27 qershor 2024, Shkup – Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në intervistën për BIRN zbuloi se për çfarë do të shpenzohen një miliard eurot e paralajmëruara, për vazhdimin e projektit TVSH-ja ime, si dhe për politikën buxhetore që do të zbatohet.
“Një pjesë e mjeteve financiare do të destinohen për sektorin privat, përkatësisht 250 milionë euro nga ato para Banka Zhvillimore, përmes bankave komerciale, do t’i plasojë në sektorin privat. Njëkohësisht, edhe sektori privat do të ketë detyrime të përcaktuara nëse i shfrytëzon këto mjete financiare, si për shembull, rritja e vëllimit të prodhimit etj. Qëllimi është që sektori privat të marrë kredi me kushte të favorshme. Pjesa tjetër në vlerë prej 750 milionë eurove do të shfrytëzohet për financimin e projekteve kapitale. Ndër projektet kapitale janë rruga Kërçovë-Ohër dhe autostradat që po i ndërton “Bechtel dhe Enka”, nevojat e ARM-së në përputhje me kërkesat e NATO-s, projektet e komunave dhe digjitalizimi”, theksoi ministrja e Financave Dimitrieska-Koçoska.
Lidhur me atë se pse është vendosur që huamarrja të bëhet përmes marrëveshjes me qeveri të një shteti tjetër dhe jo përmes tregut financiar ndërkombëtar, ministrja tha sepse kemi marrë kushte të favorshme, posaçërish norma të ulëta interesi në kohën e sotme kur interesat janë shumë të larta.
Në lidhje me politikat buxhetore që do të zbatohen, Dimitrieska-Koçoska, theksoi se të ardhurat në buxhet do të rriten si rezultat i realizimeve të mira në ekonomi dhe luftës kundër ekonomisë gri. Sa i përket shpenzimeve, ajo shtoi se çdo gjë që është joproduktive duhet të shkurtohet, ndërsa do të investohet në mënyrë serioze në projekte kapitale që do të sjellin përfitime për qytetarët.
“Do të qëndrojmë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe prej saj po ashtu pres kursime serioze”, njoftoi ministrja e Financave.