Кumtesa|

22 tetor 2024, Shkup – Nga dita e sotme e deri më 26 tetor, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska do të qëndrojë në Washington të SHBA-së, ku do të marrë pjesë në takimet e rregullta vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, me ç’rast do të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të këtyre dy institucioneve financiare ndërkombëtare, me përfaqësues të Thesarit të SHBA-së, si dhe takime bilaterale me kolegët e tyre.

 

Në kuadër të takimeve vjetore, ministrja Dimitrieska-Koçoska do të takohet me drejtorin e FMN-së për Evropë, Alfred Kammer, me drejtorin ekzekutiv të FMN-së, Paul Hilbers, me drejtorin alternativ ekzekutiv Luc Dresse, si dhe me Jeroen Clicq, i cili do të marrë postin e drejtorit ekzekutiv dhe Marnix van Rij, i cili do të jetë drejtori alternativ ekzekutiv në FMN. Në këto takime do të marrë pjesë edhe Annette Kyobe, shefe e misionit të FMN-së për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gjatë takimeve do të theksohen hapat e ndërmarra në drejtim të stabilizimit të financave publike, si dhe planet për konsolidimin fiskal dhe sigurimin e rritjes ekonomike.

 

Me përfaqësuesit e lartë të Grupacionit të Bankës Botërore do të diskutojmë për vazhdimin e bashkëpunimit të deritashëm dhe për përkrahjen që ka marrë vendi në vitet e kaluara. Janë planifikuar takime edhe me nënkryetaren e Bankës Botërore, Antonella Bassani, drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore, Eugene Rhuggenaath, si dhe me drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu.

 

Ministrja është paraparë që gjatë qëndrimit të realizojë takim edhe me zëvendëskryetarin rajonal të Korporatës Financiare Ndërkombëtare KFN (IFC), Alfonso Garcia Mora, me përfaqësuesit e Thesarit të SHBA-së, ku do të konfirmohet përkrahja që merr Ministria e Financave gjatë realizimit të përcaktimeve të saj programore, si dhe me përfaqësuesit e institucioneve financiare me të cilat vendi bashkëpunon gjatë procesit të emetimit të euroobligacioneve.

 

Gjatë qëndrimit të saj të punës në Washington, ministrja Dimitrieska-Koçoska do të zhvillojë takim me diasporën e Maqedonisë në SHBA, me ç’rast do të ketë mundësi të diskutojë për mënyrën se si ata jetojnë dhe veprojnë në shoqërinë amerikane, si dhe për politikat që zbaton Qeveria, të cilat janë në drejtim të përforcimit të lidhjeve me mërgimtarët.

Në takimet e rregullta vjetore, ku merr pjesë ministrja e Financave së bashku me guvernatoren e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, do të diskutohet për perspektivën ekonomike botërore, stabilitetin financiar global, stimulimin e rritjes ekonomike, ndikimin e ndryshimeve klimatike, si dhe për sfidat ekonomike.

 

Takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore mbahen në nivel vjetor, respektivisht në muajin tetor dhe hapin mundësi për dialog mbi temat aktuale në suaza globale ndërmjet ministrave të Financave, guvernatorëve, përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, sektorit civil, akademikëve etj.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *