Кumtesa|

29 tetor 2024, Shkup – Sot, Qeveria miratoi Propozimin e buxhetit për vitin 2025, i cili sjellë stabilizimin e financave publike dhe rritjen ekonomike, me konsolidimin e njëkohshëm fiskal. Siguruam më shumë para për shpenzimet kapitale dhe zhvillimin, mjete për pagesën në kohë dhe rritjen e pensioneve dhe paga më të larta në fushën e arsimit. Kjo u theksoa nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në një konferencë për media ku prezantoi Propozimin e miratuar të buxhetit për vitin 2025.

 

“Qeveria në mbledhjen e sotme miratoi Propozimin e buxhetit për vitin 2025, me të cilin vendosim themelet për stabilizimin e financave publike dhe rritjen ekonomike. Buxheti për vitin 2025 përfshin politika dhe masa për konsolidim fiskal, shpenzime të disiplinuara tatimore dhe masa e politika për nxitjen e rritjes ekonomike”, potencoi ministrja dhe shtoi se rritja ekonomike është parashikuar në nivel prej 3.7%, deficiti buxhetor në 4% të PBB-së dhe inflacioni në 2.2%.

 

Siç theksoi ministrja, të ardhurat e përgjithshme të Buxhetit planifikohen në nivel prej 358.838 miliardë denarëve, që paraqet rritje prej 13% në krahasim me këtë vit. Rritja e të ardhurave është në bazë të arkëtimit më efikas dhe luftës kundër ekonomisë joformale.

Shpenzimet e përgjithshme, shtoi ajo, janë projektuar në nivel prej 400.2 miliardë denarëve, që paraqet rritje prej 10% në krahasim me këtë vit, ndërsa deficiti është në nivel prej 4% ose në vlerë financiare prej 41.350 miliardë denarëve, ku në mënyrë nominale është më i ulët për 3.3 miliardë denarë në krahasim me këtë vit.

 

“Me një fjalë, krijuam buxhet që duhet të sjellë zhvillim real të shtetit. Shpenzimet kapitale janë në nivel prej 50.65 miliardë denarëve dhe shënojnë rritje prej 13% ose 6 miliardë denarë në raport me ribalancin e buxhetit për këtë vit. Sipas kësaj bazojmë zhvillimin, më ç’rast kjo reflektohet edhe në faktin se vlera e shpenzimeve kapitale është më e lartë se vlera nominale e deficitit. Ajo që është më e rëndësishme është krijimi i zgjidhjeve për arritjen e realizimit real të shpenzimeve kapitale dhe për ndryshimin e situatës së kaluar. Këtu do të jetë fokusi ynë, prandaj ndryshuam edhe politikën. Kjo politikë do të thotë përkrahje për projekte cilësore dhe projekte që mund të realizohen në periudhë afatshkurtër dhe t’i japin input rritjes ekonomike”, theksoi minstrja e Financave.

 

Ajo potencoi se me Propozimin e buxhetit janë krijuar politika të cilat  përkrahin standardin jetësor. Si për shembull, për pagesën e pensioneve ku parashihet rritje prej 2.500 denarëve dhe janë paraparë 105 miliardë denarë ose më saktësisht 15 miliardë denarë më shumë nga viti aktual.

Për pagesën e pagave janë siguruar 48 miliardë denarë në zërin e pagave dhe 2 miliardë denarë mjete shtesë si bllok-dotacione për rritjen e pagave në arsim, 14.5 miliardë denarë ose 500 milionë denarë më shumë janë destinuar për përkrahjen e kategorive të shtresave në nevojë, për kujdesin shëndetësor janë siguruar 5.2 miliardë denarë më shumë ose gjithsej 53.4 miliardë denarë.

Njëkohësisht ajo theksoi se po reduktohen mjetet për shpenzime joproduktive, si zërat buxhetorë për mobilie dhe automjete.

 

“Situata akoma na imponon që të kursejmë akoma më tepër, por do të veprojmë me kujdes që institucioneve t’u mundësojmë kryerjen e rregullt të kompetencave të tyre dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve cilësore për qytetarët dhe bizneset”, theksoi ministrja.

Propozimi i buxhetit për vitin 2025 do të dorëzohet në Kuvend për miratim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *