Кumtesa|

29 shtator 2023, Shkup – Sot, Ministria e Financave emetoi fletobligacionet e para strukturore të destinuara për komunën e Zhelinës, Tetovës dhe Vinicës, me të cilat sigurohen mjete që u mundësojnë atyre t’i shlyejnë detyrimet e tyre dhe t’i përforcojnë kapacitetet e tyre financiare. Emetimi i fletobligacioneve strukturore është pjesë e reformës së planifikuar për avancimin e decentralizimit fiskal dhe pjesë e reformës më të gjerë në menaxhimin e financave publike.

Fletobligacionet strukturore janë letra me vlerë të emetuara nga Ministria e Financave për komunat, me anë të së cilave atyre u ofrohet përkrahje për shlyerjen e detyrimeve të maturuara dhe të papaguara ndaj kreditorëve. Ato emetohen në periudhë 10 vjeçare, me ç’rast atyre u mundësohet që t’i riprogramojnë detyrimet e tyre, ku si rezultat i kësaj ofrohet bazë për komunat që t’i  konsolidojnë buxhetet e tyre dhe të mund të fokusohen në zhvillimin e tyre. Vlera e fletobligacioneve të emetuara do të kthehet në këste të barabarta 10 vjeçare. Nga ana tjetër, fletobligacionet strukturore që do t’u emetohen kreditorëve do të mund t’i shfrytëzojnë ato për shlyerjen e detyrimeve ndaj Drejtorisë së të Hyrave Publike. Gjithashtu, me to do të mund të tregtohet edhe në tregun sekondar të Bursës.

“Kjo është përkrahje e rëndësishme për komunat, që është pjesë e reformës së destinuar për sigurimin e më shumë mjeteve për pushtetet lokale, nëpërmjet rritjes së të hyrave të komunave nga tatimet e arkëtuara (inkasuara) nga pushteti qendror, si dhe në drejtim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës”.

E gjithë kjo është në drejtim të stabilitetit të tyre financiar dhe ofrimit të shërbimeve cilësore, sepse ata janë përgjegjës për sferën e arsimit, mbrojtjes sociale, mjedisit jetësor, shërbimeve komunale etj”, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, i cili shtoi se, e gjithë reforma përforcon pushtetet lokale dhe në të njëjtën kohë i detyron ato për disiplinë më të madhe fiskale, llogaridhënie dhe funksionim transparent.

Përveç fletobligacionit strukturor, i cili parashihet me ndryshimet në Ligjin e Financimit të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, komunat kanë në dispozicion instrumente të tjera, si kredia e kushtëzuar, gjithashtu nga Ministria e Financave dhe fletobligacioni komunal për blerës të njohur – Ministria e Financave dhe ka për qëllim përforcimin e stabilitetit të tyre financiar.

Fletobligacionet strukturore për të cilat Ministria e Financave sot publikoi prospekt janë në vlerë të përgjithshme prej 275 milionë denarëve, prej të cilave 250.2 milionë denarë për Komunën e Tetovës, 21.7 milionë denarë për Komunën e Zhelinës dhe 2.5 milionë denarë për Komunën e Vinicës.

Sipas Ligjit të Financimit të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, komunat kanë mundësinë që ta shfrytëzojnë fletobligacionin strukturor për detyrimet e maturuara, duke përfshirë 30 shtatorin 2021.

Krahas këtyre instrumenteve, komunat përkrahen edhe përmes rritjes së transfertave nga buxheti qendror për komunat në bazë të tatimit mbi të ardhurat personale nga 3% në 6% dhe TVSH-së nga 4.5% në 6%.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *