Кumtesa|

21 tetor 2024, Shkup – Investimet bruto pritet që ta luajnë rolin kryesor në nxitjen e aktivitetit ekonomik dhe intensifikimin e tij gradual afatmesëm. Këtë e theksoi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski në intervistën për BlumbergAdria.

“Sipas Strategjisë së re fiskale 2025-2029, investimet bruto do të jenë nxitësi kryesor i rritjes ekonomike. Investimet pritet të rriten me normë mesatare prej 7.8% këtë periudhë.

Nxitës i investimeve bruto do të jetë niveli i lartë i investimeve kapitale të parashikuara në buxhet prej mesatarisht 4.7%, kundrejt nivelit prej rreth 3% në periudhën paraprake.

Në veçanti, pritet ndikim nga investimet në projektet infrastrukturore cilësore që do të kontribuojnë në rritjen e konkurrencës dhe zhvillimit të subjekteve afariste, si dhe në tërheqjen e investimeve të tjera të huaja”, theksoi Jankullovski.

Ai potencoi se Ministria e Financave po bën përpjekje maksimale për përmirësimin e stabilitetit makroekonomik dhe përkrahjen e aktivitetit ekonomik përmes konsolidimit gradual fiskal, përmirësimit të menaxhimit të financave publike dhe ruajtjes së nivelit të lartë të shpenzimeve kapitale.

Sa i përket politikës tatimore, ai theksoi se politika e normave të ulëta tatimore do të vijojë më tej dhe nuk do të ketë rritje të tatimeve.

“Qeveria do të udhëheqë politikë fiskale që do të bazohet në politikën fiskale të disiplinuar, uljen e ekonomisë gri dhe arkëtimin joselektiv dhe të rregullt të mjeteve në buxhetin e shtetit dhe natyrisht, konsolidimin fiskal.

Nëse dëshirojmë investime kapitale reale, vepra në ekonomi, lirime tatimore, subvencione, si dhe ulje të borxhit publik, kjo strategji fiskale duhet të respektohet nga të gjithë shfrytëzuesit buxhetorë”, theksoi zëvendësministri.

Ai shtoi se, si rezultat i konsolidimit fiskal gradual, pritet që në vitin 2025, borxhi publik të shënojë rënie të moderuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *