19 nëntor 2024, Shkup – Sot, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, së bashku me udhëheqësinë e Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe Drejtorisë Doganore, në Ministrinë e Financave u takua me delegacionin e Thesarit të SHBA-së, kryesuar nga Lien Tran, zëvendësndihmëse sekretare e Asistencës Teknike në Thesarin e SHBA-së. Në fokus të takimit ishte ndërmarrja e aktiviteteve në suaza të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet MF-së dhe Zyrës së Asistencës Teknike të MF-së së SHBA-së lidhur me projektin për përmirësimin e menaxhimit të financave publike.
Gjatë takimit u bisedua për aktivitetet që janë në vazhdimësi e sipër dhe për aktivitetet që do të fokusohen në periudhën e ardhshme në disa sektorë në suaza të MF-së, si dhe në Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Drejtorinë Doganore.
Pikësynimi është që me përkrahjen teknike të Thesarit të SHBA-së, të zbatohen proceset që janë paraparë me Ligjin e Buxheteve, që paraqet bazë për reformën e financave publike. Do të punohet mbi aktet nënligjore, përgatitjen e strukturës së re buxhetore, zhvillimin e indikatorëve të performancës etj..
Respektivisht punohet në modernizimin e proceseve, përmirësimin e inkasimit të të ardhurave, përforcimin e kontrollit tatimor, si dhe përmirësimin e kapaciteteve të drejtorisë dhe inspektoratit tatimor. Në punën doganore po ndërmerren aktivitete për avancimin e proceseve të çështjeve doganore.
Ministrja e Financave falënderoi për përkrahjen që merr Ministria e Financave, DAP-i dhe Drejtoria Doganore në përmirësimin e proceseve, përforcimin e kapaciteteve dhe funksionimin më efikas. Ajo vlerësoi se përkrahja është shumë domethënëse në zbatimin e reformave të financave publike për menaxhim më efikas të mjeteve buxhetore.
Ekspertët nga Thesari i SHBA-së punojnë me sektorët e buxhetit, sistemit financiar, marrëdhënieve financiare ndërkombëtare, borxhit publik, politikës tatimore, ndërsa përkrahja është në drejtim të përforcimit të procesit të buxhetimit, kontrollit dhe mbikëqyrjes së tregut financiar, menaxhimit të borxhit publik, si dhe përforcimit të tregjeve të letrave shtetërore me vlerë dhe tregjeve të kapitalit.