3 tetor 2023, Shkup – Sot, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë i miratoi ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin e Bankës Zhvillimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të propozuara nga Ministria e Financave, me të cilin u mundësua vendosja e Fondit të efikasitetit energjetik përmes të cilit në mënyrë të drejtpërdrejt do të financohen investimet për efikasitetin energjetik. Gjegjësisht, mjetet nga fletobligacionet e gjelbra të emetuara sot, në vlerë prej 10 milionë eurove do të destinohen në Fondin për përkrahjen e projekteve të gjelbra.
Fondi i efikasitetit energjetik do të funksionojë si njësi e veçantë organizative pranë Bankës Zhvillimore, ndërsa vendosja e tij në periudhë afatgjate do të kontribuojë në qëndrueshmëri ekonomike dhe financiare, ndërsa do ta mundësojë kursimin e energjisë, ruajtjen e resurseve natyrore, si dhe uljen e ndotjes së mjedisit jetësor.
Vendosja e Fondit të Efikasitetit Energjetik është në drejtim të krijimit të strukturës efikase dhe efektive që do të kontribuojë në arritjen e pikësynimeve tashmë të caktuara të Republikës së Maqedonisë së Veriut për dekarbonizim, të përcaktuara në Strategjinë e zhvillimit të energjetikës deri në vitin 2040, ku merren parasysh trendet e politikës energjetike në nivel global, me qëllim të përkrahjes së zhvillimit nëpërmjet financimit direkt të investimeve për efikasitet energjetik.
Me anë të këtij Fondi do të mundësohet aprovimi i kredive, emetimi i garancive dhe aprovimi i granteve për personat juridikë dhe fizikë në vend. Kapitali fillestar i Fondit të efikasitetit energjetik është në vlerë prej 5 milionë eurove, të siguruara nga Banka Botërore në kuadër të Projektit për efikasitet energjetik, i cili plotësohet me mjetet e siguruara nga emetimi i fletobligacionit të gjelbër prej 10 milionë eurove. Në të ardhmen, fondi do të plotësohet edhe nga burime të tjera për investime të gjelbra.
Vendosja e Fondit paraqet harmonizim me direktivat e BE-së për efikasitetin energjetik, me qëllim që fondi i këtillë nacional t’i përkrahë iniciativat nacionale për efikasitetin energjetik.
Sot, Kuvendi miratoi ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin e Akcizave, të cilat rezultojnë nga direktivat e BE-së dhe paraqesin harmonizimin e normës së akcizës për cigaret me normën minimale të akcizës në BE.