24 qershor 2024, Shkup – Paraditen e sotme në Ministrinë e Financave është bërë pranim-dorëzimi i funksionit të ministrit të Financave. Ministrja e re, Gordana Dimitrieska-Koçoska e mori funksionin nga ministri i deritanishëm i Financave, Fatmir Besimi.
Gjatë takimit, Besimi e informoi ministren e re me aktivetet dhe projektet e deritanishme në të cilat po punon Ministria e Financave. Gjatë këtij takimi u theksua se Ministria e Financave ka rol të rëndësishëm dhe se është shumë me rëndësi të zbatohen reformat të cilat do të sigurojnë qëndrueshmëri në financa dhe rritje ekonomike.
“E mora këtë funksion nga paraardhësi im, ish ministri Fatmir Besimi, duke u impenjuar për punë të përkushtuar dhe të ndershme gjatë kryerjes së këtij funksioni”, ka shkruar ministrja Dimitrieska-Koçoska në profilin e saj në fejsbuk.
Dimitrieska-Koçoska është pjesë e Qeverisë së Kryeministrit Hristijan Mickoski, e cila u votua mbrëmjen e djeshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Fatmir Besimi e udhëhoqi këtë ministri që nga muaji shtator i vitit 2020.