27 qershor 2024, Shkup – Sot, më datë 27.06.2024, në hapësirat e Entit Shtetëror të Revizionit, ministrja e sapozgjedhur e Financave, znj. Gordana Dimitrieska-Koçoska realizoi takim pune me kryerevizorin shtetëror, z. Maksim Acevski.
Temë diskutimi në takimin e sotëm të punës ishin çështjet që i referohen sfidave në menaxhimin e financave publike, nevojës së rritjes së transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e mjeteve publike dhe rolit sinjifikativ të Entit Shtetëror të Revizionit në drejtim të përforcimit të kapaciteteve institucionale dhe krijimit të mjedisit efikas të kontrollit dhe mbrojtjes së mjeteve publike.
Kryerevizori shtetëror, z. Acevski e mirëpriti nismën e ministres Dimitrieska-Koçoska dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe përkrahje të mëtejshme. Ai thekson njëkohësisht rëndësinë e miratimit të ligjit të ri, respektivisht Ligjit të Revizionit Shtetëror, me të cilin përforcohet pavarësia financiare dhe operative e Entit Shtetëror të Revizionit, si dhe sigurohet mundësia për të proceduar sipas rekomandimeve të revizionit dhe për t’i rishikuar raportet e revizionit nga Kuvendi.
“Ky aktivitet është përgjigje ndaj kërkesave të Bashkimit Evropian dhe Standardeve Ndërkombëtare të Revizionit Shtetëror (ISSAI)”, theksoi kryerevizori shtetëror.
“Ky takim është vetëm një nga aktivitetet e shumta që kanë për qëllim avancimin e rolit të revizionit shtetëror, i cili ka rëndësi kruciale për arritjen e qëllimeve të përcaktuara reformuese në sektorin financiar”, shtoi Dimitrieska-Koçoska.
Të dy bashkëbiseduesit u shprehën të përkushtuar dhe të hapur për një bashkëpunim më intensiv në drejtim të menaxhimit më të mirë dhe më të përgjegjshëm të mjeteve publike, rritjes së besimit të qytetarëve në efikasitetin e sistemit dhe mënyrës së shfrytëzimit të mjeteve të obliguesve tatimorë.