Кumtesa|

20 nëntor 2024, Shkup – Qeveria po bën përpjekje të mëdha në realizimin e projekteve kapitale për realizimin e të cilave janë siguruar mjete nga buxheti, por edhe nga kreditorët ndërkombëtarë dhe kjo është baza e konceptit të ri zhvillimor që do të zbatohet në 4 vitet e ardhshme. Kjo u theksua në takimin e ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska me drejtorin e BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, Matteo Colangeli.

 

“Koncepti i Qeverisë së re për arritjen e rritjes së përshpejtuar ekonomike bazohet në investime. Prandaj, me buxhetin për vitin e ardhshëm, shpenzimet kapitale janë planifikuar në 50.5 miliardë denarë, që është 13% më shumë krahasuar me këtë vit. Gjithashtu, përveç mjeteve të parashikuara buxhetore, disa nga projektet janë përkrahur edhe nga kreditorët ndërkombëtarë, ku më i madhi prej të cilëve është Banka Evropiane e Rindërtimit dhe Zhvillimit. Jemi të përkushtuar në përshpejtimin e dinamikës së realizimit të projekteve për të cilat janë nënshkruar marrëveshje huaje dhe kjo tashmë po realizohet edhe në terren. Gjithashtu po punohet edhe në projekte kapitale për zhvillimin e barabartë lokal, ku këtë vit janë ndarë 10 miliardë denarë, ndërsa vitin e ardhshëm 250 milionë euro”, theksoi ministrja e Financave.

 

Ajo shtoi se me përkrahjen e BERZH-it, janë duke u realizuar projekte në vlerë prej 1.3 miliardë eurove dhe se pjesa më e madhe është në sektorin e infrastrukturës së qëndrueshme, institucioneve financiare, si dhe në sektorin e industrisë, tregtisë dhe bujqësisë.

 

Ndër projektet për të cilat janë siguruar mjete janë autostrada Bukojçan-Kërçovë, vendkalimi kufitar Shkup-Bllacë, vendkalimi i përbashkët hekurudhor me Serbinë në VK Tabanoc, projektet e tjera të infrastrukturës hekurudhore, projekte energjetike me përkrahje për tranzicionin e gjelbër etj.

 

Në takim u diskutua edhe për përkrahjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Planit të rritjes, i cili ka për qëllim përkrahjen e realizimit të projekteve dhe përkrahjen buxhetore për zbatimin e reformave. Për vendin janë ndarë 750 milionë euro, nga të cilat 50% janë hua për përkrahje direkte buxhetore dhe 50% hua dhe përkrahje e pakthyeshme për investime në infrastrukturë përmes (WBIF-së).

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *