20 shtator 2024, Shkup – Ministria e Financave dhe Bursa e Maqedonisë në periudhën e ardhshme në mënyrë aktive do të punojnë në zhvillimin e tregut sekondar për tregtimin e letrave me vlerë për rritjen e numrit të pjesëmarrësve dhe gjetjes së interesit të tyre në këtë drejtim. Këtë e bëri të ditur ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në Konferencën vjetore të 23-të të Bursës së Maqedonisë, e cila po mbahet sot në Ohër.
“Bursa është vend ku takohen investitorët, vend ku qarkullon kapitali, me ç’rast është shumë e rëndësishme që të krijohen kushte për hyrjen e sa më shumë pjesëmarrësve. Bursa është vend ku mund ta gjejnë interesin personat juridikë dhe fizikë, të cilët mund të investojnë mjete në burime alternative të financimit që ofrohen në të, përveç asaj që është tradicionale në vendin tonë të ofruar nga sektori bankar. Në atë drejtim, periudhën e ardhshme, së bashku me Bursën e Maqedonisë do të veprojmë në mënyrë më aktive, ndër të tjera edhe në zhvillimin e tregtimit sekondar të letrave me vlerë, që do të ketë përfitime të shumëfishta.
Domethënë, për emetuesin e parë do të ketë fitime sepse do të rritet interesimi për instrumentet që janë likuide. Për Bursën e Maqedonisë fitimi do të jetë rritja e vëllimit të tregtimit, ndërsa për poseduesit e letrave me vlerë, përparësia është se do të ketë instrument likuiditeti që mund shitet në çdo kohë, përkatësisht të materializohet”, theksoi ministrja e Financave dhe shtoi se Bursa do të shfrytëzohet si treg primar për fletobligacionet që Ministria e Financave planifikon t’i emetojë në periudhën e ardhshme.
Sipas ministres, bashkëpunimi me Bursën ka rëndësi të veçantë, sepse vendimtare për rritjen e interesit për tregtimin e letrave me vlerë të emetuara nga Ministria e Financave është që poseduesit e këtyre letrave me vlerë të jenë të sigurt që në çdo moment t’i materializojnë ato në tregun sekondar dhe në këtë mënyrë të sigurojnë mjete monetare likuide.
Ajo njoftoi se po punohet për miratimin e Vendimit për emetimin e 23-të të fletobligacioneve për denacionalizim në vlerë prej 1.5 milionë eurove, me ç’rast do të rritet oferta e letrave me vlerë që do të tregtohen në tregun sekondar të Bursës së Maqedonisë. Përndryshe, vlera e përgjithshme e 22 emetimeve të fletobligacioneve të emetuara më parë për denacionalizim arrin në 397 milionë euro.
Duke i mirëpritur rezultatet pozitive të punës së Bursës së Maqedonisë në gjysmën e parë të këtij viti, theksoi se Ministria e Financave do të vazhdojë ta përmirësojë rregullativën për sigurimin e zhvillimit të mëtejshëm të tregut të kapitalit.