5 korrik 2024, Shkup – Nuk ka hapësirë në buxhet për vitin 2024 për ulje të shpenzimeve, andaj me anë të ribalancit do t’i rialokojmë mjetet nga zërat që nuk janë realizuar ose që janë dëshmuar si joproduktive. Analizat fillestare tregojnë se shpenzimet mund të shkurtohen rreth 200 deri në 300 milionë euro, por pasqyrë më e qartë do të ketë në ditët në vijim, sepse tashmë në Ministrinë e Financave janë dorëzuar shkresat e shfrytëzueve buxhetorë dhe do të punohet edhe gjatë fundjavës.
Këtë e theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska – Koçoska, e cila ishte e ftuar në emisionin “Vin Vin” në televizionin Tellma, ku theksoi se në mënyrë intensive do të punohet gjatë fundjavës lidhur me ribalancin, me ç’rast do të ketë informacione më konkrete.
“Duke qenë se analizat fillestare tregojnë se nuk ka vend për ulje në anën e shpenzimeve, sepse ka shpenzime të paplanifikuara, në këtë drejtim do të rialokojmë mjete. Qëllimi është që të ardhurat dhe shpenzimet e përgjithshme të mos ndryshohen në vlerë absolute, e si rrjedhojë, të mos ndryshohet deficiti buxhetor në vlerë absolute, por që në përqindje ai duhet të jetë më i lartë. Ajo që na shqetëson është borxhi publik, përqindja e të cilit do të shënojë rritje, sepse borxhi publik prej 61.2% është projektuar të rritet prej 3.4%, ndërsa të dhënat që i disponojmë tregojnë se ai do të jetë mes 2.1% dhe 2.5%”, tha ministrja e Financave.
Ajo theksoi se janë dhënë udhëzime për prezantimin sa më real të të dhënave. “Mjaft është, me projeksione dhe plane joreale, më mirë është të dimë se nga t’ia fillojmë, sa e përkeqësuar është gjendja, si janë shifrat dhe më pas të dimë se ku duhet të fokusohemi dhe çfarë duhet të përmirësojmë”.
Njëkohësisht, ajo shtoi se ka hapësirë për t’i shkurtuar shpenzimet e udhëtimit, shpenzimet e parapara për promovime dhe projekte që nuk janë realizuar.
Dimitrieska-Koçoska theksoi se, mjetet financiare që duhet të sigurohen në Buxhet për pagesën e pensioneve me rritjen e paralajmëruar, nuk janë presion mbi shpenzimet. Presion më të madh bëjnë pagesat e interesit. Sipas saj, duhet parë se çfarë mund të bëhet në pjesën e të ardhurave të Buxhetit, përkatësisht të shihet se sa është pjesa e ekonomisë gri.
Kontribut më të madh në këtë drejtim, siç theksoi ajo, do të ketë vendosja e e-faturës, e cila është e rëndësishme për realizimin e kthimit të TVSH-së. Është e nevojshme gjithashtu lidhja dhe komunikim i vazhdueshëm ndërmjet Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe Drejtorisë Doganore. Menaxhim i përgjegjshëm i drejtuesve në të gjitha institucionet.