18 nëntor 2023, Shkup – Perspektiva evropiane e vendit tonë është e qartë dhe e sigurt. Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor identifikohet nga funksionarët, politikanët dhe analistët e vendit tonë, rajonit dhe Evropës, si një korsi e shpejtë në rrugën drejt integrimit evropian të vendeve të rajonit. Ky plan është përkrahje e rëndësishme politike dhe financiare e Bashkimit Evropian për rajonin. Një porosi shumë e rëndësishme nga BE-ja për Republikën e Maqedonisë së Veriut është se ne jemi pikënisja nga ku fillojnë aktivitetet për zbatimin e këtij plani. Dje në Qeveri u zhvillua Takimi i parë ministror rajonal i vendeve të Ballkanit Perëndimor, dedikuar prezantimit të Planit të rritjes së BE-së për rajonin. Së bashku me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, ishim nikoqir ku pritëm drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Jan Koopman, si dhe ministrat nga Serbia, Mali i Zi, Bosja e Hercegovina, Kosova dhe Shqipëria dhe kryenegociatorët për procesin e integrimit evropian në rajon. Kjo është porosi jashtëzakonisht inkurajuese në lidhje me perspektivën tonë evropiane.
Fillojmë cikël të ri për konvergjencë të përshpejtuar socio-ekonomike të vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian. Jam jashtëzakonisht i kënaqur që me kolegët tanë nga rajoni kemi nismë të njëjtë për zbatimin më të shpejtë të planit, përmes hartimit të axhendave reformuese dhe vënies në funksion të planit nga fillimi i vitit të ardhshëm. Kemi shumë punë përpara, por puna e palodhur ofron gjithmonë rezultate. Më kujtohet citati i famshëm i Edisonit “Shumë njerëz i humbin mundësitë, sepse ato janë të veshura me kostum pune dhe duken si punë”. Prandaj theksoj se, ky plan është një mundësi – shumë punë, investim dhe pritshmëri të larta dhe në fund vijon shpërblimi i duhur. Siç potencoi z. Koopman në takimin e djeshëm, pas zbatimit të Planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor, PBB-ja për banor duhet të dyfishohet, respektivisht nga një mesatare prej gjashtë mijë eurove për banor në rajon, në mesatare prej 12 mijë eurove për banor në dhjetë vitet e ardhshme. Kjo është mundësi e shkëlqyer, në fakt një nga mundësitë më realiste për përshpejtimin e rritjes në rajon dhe konvergjencën drejt BE-së në periudhë relativisht të shpejtë.
Publiku deri më tani është informuar rreth Planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor. Sa i përket këtij plani, për herë të parë u theksua para pesë muajve nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Mundësia për t’i shfrytëzuar përfitimet e BE-së edhe para se të bëhemi anëtarë të BE-së, intrigoi menjëherë analistët politikë dhe ekonomikë. Bëhet fjalë për ekonomi rajonale me PBB mbi 100 miliardë euro dhe 17 milionë banorë, që pretendon t’i bashkohet tregut prej 450 milionë banorësh, me PBB mbi 15 trilionë euro, respektivisht PBB-ja e vendeve të rajonit në raport me BE-në është vetëm 0.6%.
Çfarë ofron Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor?
Më 8 nëntor, Komisioni Evropian miratoi Planin e ri të rritjes së Ballkanit Perëndimor, me të cilin vendeve të rajonit do t’u jepet mundësia të shfrytëzojnë një pjesë të përfitimeve të BE-së, edhe para se të bëhen anëtarë, për nxitjen e rritjes ekonomike, përshpejtimin e konvergjencës socio-ekonomike. Gjithashtu u miratua edhe Rregullorja për vendosjen e Instrumentit financiar të reformave dhe rritjes së Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet së cilës do të arrihet përkrahje financiare në vlerë prej 6 miliardë eurove, e cila është pjesë e këtij plani. Qëllimi është të përkrahen vendet që janë kandidate për anëtarësim ose aspirante për statusin kandidat për përshejtimin e reformave dhe rritjen e potencialit të tyre ekonomik në mënyrë që të përparojnë më shpejt në procesin e integrimit evropian.
Plani përbëhet nga katër shtylla: 1) Rritja e integrimit ekonomik me Tregun e Përbashkët të Bashkimit Evropian; 2) Nxitja e integrimit ekonomik rajonal të Ballkanit Perëndimor; 3) Përshpejtimi i reformave strukturore dhe përkrahja e procesit të integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor, përmirësimi i qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike, tërheqja e investimeve të huaja dhe përforcimi i stabilitetit rajonal, si dhe 4) Rritja e përkrahjes financiare për reformat dhe rritjen e vendeve të rajonit nëpërmjet Fondit të reformave dhe rritjes.
Hapja e Tregut të Përbashkët Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor
Integrimi në Tregun e Përbashkët Evropian ishte forca shtytëse për përshpejtimin e rritjes ekonomike në të gjitha vendet e reja anëtare. E thënë në mënyrë figurative, nëse BE-ja do të ishte automjet, i vetmi treg evropian do të ishte motori. Përafrimi i vendeve të rajonit me Tregun e Përbashkët të BE-së do të nënkuptojë përfitime për të gjithë qytetarët e rajonit. Në fakt, kjo është pjesa më thelbësore e Planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor. Shtatë fusha prioritare fillestare janë identifikuar me anë të këtij plani, që mund të hapen për vendet e Ballkanit Perëndimor: 1) Lëvizja e lirë e mallrave, 2) Lëvizja e lirë e shërbimeve dhe të punësuarve, 3) Qasja në Zonën e Unifikuar Evropiane të Pagesave, 4 ) Integrimi i transportit rrugor, 5) Integrimi i tregjeve energjetike, 6) Tregu i Përbashkët Dixhital dhe 7) Integrimi në zinxhirët indistrualë të furnizimit. Parimi i posedimit të këtyre segmenteve është kur vendet e BP-së të arrijnë nivel të caktuar të gatishmërisë për posedimin e segmenteve të caktuara të tregut të BE-së, respektivisht kjo do të varet nga harmonizimi me direktivat dhe rregullativën e BE-së (acquis-i evropian). Njëkohësisht, duhet theksuar se një pjesë e mirë e punës do të përmbyllet përmes aktiviteteve të ndërmarra në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal, avancimi i të cilit është sërish parakusht për qasje në Tregun e përbashkët evropian. Siç thuhet nga Komisioni Evropian – “partnerët që nuk janë plotësisht të përkushtuar ndaj tregut të përbashkët rajonal, nuk do të mund të kenë pritshmëri për shfrytëzimin e përfitimeve të Planit të rritjes dhe mundësive për integrim në Tregun e Përbashkët Evropian”. Ajo që është gjithashtu e rëndësishme është se asnjë nga vendet nuk do të mund t’i bllokojë pesë vendet e tjera për qasje në Tregun e Përbashkët Evropian.
Pak më shumë detaje rreth qasjes në Tregun e Përbashkët Evropian
Duke qenë se ky aspekt është përfitimi më i rëndësishëm i Planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor, do t’i referohem pak më shumë faktit se çfarë nënkuptojnë shtatë fushat prioritare të shtyllës së parë. Plani i BE-së për shtyllën e parë përfshin katër liritë e Tregut të Përbashkët Evropian, respektivisht lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, të punësuarve dhe kapitalit, si dhe nënsegmente të caktuara të tregut.
Në lëvizjen e lirë të mallrave, plani përfshin marrëveshje për ofrimin në dispozicion të Tregut të Përbashkët Evropian për mallrat e prodhuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pas harmonizimit me legjislacionin përkatës të BE-së. Gjithashtu, parashihet përmirësimi i bashkëpunimit doganor dhe tatimor për reduktimin e kohës së pritjes në kufi, fakt ky që do të kontribuojë në uljen e kostove të eksportit (Banka Botërore gjatë një studimi konkludoi sipas të dhënave se reduktimi i kohës së pritjes me tre orë nivelizohet me uljen e tarifave për 2%). Parashihet edhe përfshirja e vendeve të rajonit në Konventën e përbashkët të tranzitit.
Mundësia e lëvizjes së lirë të shërbimeve përfshin shërbimet që kanë të bëjnë me tregtinë elektronike, si shërbimet lidhur me dorëzimin e paketave, por edhe shërbimet turistike. Gjithashtu, sa i përket lëvizjes së lirë të të punësuarve, KE-ja e përkrah planin e tij në marrëveshjet e mobilitetit të Tregut të Përbashkët Rajonal, duke përfshirë njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, kirurgëve veterinarë, farmacistëve, infermiereve dhe mamive, si lëvizjes me letërnjoftim në Ballkanin Perëndimor.
Pjesëmarrja në Zonën e Unifikar Evropiane të Pagesave (SEPA) do të jetë përfitim i madh për qytetarët dhe bizneset përmes rritjes së tregtisë ndërkufitare. Nëpërmjet harmonizimit të mëtejshëm të rregullativës nacionale, si dhe karakteristikave teknike, do të mundësohet qasja në SEPA për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Lehtësimi i trafikut rrugor i referohet përkrahjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim të mëtejshëm në rajon nëpërmjet miratimit të legjislacionit përkatës të BE-së dhe ofrimit të qasjes në sistemet përkatëse të informacioneve të BE-së. BE-ja mund ta lehtësojë më tej transportin me Ballkanin Perëndimor përmes marrëveshjes së veçantë, që do të jetë plotësim i marrëveshjeve të stabilizimit dhe asociimit.
Integrimi i tregjeve energjetike konceptohet nëpërmjet integrimit të tregut rajonal të energjisë elektrike me atë të BE-së.
Integrimi në Tregun e Përbashkët Dixhital të BE-së ishte një nga segmentet e Tregut të Përbashkët Evropian, për të cilin që në fillim u theksua se do të ishte i hapur për vendet e rajonit. Do të shqyrtohet mundësia e vazhdimit të marrëveshjes ndërmjet rajonit dhe BE-së për uljen e kostove të roaming-ut dhe gjithashtu do të përforcohet bashkëpunimi në sigurinë kibernetike, si dhe integrimi i tregut evropian për shërbimet konfidenciale dixhitale, si identiteti dixhital etj.
Integrimi në zinxhirët industrialë të furnizimit konsiston në zhvillimin e partneriteteve strategjike në zinxhirët e vlerës së lëndëve të para të qëndrueshme (përfshirë bateritë), si dhe në furnizimin e disa ilaçeve kritike.
Integrimi rajonal për rritje ekonomike shtesë prej 10%
Edhe pse i dedikova më shumë hapësirë shpjegimit të avantazheve të Tregut të Përbashkët Evropian, duhet theksuar se integrimi rajonal, i cili në fakt është shtylla e dytë e Planit të rritjes së BP-së, ofron gjithashtu potencial të jashtëzakonshëm për rritje. Sipas një studimi të kryer nga Banka Botërore, PBB-ja e rajonit mund të rritet mesatarisht për 10% si rezultat i integrimit rajonal. Gjithashtu, Tregu i Përbashkët Rajonal bazohet në rregullat dhe standardet e BE-së, prandaj është mekanizëm i rëndësishëm për progresin e negociatave të anëtarësimit. E thënë më thjeshtë, BE-ja do të na ofrojë mundësi për integrim në Tregun e Përbashkët Evropian, nëse së pari realizojmë detyrën e integrimit ekonomik rajonal.
Pako financiare prej 6 miliardë eurove
Këtu tashmë po ndërlidhemi me shtyllën e tretë dhe të katërt të Planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor, respektivisht me realizimin e reformave dhe përkrahjen e duhur financiare që do të jetë në dispozicion me në të reformave. Përkatësisht, BE-ja do të ofrojë përkrahje financiare prej 6 miliardë eurove në periudhë prej katër viteve të ardhshme, prej të cilave 2 miliardë euro në trajtën e granteve të pakthyeshme dhe 4 miliardë në trajtën e huave me kushte të favorshme, të cilat do të sigurohen me ribalancimin e kornizës financiare shumëvjeçar të BE-së.
Nga këto mjete, 3 miliardë euro do të jenë në dispozicion si hua direkte për buxhetet nacionale, ndërsa 3 miliardë euro do të caktohen për përkrahjen e projekteve investuese përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), nga të cilat 2 miliardë euro do të jenë në trajtën e granteve dhe 4 miliardë euro në trajtën e huave. Këto mjete do të destinohen për investime në transport, energjetikë, dixhitalizim, arsim dhe zhvillim të shkathtësive, ndërsa 37% e granteve do të destinohen për projekte të gjelbra, respektivisht për arritjen e qëllimeve klimatike. Pagesat do të bëhen dy herë në vit, sipas përmbushjes së reformave socio-ekonomike të vendeve.
Axhenda reformuese
Realizimi i shtyllës së tretë dhe të katërt në vendin tonë do të monitorohet nga Ministria e Financave, e cila do të jetë koordinatore e Axhendës reformuese. Kjo axhendë do t’i referohet reformave strukturore të Programit të fundit të Reformës Ekonomike (ERP) dhe konkluzioneve të përbashkëta të lidhura me të, të miratuara në Dialogun ekonomiko-financiar, si dhe metodologjisë së rishikuar të zgjerimit, pakos së fundit të zgjerimit dhe Planit ekonomiko-investues për Ballkanin Perëndimor. Ajo do t’i identifikojë reformat prioritare, të cilat do të shërbejnë si kushte për disponimin e mjeteve financiare nga BE-ja, sipas dinamikës kohore të paracaktuar.
Pas miratimit të Agjendës reformuese nga KE-ja, çdo 6 muaj, Ministria e Financave do t’i parashtrojë BE-së kërkesë për tërheqjen e fondeve, ndërsa BE-ja do të monitorojë nëse janë plotësuar kushtet për transhenë, sipas të cilave do të ofrojë në dispozicion plotësisht ose pjesërisht mjete, sipas nivelit të përmbushjes së kushteve.
Për Maqedoninë e Veriut pritet të ndahen 860 milionë euro, nga të cilat rreth një e treta duhet të jetë si përkrahje e pakthyeshme për investime infrastrukturore.
Forcë shtytëse për ekonomitë në rajon
Përkrahja e BE-së nëpërmjet këtij Plani të rritjes është forcë shtytëse sinjifikative për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, ekonomitë në zhvillim, që jo shumë kohë më parë kaluan periudhën e tranzicionit dhe më pas për një sërë krizash me karakter global dhe krizën gjeopolitike, që e kanë rënduar më tej procesin e konvergjencës.
Megjithatë, këto ekonomi u treguan rezistente. Krizat e fundit, që nga pandemia e më tej, vendet e Ballkanit Perëndimor arritën t’i tejkalojnë me sukses dhe të qëndrojnë në rrugën e rritjes dhe konvergjencës drejt ekonomive më të zhvilluara (edhe pse me tempo më të ngadalësuar se sa pritej). Për shembull, në vitin 2023 tregu i punës në rajon vazhdoi të përforcohej me 103.000 vende të reja pune nga mesi i vitit 2022 dhe 2023. Por pengesat strukturore vazhdojnë dhe duhet të adresohen, duke përfshirë tregun e punës (hendeku i rëndësishëm gjinor dhe mungesa në rritje e fuqisë punëtore). Këtu përfshihen edhe ndryshimet klimatike dhe ndikimi i tyre në disa degë ekonomike, qëndrueshmëria fiskale, dixhitalizimi dhe avancimi i aparatit shtetëror, si pjesë e sfidave strukturore, ndaj të cilave duhet të reagohet sa më shpejtë në mënyrë adekuate.
Në fund, dua të theksoj se tani kemi mundësi historike si në aspektin e progresit të procesit të integrimit evropian ashtu edhe në drejtim të sigurimit të kushteve socio-ekonomike sipas shembullit të BE-së edhe në vendin tonë. Duhet të punojmë shumë dhe të kemi vetëdije të përbashkët për arritjen e kësaj mundësie. Çdo funksionar, nëpunës shtetëror, politikan, pjesëmarrës shoqëror, qytetar duhet ta njohë rolin dhe përgjegjësinë e tij në krijimin e së nesërmes më të mirë në këtë vend. Kjo do të thotë ta sjellësh BE-në në shtëpi, respektivisht shoqëri dhe ekonomi që do të funksionojë sipas vlerave dhe rregullave evropiane dhe kjo do të thotë të bëhemi sa më shpejt pjesë e BE-së. Evropë në shtëpi – Më shpejt!