22 dhjetor 2023, Shkup – Nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të bëhet ndryshimi sistematik në procesin e punësimit në sektorin publik, duke e thjeshtësuar procedurën dhe decentralizimin e saj në nivel mikro, gjegjësisht në nivelin e menaxhmentit të institucionit ku duhet të kryhet punësimi.
Këtë e bëri të ditur ministri i Financave, Fatmir Besimi, në takimin me gazetarët, ku theksoi se kjo është paraparë me ndryshimet në Ligjin e Buxheteve, i cili është në procedurë parlamentare.
Me procedurën e re më të thjeshtësuar, procesi i punësimit në sektorin publik do të bëhet në bazë të planit të miratuar të punësimit për shfrytëzuesin buxhetor ose institucionin, si dhe në bazë të buxhetit të votuar në Kuvend, plotësuar me deklaratën e personit udhëheqës të institucionit për mjetet financiare të siguruara për punësim për të cilën mbahet përgjegjësi” theksoi ministri Besimi.
Ministri Besimi shtoi se në këtë mënyrë decentralizohet procesi dhe alokohet përgjegjësia në nivel mikro, në nivel të menaxhmentit të institucionit ku realizohet punësimi dhe kjo përgjegjësi përforcohet me deklaratën që nënshkruhet nga personi udhëheqës në Agjencinë e Punësimit ose Agjencinë e Nëpunësve Administrativë, në varësi ku do të publikohet shpallja.
Bëhet fjalë për një reformë serioze në procedurën e punësimit, e cila do ta decentralizojë procesin dhe përmirësojë menaxhimin e kapitalit njerëzor. Procedura përmban mekanizma kontrolli, që nënkupton se nuk do të mund të publikohet shpallje pa u miratuar ajo në Planin e punësimit”, thekson ministri.
Në takimin me gazetarët, ai theksoi se kjo risi do të fillojë të zbatohet nga 1 janari i vitit 2024.
Në takimin me gazetarët, ai trajtoi çështjen e punësimit në Sektorin e Shëndetësisë, me ç’rast theksoi se, po kërkohet zgjidhje e qëndrueshme, se komunikimi po zhvillohet në baza ditore, se janë shqyrtuar të gjitha opsionet dhe se do të krijohet zgjidhje sipas nevojave.
Lidhur me çështjen e pagave të të punësuarve në Ministrinë e Financave, theksoi se pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe se, lidhur me çështjen në fjalë Ministria e Financave mban qëndrimin paraprak.