27 nëntor 2024, Shkup – Evazioni tatimor është sfidë e pranishme në të gjitha vendet, si në ato të zhvilluara, po ashtu edhe në ato të pazhvilluara, prandaj bashkëpunimi ndërmjet vendeve dhe shkëmbimi i informacioneve është aspekt kryesor në luftën kundër këtij fenomeni, theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska për Formunin global mbi transparencën dhe shkëmbimin e informacioneve për qëllime tatimore, që mbahet në Paraguaj.
“Evazioni tatimor është kudo, madje edhe në vendet e zhvilluara, kështu që përkrahja është e nevojshme për të gjithë, e jo vetëm për vendin tonë. Kur flasim për evazion tatimor, nuk është i rëndësishëm vetëm legjislacioni që do të miratohet, por shumë më i rëndësishëm është vullneti i Qeverisë që të ketë sukses në luftën kundër tij”, nënvizoi ministrja.
Duke theksuar se Maqedonia është anëtare e Forumit global të OECD-së që nga viti 2011 dhe se fakti që ka ende përqindje të lartë të evazionit tatimor ekonomik, korrupsionit, ekonomisë gri dhe krimit, do të thotë se diçka nuk është në rrugën e duhur.
“Këto pesë muaj pas marrjes së funksionit i shfrytëzova për t’i analizuar çështjet dhe vërejta se gjithçka fillon me vullnetin politik dhe administratën tatimore. Gjegjësisht, në vitin 2022, në administatën tonë tatimore ka pasur 24 kërkesa për shëmbimin e të dhënave, ndërsa nga ana jonë vetëm 5 të tilla. Kjo tregon interesin e administratës sonë lidhur me këtë çështje. Prandaj, prioriteti i Qeverisë së re është që ta luftojë korrupsionin dhe krimin, që paraqet mënyrën e vetme të rritjes së të ardhurave në buxhetin tonë.
Kemi norma tatimore të sheshta dhe shumë të ulëta, si dhe ekonomi gri shumë të madhe, prandaj në bazë të kësaj vendosëm se ka ardhur koha të punohet në uljen e kësaj ekonomie gri. Në këtë drejtim dhe me qëllim të arkëtimit efikas të të ardhurave është i nevojshëm shkëmbimi i informacioneve dhe shfrytëzimi i të gjitha kapaciteteve në dispozicion”, theksoi ministrja duke shtuar se drejtoria doganore dhe tatimore janë të fokusuara në arkëtimin e të ardhurave dhe në luftën kundër evazionit tatimor.
Ministrja potencoi se shkëmbimi i informacioneve është shumë i rëndësishëm dhe se duhet të kryhet automatikisht dhe jo sipas kërkesave, veçanërisht duke pasur parasysh vendosjen e tatimit minimal global.
Ministrja mori pjesë në panelin e diskutimit kushtuar progresit të implementimit të standardeve për shkëmbimin automatik të informacioneve.