22 dhjetor 2023, Shkup – Buxheti për vitin 2024, i cili nga sot është në rendin e ditës në seancën plenare në Kuvend, bazohet në rregullat e reja fiskale nga Ligji i Buxheteve dhe siguron mbarëvajtjen e sistemit të qëndrueshëm, të parashikueshëm të politikave fiskale që është në drejtim të uljes së deficitit buxhetor dhe borxhit publik, nxitjes së aktivitetit ekonomik nëpërmjet shpenzimeve kapitale, si dhe përkrahejs së targetuar për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve dhe ekonomisë.
“Propozimi i Buxhetit për vitin 2024 targeton prioritetet dhe alokon mjetet në përputhje me rrethanat për përmbushujen e nevojave publike të qytetarëve dhe kompanive, përkatësisht sigurimin e kushteve për rritje të qëndrueshme ekonomike, konsolidimin e vazhdueshëm fiskal dhe përforcimin e qëndrueshmërisë fiskale, alokimin e mjeteve për përkrahjen e targetuar të qytetarëve të kategorive më të ndjeshme dhe ekonomisë, intensifikimin e konvergjencës së vendit drejt BE-së dhe zbatimin e detyrimeve që dalin nga anëtarësimi në NATO”, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi duke shpjeguar Propozimin e Buxhetit të Plotësuar për vitin 2024 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ai shtoi se deficiti buxhetor në vitin 2024 është në përputhje me rregullat fiskale, përkatësisht në nivel prej 3.4%, nëse kemi parasysh se 0.4% e deficitit buxhetor janë mjete për masat antikrizë dhe gjithashtu 1.7% janë për pagesat e interesit për borxhin e akumuluar nga e kaluara. Borxhi publik poashtu është në kuadër të rregullave fiskale dhe në fund të këtij viti do të jetë nën nivelin e 60%, përkatësisht 59.3% të PBB-së. Me politika të tilla, do të vazhdojmë edhe në periudhën e ardhshme në përputhje me Strategjinë fiskale dhe Strategjinë e menaxhimit të borxhit publik.
Ministri thekson se është thelbësore që struktura e buxhetit të ndryshojë. “Nga viti i kaluar, niveli i shpenzimeve kapitale është vendosur në dyfishin e nivelit të vitit 2020. Kjo tendencë vazhdon edhe në Buxhetin e vitit 2024, në të cilin investimet kapitale janë në nivelin prej 45.2 miliardë denarëve dhe të cilat janë gjithashtu në nivel më të lartë se deficiti buxhetor.
Në Buxhetin e vitit 2024, të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 310.1 miliardë denarëve dhe janë për 10% më të larta se në vitin 2023, ndërsa shpenzimet janë planifikuar në nivel prej 343.6 miliardë denarëve ose rreth 5.8% më të larta në raport me vitin 2023. Këto të hyra dhe shpenzime të planifikuara rezultojnë me ulje të deficitit buxhetor krahasuar me vitin 2023 për rreth 9.2 miliardë denarëve dhe i njëjti është projektuar në vlerë absolute prej 33.5 miliardë denarëve ose në nivel prej 3.4% të PBB-së së planifikuar.
Mjetet janë të destinuara për realizimin e projekteve infrastrukturore tashmë të filluara, gjegjësisht investime në rrugë dhe hekurudha, në infrastrukturën energjetike dhe komunale, si dhe investime kapitale për përmirësimin e kushteve në shëndetësi, arsim dhe sistemin social, bujqësi, kulturë, sport, mjedisin jetësor dhe drejtësi.
Në Buxhetin e vitit 2024 janë siguruar për 6.7% më shumë mjete krahasuar me vitin 2023 për pagesën e rregullt të pagave për të punësuarit në sektorin publik, pagesën në kohë dhe të rregullt të pensioneve, të ardhurave minimale të garantuara dhe të drejtat e tjera sociale, pagesën e subvencioneve në bujqësi, përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përkrahjen dhe subvencionimin e aktiviteteve inovative të ndërmarrjeve.
Duke pasur parasysh ekzistimin e pasigurisë nga kriza, në Buxhet janë paraparë mjete në vlerë prej 60 milionë eurove për përkrahjen e targetuar të kategorive më të ndjeshme të qytetarëve dhe ekonomisë. Gjithashtu, mjete për këtë qëllim janë parashikuar edhe në programet e tjera të ministrive, si Programi për varfërinë energjetike dhe Programi për të ardhura minimale të garantuara në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale etj.
Në vitin 2024 pritet rritja ekonomike, e cila projektohet në 3.4% ndërsa inflacioni në nivelin prej 3.6%.
Debati për Propozimin e Buxhetit të Plotësuar për vitin 2024 në Kuvend sipas Rregullores duhet të zgjasë 5 ditë.