13 mars 2024, Shkup – Vendi ynë përfundoi konstruksionin financiar për realizimin e projektit të ndërtimit të Interkonektorit të Gazit me Greqinë duke siguruar 98.6 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Sot, në Kuvend u miratua Ligji i Garancisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Detyrimet nga Marrëveshja e Huas për Financimin e Projektit për Gazifikimin Rajonal, i cili do të nënshkruahet ndërmjet SHA “NOMAGAS” dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
“Projekti për gazifikim rajonal ka rëndësi strategjike për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me këtë projekt, sigurohet furnizimi dhe diversifikimi i burimeve të furnizimit, duke rritur njëkohësisht pavarësinë energjetike. Gjithashtu, ndikon mbi sigurimin e rritjes së përshpejtuar dhe të qëndrueshme ekonomike, standardin më të lartë të jetesës dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve” theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, duke shtuar se bëhet fjalë për një prej projekteve më prioritare të vendit dhe të rajonit, ku me ç’rast projekti në fjalë është përkrahur nga të gjitha institucionet relevante evropiane.
Ai shtoi se kjo është pjesë e pakos së investimeve për realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore në periudhën e ardhshme, siç janë infrastruktura rrugore, hekurudhore, energjetike dhe të ngjashme. Ato janë motori i zhvillimit për sigurimin e rritjes së qëndrueshme.
Për realizimin e projektit janë siguruar 28,9 milionë euro hua nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI), grant nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (BVIF) në vlerë prej 12.7 milionë eurove dhe nga BERZH-i në vlerë prej 98,6 milionë eurove.
Me këtë projekt është përfshirë ndërtimin i interkonektorit me Greqinë (66 km) dhe të dyja
akset rrugore: aksi Gostivar – Kërçovë (34 km), aksi Shën Nikollë – Veles (28 km). Realizues i projektit është SHA “NOMAGAS” – Shkup.
Pas miratimit të Ligjit të Garancisë nga Kuvendi, do të nënshkruhet Marrëveshja e Garancisë ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe BERZH-it, Marrëveshja e huasë ndërmjet SHA “NOMAGAS” – Shkup dhe BERZH-it, si dhe Marrëveshja për rregullimin e të drejtave dhe detyrimeve të ndërsjella ndërmjet Ministrisë së Financave dhe SHA “NOMAGAS” – Shkup.