim.Paga mesatare neto në vitin 2016 ishte diçka mbi 22.000 denarë, ndërsa në vitin 2023, paga mesatare neto historikisht është më e larta dhe arrin në gati 37.000 denarë. Për herë të parë miratuam zgjidhje sistematike për rritjen e pensioneve”, theksoi kryeministri Kovaçevski.
 
Komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, në fjalimin e tij theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut duhet ta shfrytëzojë momentin pozitiv për integrim evropian, si dhe se Bashkimi Evropian, përveç përfitimeve ekonomike, ofron edhe shumë kushte të tjera më të mira për qytetarët, nga aspekti i sundimit të së drejtës, të drejtave civile, si dhe në drejtim të bashkimit.
 
“Ju jeni të rëndësishëm për Familjen evropiane. Do të bëjmë gjithçka që duhet për përshpejtimin e procesit. Le ta shfrytëzojmë momentin së bashku. Besoj se Republika e Maqedonisë së Veriut mund të jetë anëtarja e 28-të e BE-së. Punoni së bashku, me të gjitha opsionet politike në vend, që si ekip të arrijmë atje”, theksoi komisioneri i BE-së Hahn.
 
Në panelin e parë të konferencës “Integrimi evropian dhe rajonal”, u bë fjalë për përafrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e vetëm të BE-së, si dhe për planin e ri për Ballkanin Perëndimor të prezantuar nga kryetarja e Komisionit Evropian në GLOBSEC 2023 në Bratislavë. Në panel diskutuan edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministrja për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska, ministri i Financave, Fatmir Besimi, drejtoresha rajonale e Bankës Botërore, Xiaoqing Yu, zëvendësshefi i Delegacionit të BE-së në vend, Ben Nonu, zëvendësshefi i Misionit në Ambasadën e SHBA-së, Eric Meyer dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Financim dhe Buxhet, Bojan Stojanovski.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *