Кumtesa|

8 nëntor 2023, Shkup – Ligji i ri i Buxheteve, me të cilin vendosen rregullat fiskale dhe këshilli fiskal, si dhe korniza buxhetore afatmesme rrit ndjeshëm qëndrueshmërinë fiskale, theksohet në raportin e Komisionit Evropian për vendin tonë. Komisioni Evropian thekson se konsolidimi fiskal afatmesëm, të cilin Ministria e Financave e ka paraparë me Strategjinë fiskale 2023-2027 dhe në përputhje me kornizën e Ligjit të Buxheteve, praktikohet në buxhetin e vitit 2023. Deficiti buxhetor i vitit të kaluar ishte edhe më i ulët sesa ishte planifikuar, ndërsa borxhi publik u ul. Gjithashtu, theksohet se Ministria e Financave po përmirëson vazhdimisht transparencën e financave publike.

 

Në këtë raport, theksohet se është bërë progres në implementimin e Ligjit të ri të Buxheteve, duke përzgjedhur këshillin e pavarur fiskal, që duhet ta monitorojë harmonizimin e rregullave fiskale me projeksionet makrofiskale, si dhe kornizën fiskale afatmesme, sipas Strategjisë fiskale. Vitin e kaluar filloi edhe hartimi i akteve nënligjore, me të cilat do të mundësohet implementimi i tërësishëm i Ligjit të Buxheteve, duke përfshirë edhe vendosjen e rregullave fiskale numerike. Në kuadër të Ministrisë së Financave po punohet për krijimin e njësisë së veçantë për menaxhimin e investimeve publike.

 

Komisioni Evropian, gjithashtu, thekson se Ministria e Financave vazhdon të përmirësojë transparencën përmes publikimit të të dhënave për të hyrat dhe shpenzimet e institucioneve publike, komunave dhe ndërmarrjeve shtetërore në bazë tremujore. Gjithashtu, theksohet se duhet të punohet në rritjen e burimeve njerëzore dhe kapaciteteve të Ministrisë së Financave, veçanërisht te burimet njerzore që kanë të bëjnë me proceset buxhetore, në mënyrë që Ministria e Financave ta rrisë më tej efikasitetin e shpenzimeve publike dhe transparencën e tyre në  përputhje me Ligjin e ri të Buxheteve.

 

Niveli i realizimit të Programit të Reformave Ekonomike (PRE) është përmirësuar, veçanërisht për shkak të progresit makrofiskal. Gjithashtu, theksohet se fokusi duhet të vendoset në reformat strukturore, identifikimin e sfidave, veçanërisht në tranzicionin klimatik dhe në përforcimin e kapaciteteve të institucioneve publike për t’iu përgjigjur sfidave që lidhen me krizën energjetike.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *