Kolumna|

25 nëntor 2023, Shkup – Buxheti i shtetit është dokumenti më gjithëpërfshirës programor, i propozuar nga Qeveria, i diskutuar dhe i miratuar nga të përzgjedhurit e popullit. Ai është pasqyrë e të gjitha politikave, masave dhe aktiviteteve të zbatuara nga shteti në një periudhë fiskale. Si i tillë, buxheti meriton vëmendje të madhe të publikut, sidomos në një kohë plot me sfida dhe kriza ekonomike globale. Në “realitetin e ri”, të paraqitur në mjedisin global me shumë kriza, strategjia e mirë dhe plani adekuat do të na bëjnë më rezistentë, ndërsa ekonominë tonë më efektive.

Duke identifikuar sfidat e mjedisit global dhe nevojat zhvillimore të ekonomisë vendase, vitin e kaluar përforcuam planifikimin strategjik nëpërmjet vendosjes së buxhetimit afatmesëm dhe buxhetimit sipas performancës, vlerësuar përmes treguesve (Key performance indicators). Ky aspekt ëshë pjesë e reformës së madhe në financat publike, pjesë e së cilës është edhe Ligji i Buxheteve, që përfshin praktikat më të mira të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe direktivat e Bashkimit Evropian. Reforma në procesin e planifikimit dhe zbatimit të buxhetit është identifikuar si progres thelbësor në menaxhimin e financave publike nga institucionet ndërkombëtare, duke përfshirë Komisionin Evropian, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Përveç avancimit të procesit të buxhetimit, jemi fokusuar edhe në përmirësimin e strukturës së buxhetit nëpërmjet rritjes së komponentit zhvillimor (shpenzimet kapitale) në përputhje me Planin e rritjes së përshpejtuar ekonomike dhe Planin e investimeve publike dhe paralelisht vijojmë të destinohemi drejt rrugës së konsolidimit fiskal ose reduktimit gradual të hendekut mes anës së të hyrave dhe shpenzimeve të buxhetit, sipas Planit të qëndrueshmërisë fiskale. Pikësynimi ynë është që çdo buxhet i ardhshëm të ketë komponent të theksuar zhvillimor dhe njëkohësisht të jetë i qëndrueshëm fiskalisht, respektivisht buxhete të përshtatura sipas rregullit të artë në financat publike (investimet më të larta se deficiti).

Bazuar në angazhimin për stimulimin e zhvillimit ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit, konceptuam edhe propozimin e Buxhetit të vitit 2024. Para një jave prezantuam për publikun propozimin e Buxhetit, pasi u miratua nga Qeveria. Buxheti i vitit 2024 parasheh rritje më të lartë krahasuar me këtë vit (3.4% në raport me 2.3%), inflacion më të ulët (3.6% në raport me 9.2%) dhe deficit buxhetor (3.4% në raport me 4.8 %), të hyra më të larta (pa rritur detyrimet publike), investime kapitale më të larta në raport me deficitin, paga më të larta (për 160 milionë euro), pensione (për 170 milionë euro) dhe kompensime sociale (për 60 milionë euro), më shumë mjete për masa aktive të punësimit, si dhe mjete për mbrojtjen shëndetësore, më shumë mjete për studentët për bursa dhe racione studentore, reforma në subvencione në bujqësi dhe më shumë mjete për komunat. Megjithatë, për masat antikrizë parashihen rreth 60 milionë euro. Shkurtimisht, ky buxhet është konceptuar për sigurimin e përkrahjes për përshpejtimin e rritjes përmes komponentit të theksuar investues, përkrahjes së standardeve të qytetarëve, përmirësimit të shërbimeve publike dhe ofrimit të qëndrueshmërisë fiskale, e rrjedhimisht edhe stabilitetit makroekonomik.

 

Mjedis global me kriza të shumta

 

Në tre vitet e fundit, pothuajse të gjitha ekonomitë në botë u përballën me goditje lidhur me pandeminë, inazionin rus të Ukrainës dhe inflacionin dyshifror, si dhe ngushtimin e hapësirës fiskale, fragmantimin e kushteve financiare, rritjen e fragmentimit gjeopolitik dhe gjeoekonomik, si dhe ndryshimet klimatike. Megjithatë, duke marrë parasysh të gjitha këto rrethana, ekonomia globale tregoi rezistencë të lartë – rritja është ngadalësuar, por nuk është ndalur. Sipas projeksioneve të vjeshtës së FMN-së, rritja e ekonomisë globale pritet të ngadalësohet nga 3.5% në vitin 2022 në 3% këtë vit dhe 2.9% në vitin 2024, me efekte negative më të fuqishme në ekonomitë e zhvilluara në raport me ekonomitë në zhvillim. Aktiviteti ekonomik në BE në vitin 2023 pritet të mbetet i dobët dhe të shënojë rritje prej 0.7%, ndërsa në vitin 2024 rritja projektohet të jetë 1.5%, me atë që te partnerja jonë më e madhe tregtare – Republika Federale e Gjermanisë pritet rritje prej 0.9% në vitin 2024, pas rënies së projektuar prej 0.5 % në vitin 2023.

Inflacioni pritet të bjerë më tej, por vendet evropiane nuk pritet ta arrijnë objektivin e inflacionit prej 2% para vitit 2025.

 

Ekonomia vendase tregon rezistencë të lartë

 

Pavarësisht sfidave të mjedisit të jashtëm, ekonomia e brendshme tregoi nivel të lartë të rezistencës dhe vijon drejt rrugës së rritjes. Në gjysmën e parë të vitit 2023, PBB-ja shënoi rritje prej 1.6%, me ç’rast rritja e prodhimit ishte në bazë të gjerë, me kontributin më të madh nga sektori i shërbimeve, por edhe rezultate pozitive në prodhimin industrial. Sipas anës së shpenzimeve, rritja në gjysmëvjetorin e parë të vitit 2023 vjen si pasojë e kontributit pozitiv të eksportit neto, me rënie të kërkesës së brendshme, me rritje të konsumit privat dhe rënie të konsumit publik, si rezultat i politikës për reduktimin e shpenzimeve joprioritare.

Në kushtet e stagnimit ekonomik në Evropë, në vendin tonë, në vitin 2023 pritet rezultat ekonomik më i vogël por pozitiv me rritje të PBB-së prej 2.3%. Njëkohësisht, norma e inflacionit në vitin 2023 ra dukshëm, deri në 3.5% në tetor dhe pritet që deri në fund të vitit, inflacioni vjetor mesatarisht të mbetet në nivel njëshifror (9.2%). Shkalla e papunësisë gjithashtu shënon rënie, ndërkohë që rritja e pagave reale vihet re që në tremujorin e dytë të vitit.

 

Përshpejtimi i rritjes ekonomike në vitin 2024

 

Në vitin 2024, rritja ekonomike në vend pritet të përshpejtohet dhe të arrijë në 3.4%, në kushtet e rritjes së investimeve, rritjes së konsumit në nivel solid dhe rimëkëmbjes së kërkesës së jashtme. Kontributin më të madh drejt rritjes në vitin 2024 pritet ta kenë investimet bruto me rritje prej 8.4%, kryesisht si rezultat i intensifikimit të zbatimit të projekteve të mëdha shtetërore infrastrukturore (korridoret 8 dhe 10, autostrada dhe hekurudha, rrjeti i transmetimit të gazifikimit etj.), së bashku me masat për realizim më të madh të investimeve kapitale të parapara me Planin e rritjes së përshpejtuar ekonomike.

Përkrahja shtetërore për avancimin e sektorit privat dhe përforcimin e konkurrencës, inovacionit dhe zhvillimit teknologjik të ndërmarrjeve, nëpërmjet sigurimit të burimeve alternative dhe instrumenteve financuese, si dhe investimet e paralajmëruara për zgjerimin dhe krijimin e kapaciteteve të reja në zonat teknologjike zhvillimore industriale pritet të kontribuojnë në rritjen e investimeve private, si dhe procesi i anëtarësimit në BE, do t’i përforcojë proceset reformuese në vend dhe do të sigurojë rritje të nivelit të përkrahjes për investimet. Axhenda e gjelbër do të sigurojë stimulim shtesë për rritjen e investimeve.

Kontribut pozitiv mbi rritjen do të ketë edhe konsumi privat me uljen e presioneve inflacioniste, rritjen e mëtejshme reale të pagave dhe punësimit, rritjen e kreditimit dhe ruajtjen e niveli solid të remitancave nga jashtë. Rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik midis partnerëve tanë më të mëdhenj tregtarë dhe zinxhirëve globalë të prodhimit do të kontribuojë në dinamizmin e tregtisë së jashtme dhe rritjen e aktivitetit eksportues të kompanive vendase.

Norma e inflacionit në vitin 2024 pritet të stabilizohet dhe projektohet në 3.6% në kushtet e ruajtjes së nivelit të qëndrueshëm të çmimeve të energjensave dhe produkteve ushqimore në tregjet ndërkombëtare, si dhe ngadalësimit të mëtejshëm të inflacionit bazik.

Zhvillimet pozitive në tregun e punës pritet të vazhdojnë edhe në vitin 2024, me rritje të numrit të të punësuarve për 2% dhe rritje të pagës mesatare neto për 8.4% në bazë nominale, respektivisht 4.8% në bazë reale.

 

Konturet e buxhetit për vitin 2024

 

Zhvillimi dhe qëndrueshmëria – këto janë dy fjalët kyçe që përshkruajnë buxhetin e vitit 2024. Buxheti i vitit 2024 është zhvilluar, për shkak të ciklit të fuqishëm të investimeve në infrastrukturë që do të vijojë vitin e ardhshëm. Buxheti është i qëndrueshëm, sepse pavarësisht komponentit të lartë infrastrukturor, siç e theksova në fillim, vazhdojmë me konsolidimin fiskal. Deficiti buxhetor është ulur me gati një të tretën krahasuar me nivelin e projektuar për këtë vit në 3.4% të PBB-së (ku vetëm gjysma është deficiti primar, respektivisht 1.7% e PBB-së, ndërsa pjesa tjetër e deficitit destinohet për pagesën e interesit mbi borxhin e akumuluar nga e kaluara deri në periudhën e tanishme). Ky nivel korrespondon me projeksionet afatmesme në Strategjinë fiskale deri në vitin 2028, me ç’rast deficiti buxhetor në vitet 2025 dhe 2026 duhet të ulet në 3% ose në përputhje me kriteret e Mastrihtit, ndërsa në vitet 2027 dhe 2028 ai duhet të bjerë nën 3%, respektivisht 2.8% dhe 2.5%.

Të hyrat në buxhet janë projektuar në 310.1 miliardë denarë dhe janë 10% më të larta se në vitin 2023, ndërsa shpenzimet janë planifikuar në nivel prej 343.6 miliardë denarë ose 5.8% më të larta se në vitin 2023. Kështu, të hyrat dhe shpenzimet e planifikuara rezultojnë me reduktim të deficitit buxhetor në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 për 9.2 miliardë denarë, që do të thotë më pak huamarrje për 150 milionë euro.

 

Të hyra më të larta në buxhet pa rritje të detyrimeve publike

 

Projeksionet për të hyrat e Buxhetit për vitin 2024 i bazojmë në realizimin e të hyrave në vitin 2023, pritshmëritë për rritje ekonomike dhe përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit të sistemit të inkasimit të të hyrave publike. Këtu dua t’i veçoj masat dhe aktivitetet që zbatojmë dhe që do t’i zbatojmë në të ardhmen për uljen e evazionit tatimor nëpërmjet masave për formalizimin e ekonomisë joformale, vendosjes së teknologjive të avancuara, modernizimit dhe automatizimit të proceseve të punës, përforcimit të kapacitetet e institucioneve për inkasimin më të madh dhe më efikas të të hyrave tatimore, si dhe përforcimin e koordinimit institucional.

Njëkohësisht, të hyrat e përgjithshme tatimore në Buxhetin për vitin 2024 janë projektuar në vlerë prej 178.1 miliardë denarë, që është për rreth 10% më shumë se vlera e të hyrave të planifikuara për vitin 2023 dhe përbëjnë 18.1% në PBB për vitin 2024, që është afërsisht e barabartë me pjesëmarrjen e vitit paraprak. Projeksioni përfshin edhe efektet e pritshme fiskale nga zbatimi i reformave tatimore te tatimi mbi vlerën e shtuar, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, akcizat dhe tatimi mbi automjetet motorike.

Gjithashtu, janë marrë parasysh edhe projeksionet makroekonomike për PBB-në nominale, konsumin final, rritjen e numrit të të punësuarve dhe pagat mesatare, rritjen e importit dhe profitabilitetin e sektorit privat. Rritja më e madhe e të hyrave tatimore projektohet për të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale në raport me këtë vit, sipas pritshmërive për rritjen e numrit të të punësuarve, rritjen e pagave dhe rritjen e bazës tatimore dhe mundësinë e përfshirjes vullnetare në sistem nga një pjesë e të punësuarve të përkohshëm. Ecuri më e mirë pritet nga tatimi mbi fitimin, por edhe nga tatimi mbi vlerën e shtuar, që vjen si pasojë e rritjes së projektuar të konsumit final.

Qëllimi kryesor i politikës tatimore vijon të jetë inkasimi i drejtë i detyrimeve publike për sigurimin e mjeteve për përkrahjen e rritjes ekonomike dhe sigurimin e shërbimeve publike cilësore. Njëkohësisht, prioritete mbeten drejtësia, efikasiteti dhe produktiviteti i sistemit tatimor, transparenca e lartë tatimore, cilësia më e mirë e shërbimeve dhe tatimimi i gjelbër.

Kontributet sociale u planifikuan në nivel më të lartë për 11% krahasuar me vitin 2023, si rezultat i të gjitha arsyeve që përmenda edhe te tatimi mbi të ardhurat personale.

 

Për çfarë do të shpenzohet buxheti për vitin 2024?

 

Rimëkëmbja ekonomike dhe rritja e përshpejtuar; kryerja e rregullt dhe e vazhdueshme e të gjitha detyrimeve ligjore; zbatimi i vazhdueshëm i aktiviteteve zgjedhore; zbatimi i detyrimeve që rezultojnë nga anëtarësimi në NATO; përkrahja e sektorit privat dhe qytetarëve; rritja dhe përshpejtimi i zbatimit të projekteve infrastrukturore; tërheqja e investimeve të huaja dhe inovacioni i kompanive vendase – në këtë drejtim do të destinohet ana e shpenzimeve të Buxhetit për vitin 2024.

Me Buxhetin për vitin 2024, shpenzimet për pagesën e pagave janë planifikuar në vlerë prej 41.2 miliardë denarëve, gjegjësisht 18% më të larta në raport me buxhetin fillestar për vitin 2023 ose 10% në raport me vendimin për rishpërndarje. Me këto mjete do të mundësohet zbatimi i tërësishëm i dispozitave të Marrëveshjes së përgjithshme kolektive për të punësuarit në sektorin publik. Njëkohësisht, më duhet të theksoj se kjo vlerë projektohet në nivel të numrit ekzistues të të punësuarve në administratën publike, respektivisht punësimet e reja mund të realizohen në radhë të parë nëpërmjet mobilitetit dhe transferit të të punësuarve nga institucionet e tjera të sektorit publik ose përmes plotësimit të vendeve vakante të punës në aspekte të tjera, sipas masave qeveritare për racionalizimin dhe optimizimin e të punësuarve në sektorin publik.

Shpenzimet për mallra dhe shërbime kanë pjesëmarrje të barabartë në shpenzimet e përgjithshme për rreth 7.5%, ndërkohë që sigurohen mjete për mbarëvajtjen e funksionimit të institucioneve, si dhe mjete të domosdoshme për përmbushjen e detyrimeve që rezultojnë nga standardet e NATO-s.

Për pagesën e pensioneve janë planifikuar 83.6 miliardë denarë ose për 170 milionë euro më shumë, sipas metodologjisë së përcaktuar për përllogaritjen e pensioneve (50% rritje të shpenzimeve të jetesës, 50% rritje të pagës mesatare).

Janë siguruar mjete për pagesën e mbrojtjes sociale për shtresat më të ndjeshme të popullatës, për 60 milionë euro më shumë (të ardhura minimale të garantuara, sigurime sociale, transferta sociale). Mjete më të larta janë siguruar për masa aktive të punësimit (2 miliardë denarë), por edhe për pagesën e kompensimit financiar në rast të papunësisë.

Mbrojtja shëndetësore gjithashtu planifikohet të jetë në nivel më të lartë për rreth 45 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar, ku do të sigurohen mjete për medikamentin Trikafta dhe për programe të tjera të medikamenteve, shërbime shëndetësore, pagesën e detyrimeve të institucioneve publike shëndetësore, si dhe për sigurimin e mjeteve për rritjen e pagave për të gjithë të punësuarit në shëndetësinë publike në përputhje me Marrëveshjen e përgjithshme kolektive.

Gjatë vitit 2024 do të zbatohen modelet e reja për subvencionimin e bujqësisë me kritere të reja për dhënien e subvencioneve (subvencionim bazë dhe përkrahje shtesë), me qëllim të rritjes së prodhimit ushqimor, që do të bazohet në rendimentin e realizuar. Me modelin e ri, prioritet u jepet kulturave dhe produkteve me rëndësi strategjike për shtetin.

Në kuadër të subvencioneve për sektorin privat parashihen mjete për përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, rritjen e konkurrencës, aktivitetin inovativ, zhvillimin dhe kërkimin teknologjik, investimet e reja, përkrahjen e eksportit dhe plasimin drejt tregjeve të reja, përkrahjen për krijimin e vendeve të reja të punës etj.

Gjithashtu parashihet rritja e transfertave në Njësitë e Vetëqeverisjes Lokale (NJVL), bazuar në rritje të planifikuar të përqindjes së të hyrave nga TVSH-ja të shpërndara për komunat (nga 4.5% në 6% të TVSH-së së inkasuar në vitin paraprak). Sigurohet rritja e subvencionit të përgjithshëm për komunat për 15.5% krahasuar me vitin 2023, me qëllim të rritjes së kapacitetit fiskal të komunave. Ato do të shpërndahen në tri pjesë: pjesa bazë – 4.5%, pjesa e performancës – 0.75% dhe pjesa e barazimit – 0.75%. Mjete do të sigurohen edhe për rritjen e pagave në komuna përmes bllok dotacioneve.

Për përkrahjen e kategorive më të ndjeshme të qytetarëve dhe për përkrahjen e ekonomisë janë planifikuar mjete për masa antikrizë në vlerë prej 60 milionë euro. Mjetet për këtë destinim janë paraparë edhe në programe të tjera të ministrive, si Programi i varfërisë energjetike në Ministrinë e Ekonomisë dhe Programi i të hyrave minimale të garantuara në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Gjithashtu, krahas programeve të Qeverisë për përkrahjen e investimeve dhe zhvillimit ekonomik, janë siguruar kredi të favorshme nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI), Banka e Këshillit të Evropës (CEB) dhe Agjencia Franceze e Zhvillimit (ADF) në vlerë prej 200 milionë eurove, të cilat do të realizohen nëpërmjet Bankës Zhvillimore dhe bankave tregtare, të cilat do të sigurojnë 200 milionë euro mjete shtesë nga mjetet e tyre për këto linja kreditore për ekonominë edhe atë për tranzicionin e gjelbër, dixhitalizimin, likuiditetin dhe investimet.

Për ekonominë vitin e ardhshëm do të destinohen 400 milionë euro kredi të favorshme. Këtu, natyrisht, duhet përmendur edhe masat sistemike që zbatohen në vitin aktual dhe do të vazhdojnë edhe në vitin e ardhshëm e më tej, respektivisht zgjidhjet ligjore me metodologji për harmonizimin e vazhdueshëm të pagës minimale, pensioneve dhe pagave në sektorin publik sipas lëvizjeve të çmimeve dhe rritjes së ekonomisë, duke siguruar kështu standard më të mirë jetese për qytetarët tanë. Do të thotë se buxheti në vitin 2023 shënon rreth 190 milionë euro, ndërsa në vitin 2024 ajo vlerë do të jetë rreth 330 milionë euro.

 

Shpenzimet kapitale sipas “rregullit të artë” në financat publike

 

Gjatë vitit 2024, me mjete buxhetore në vlerë prej rreth 45 miliardë denarë, ose 11.5 miliardë denarë (187 milionë euro) më të larta se deficiti buxhetor, sipas rregullit të artë fiskal. Janë planifikuar investime të konsiderueshme në fushën e infrastrukturës rrugore, që kanë të bëjnë me projektimin dhe ndërtimin e një pjese të Korridorit 8, përkatësisht zgjerimin e autostradës Tetovë-Gostivar, ndërtimin e autostradës së re Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë, si dhe ndërtimin e pjesës Gostivar-Bukojçan. Ndërtimi i pjesës Prilep-Manastir është planifikuar për Korridorin 10 d. Gjithashtu është planifikuar edhe përgatitja e studimit të fizibilitetit për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren.

Gjithashtu planifikohet vazhdimi i ndërtimit të pjesës lindore të Korridorit 8, pjesa Rankovc-Kriva Pallankë, i financuar me hua nga Banka Botërore dhe ndërtimi i pjesës Kriva Pallankë deri në kufirin me Bullgarinë, me mjete nga BERZH-i dhe me grant nga WBIF-ja. Pjesa perëndimore e Korridorit rrugor 8 do të financohet edhe përmes ndërtimit të autostradës Kërçovë-Bukojçan, me hua nga BERZH-i dhe ndërtimi i pjesës Kërçovë-Ohër, me hua nga Banka EKSIM. Gjithashtu, ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë do të financohet me hua nga BERZH-i, ndërsa përmirësimi i infrastrukturës rrugore të komunave do të realizohet përmes Projektit për lidhjen e rrugëve lokale nga Banka Botërore. Vazhdojnë aktivitetet për realizimin e Projektit për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë vitit 2024 janë planifikuar mjete për vazhdimin e realizimit të fazës së parë dhe të dytë të Projektit për ndërtimin dhe rehabilitimin e pjesës lindore të linjës hekurudhore të Korridorit 8 dhe në vitin 2024 do të fillojë realizimi i fazës së tretë për ndërtimin e pjesës lindore të linjës hekurudhore të Korridorit 8. Në kuadër të infrastrukturës hekurudhore, në vitin 2024 në bashkëpunim me BERZH-in do të përgatitet dhe zbatohet projekti, i cili parasheh ndërtimin e kalimit të përbashkët kufitar me Republikën e Serbisë, gjegjësisht ndërtimin dhe furnizimin me pajisje të stacionit hekurudhor të Tabanocit. Përmes mjeteve IPA realizohet projekti për ndërtimin e pjesës rrugore Gradsko – Drenovë, si pjesë e drejtimit rrugor të Korridorit Xd.

Në fushën e infrastrukturës komunale dhe menaxhimit të mbetjeve do të vazhdojë intensifikimi i dinamikës së ndërtimit të sistemeve të ujësjellësve dhe kanalizimeve në komuna, ndërsa projekte të rëndësishme kapitale në këtë fushë janë Projekti rajonal për mbetjet e ngurta si dhe stacioni i trajtimit të ujërave të zeza në Shkup.

Në vitin 2024, në bashkëpunim me Bankën Botërore, do të fillojë projekti i ri për zhvillim të qëndrueshëm të komunave, përmes të cilit do të vazhdojë përkrahja e Qeverisë së komunave dhe do të vazhdojë zbatimi i Projektit për efikasitet energjetik në sektorin publik.

Do të vazhdojë rregullimi i zonave zhvillimore teknologjike industriale, si dhe janë planifikuar investime të konsiderueshme kapitale në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, mbrojtjen e fëmijëve dhe sportin. Do të veçoja prokurimin me pajisje mjekësore dhe rindërtimin e Spitalit të Përgjithshëm në Kërçovë, edhe pse lista e projekteve është e gjatë.

Në drejtim të përkrahjes së sektorit bujqësor janë planifikuar investime të konsiderueshme kapitale, të cilat kanë si pikësynim zhvillimin rural, ndërtimin e hidrosistemeve dhe investime për përmirësimin e konkurrencës si dhe modernizimin e ekonomive bujqësore.

Gjithashtu, do të zbatohen aktivitete për vendosjen e Sistemit të Integruar për Menaxhimin e Informacioneve Financiare, Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Informacioneve Tatimore dhe Sistemit të Menaxhimit të Informacioneve të Ndihmës Shtetërore si pjesë e konceptit  të Financave SMART.

 

Financimi i deficitit dhe shlyerja e borxhit

 

Deficiti i projektuar për vitin 2024, si dhe shlyerja e borxhit që maturon në vlerë prej 45 miliardë denarëve do të financohet me huamarrje të brendshme dhe të jashtme. Huamarrja e brendshme parashihet nëpërmjet letrave me vlerë (LSHV) dhe/ose huave të brendshme, me kushte të favorshme, duke shfrytëzuar norma interesi më të favorshme. Huamarrja jashtë vendit mund të realizohet nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë të borxhit në tregun ndërkombëtar të kapitalit, nëpërmjet tërheqjes së huasë nga BE-ja për përkrahje makrofinanciare, nga Banka e Zhvillimit të Këshillit të Evropës dhe nëpërmjet tërheqjes së mjeteve nga kreditë e favorshme nga institucionet e jashtme financiare dhe linjat kreditore të destinuara për financimin e projekteve të caktuara dhe deficitit buxhetor. Zgjedhja e burimit të financimit do të bazohet në kushtet e favorshme aktuale të tregjeve ndërkombëtare të kapitalit.

Për t’i menaxhuar në mënyrë prudente financat publike, Ministria e Financave do ta shqyrtojë mundësinë e menaxhimit aktiv të portofolit të borxhit dhe zbatimit të instrumenteve financiare inovatore.

Një pjesë e konsiderueshme e financimit të jashtëm të buxhetit tashmë është siguruar nga riprogramimi i huamarrjes paraprake dhe financimi programatik i buxhetit bazuar në reforma dhe politika me kredi të favorshme nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Gjatë vitit 2022 nënshkruam Programin e përkujdesjes dhe likuiditetit me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vlerë prej 530 milionë eurove, nga të cilat 260 milionë euro janë për likuiditet (100 milionë euro në vitin 2022 dhe 160 milionë euro në vitin 2023), me ç’rast kjo paraqet bazë për mjete shtesë prej 100 milionë eurove për përkrahje makrofinanciare nga Komisioni Evropian, pastaj 150 milionë euro për Programin e politikave zhvillimore nga Banka Botërore dhe OPEC, 90 milionë euro nga Banka Gjermane e Zhvillimit (KfV) dhe 50 milionë euro të tjera priten në tremujorin e parë të vitit 2024 nga Banka e Këshillit të Evropës (CEB).

Portofoli i përgjithshëm arrin në 650 milionë euro, pako për financimin buxhetor me kushte të favorshme me maturim mbi 10 vjet, me periudhë grejs pagese deri në 5 vjet dhe me norma interesi mesatarisht 4 pikë përqindje më të ulëta se rendimenti i euroobligacionit tonë në tregjet financiare botërore. Vetëm në bazë të interesit, kursimet në buxhet nga kjo pako arrijnë vlerën 260 milionë euro për periudhë dhjetëvjeçare, që është afërsisht data e maturimit të kësaj pakoje. Këtu do të shtoj vetëm se garancitë e huave të siguruara për projektet infrastrukturore të përmendura më sipër kanë kredi edhe më të favorshme për financimin afatgjatë të projekteve infrastrukturore të zhvillimit me afat maturimi 20 vjet, grejs periudhë 5 vjeçare dhe me interes akoma më të favorshëm.

E rëndësishme për t’u përmendur në financimin e rritjes dhe zhvillimit tonë ekonomik është Plani i ri i rritjes për Ballkanin Perëndimor nga Komisioni Evropian 2024-2027, i cili do të sigurojë 6 miliardë euro për rajonin, nga të cilat 2 miliardë euro do të jenë grant dhe 4 miliardë euro kredi të favorshme me afat maturimi nga 20 deri në 40 vjet. Mjetet do të shpërndahen në vlerë prej 3 miliardë eurove për përkrahje buxhetore për reformat dhe politikat zhvillimore dhe 3 miliardë euro do të destinohen për investimet zhvillimore infrastrukturore.

 

Konsekuenca e reformës buxhetore

 

Nëse më duhet t’i përmbledh qëndrimet e mia për buxhetin e vitit të ardhshëm, do të theksoj se jam i kënaqur që kemi qëndruar konsekuent edhe me këtë buxhet, me atë që kemi dashur të arrijmë me reformën e Ligjit të Buxheteve.

Këtu, në radhë të parë do ta theksoj sigurimin e qëndrueshmërisë fiskale, si parakusht për stabilitetin makroekonomik dhe zhvillimin ekonomik. Vijojmë të jemi konsekuent me të gjitha dokumentet e tjera sistemike që janë pjesë e reformave të financave publike – Plani i përshpejtimit të rritjes, Plani i investimeve publike, Reforma tatimore (nga aspekti i zgjerimit të bazës tatimore, jo rritjes së tatimeve), Strategjia e formalizimit të ekonomisë joformale etj.

Në ekonomi dhe menaxhim, vendosja e duhur e qëllimeve, strategjisë dhe planit aksional është thelbësore për realizimin e mëtejshëm. Transparenca fiskale, nga ana tjetër është forma më e lartë e kontrollit, prandaj shpresoj të kemi diskutim të frytshëm në Shtëpinë e Demokracisë në ditët vijuese.

Përshkrimi më i mirë i “normalitetit të ri” që po kalojmë në këtë periudhë me kriza të shumta i ngjan thënies popullore: “Gjërat e këqija vijnë shpejt dhe pa pritur, ndërsa të mirat vijnë ngadalë me shumë mund dhe durim”.

 

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *