23 nëntor 2023, Shkup – Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut filloi aktivitetet për hartimin e axhendës reformuese për Planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor. Takimi i parë bilateral u mbajt dje në Bruksel, me ç’rast delegacioni u kryesua nga ministri i Financave, Fatmir Besimi ku u prezantuan aktivitetet reformuese.
“Në këtë plan janë përfshi katër fusha kryesore, përkatësisht pjesa e integrimit në tregun e përbashkët të BE-së, bashkëpunimi rajonal, reformat themelore që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave themelore dhe sundimin e ligjit dhe mënyra e financimit. Një pjesë tjetër e axhendës sonë reformuese janë projektet e investimeve që priten të përkrahen nga ky plan dhe instrumentet ekzistuese të BE-së. Përveç kësaj, me axhendën tonë reformuese kemi përcaktuar prioritete shtesë”, theksoi ministri Besimi për MIA-n.
Siç theksoi ai, këto prioritete shtesë i referohen mirëqeverisjes, përkrahjes së financave publike dhe reformave në administratën publike, në klimën e biznesit dhe ekonominë joformale, prioritetet që i referohen zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe përshtatjes së sistemit tonë arsimor, trajnimeve dhe shkathtësive sipas nevojave të tregut të punës, energjetikës dhe tranzicionit të gjelbër, si dhe dixhitalizimit të proceseve.
– Prioriteti i parë i referohet mirëqeverisjes, përkrahjes së financave publike dhe reformave në administratën publike. Qëllimi kryesor është të bëhen institucione që funksionojnë në mënyrë efikase në interes të qytetarëve dhe ekonomisë, të rritet niveli i profesionalizmit, përgjegjësisë, transparencës dhe efikasitetit të shërbimeve publike dhe atyre që janë pjesë e sektorit publik, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për administratën publike apo politikëbërësit, theksoi Besimi.
Ministri Besimi shtoi se fusha e dytë, ku përfshihen reformat sa i përket klimës afariste dhe ekonomisë joformale, i referohet reformave për përmirësimin e konkurrencës së ekonomisë vendase, qasjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për financat, përfshirjen e kompanive tona në zinxhirët global të furnizimit, qasjen në tregun evropian, si dhe uljen e ekonomisë joformale.
Gjithashtu, ministri Besimi shpjegoi se sa i përket uljes së ekonomisë joformale dhe përmirësimit të konkurrencës, përfshihet edhe bujqësia që posedon mundësi dhe potencial për zhvillim, me qëllim të uljes së ekonomisë joformale, por edhe shfrytëzimit në mënyrë më efikase të tokës bujqësore, si dhe mjeteve financiare që jepen si përkrahje për bujqit.
Fusha e tretë prioritare, siç u shpreh ministri, në aspekt të axhendës reformuese është zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe përshtatja e sistemit tonë arsimor, trajnim dhe shkathtësi sipas nevojave të tregut të punës.
Fusha tjetër prioritare është energjetika dhe tranzicioni i gjelbër, që i referohet reduktimit të përdorimit të lëndëve djegëse fosile, përkatësisht kalimit në burime të ripërtëritshme të energjisë, rritjes së efikasitetit energjetik, si dhe diversifikimit të burimeve të furnizimit me energji, me qëllim të përforcimit të pavarësisë energjetike dhe sigurisë, por edhe për rritjen e kapaciteteve vendore dhe uljen e varësisë vetëm nga një burim i energjisë, theksoi Besimi.
Në axhendën reformuese, krahas këtyre fushave prioritare, si fushë e veçantë horizontale, e cila ndërthuret me ato paraprake është edhe procesi i dixhitalizimit që do të thotë dixhitalizim i të gjithë sistemit.
Vendi ynë, si dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, deri më 6 dhjetor, Komisionit Evropian duhet t‘i dorëzojnë konceptin e reformave, i cili duhet t’i vlerësojë dhe t’i pranojë ato. Më pas, ato do t’i dorëzohen Këshillit të BE-së, i cili do t’i shqyrtojë më 13 dhjetor në Samitin e BE-së – Ballkani Perëndimor. Axhenda e plotë reformuese duhet të përfundojë në fillim të tremujorit të dytë të vitit 2024, me ç’rast do të vijojë realizimi konkret i reformave sipas dinamikës së përcaktuar dhe pagesa e mjeteve për përkrahjen e zbatimit të tyre.
Me Planin e rritjes për BP-në (Ballkanin Perëndimor), vendeve të rajonit ju ofrohet në dispozicion përkrahje financiare prej 6 miliardë eurove, nga të cilat 2 miliardë janë mjete grant dhe 4 miliardë janë hua. Gjysma e tyre ose 3 miliardë janë për përkrahje buxhetore të reformave dhe 3 miliardë euro për përkrahje të projekteve investuese. Nga Plani i rritjes për Republikën e Maqedonisë së Veriut do të jenë në dispozicion prej 800 deri më 900 milionë euro. Pagesa do të bëhet dy herë në vit dhe do të kushtëzohet me realizimin e axhendës reformuese.