Кumtesa|

24 shtator 2024, Shkup – Zbatimi i reformave është udhërrëfyesi i vërtetë për realizimin e plotë të integrimit tonë euroatlantik. BE-ja është prioritet për Qeverinë dhe Ministrinë e Financave dhe ekziston përcaktim i fuqishëm për zbatimin e Planit të ardhshëm të rritjes.

Kjo u konstatua nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, sot në takim me ambasadorin e ri të BE-së në vend, Mihail Rokas, të cilit i uroi mirëseardhje dhe mandat të suksesshëm.

                                                                                         

“Avancimi në zbatimin e reformave hap mundësitë për rritjen e investimeve dhe financimeve nga buxheti i BE-së, duke përfshirë edhe projektet e mëdha infrastrukturore, të cilat do ta përshpejtojnë edhe procesin e uljes së pabarazive ekonomike dhe sociale të vendit në lidhje me atë të BE-së. Prandaj fokusi do të vendoset në reformat dhe agjendën reformuese për përafrimin e vendit me BE-në, sigurimin e kushteve më të mira dhe standardin më të lartë për qytetarët”, tha ministrja Dimitrieska-Koçoska.

Në takim u diskutua për aktivitetet lidhur me realizimin e Planit të rritjes. Ministrja informoi se agjenda reformuese e vendit është miratuar nga Qeveria dhe se është dorëzuar në KE, me ç’rast priten hapat e ardhshëm të procesit dhe miratimi i mjeteve nga ana e BE-së për realizimin e agjendës vendore. Qëllimi kryesor i Agjendës reformuese është përforcimi i zbatimit të reformave përmes përshpejtimit të harmonizimit të vlerave, ligjeve, rregullave, standardeve, politikave dhe praktikave të sektorit publik të BE-së, sigurimit të menaxhimit transparent, zhvillimit të  ekonomisë konkurruese dhe të gjelbër dhe përkrahjes së procesit të aderimit me synim për anëtarësimin e ardhshëm në BE.

Gjatë takimit ministrja theksoi se BE-ja është partnerja jonë e rëndësishme, me ç’rast falënderoi BE-në për përkrahjen e vazhdueshme ndaj vendit me shpresën se ajo do të vazhdojë edhe në të ardhmen në drejtim të arritjes së qëllimit tonë – integrimin e plotë në BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *