24 shkurt 2025 – Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska – Koçoska, së bashku me ministrin e Sportit Borko Ristovski, ishin pjesë e panelit “Hendbolli, sporti numër 1?”, organizuar nga portali i specializuar i hendbollit Samorakomet.mk.
Strategjia, vizioni, projektet infrastrukturore dhe llojet e financimit shtetëror në sport, më konkretisht në hendboll, ishin temat mbi të cilat ministrat prezantuan qëndrimet e tyre dhe iu përgjigjën pyetjeve të rëndësishme nga të pranishmit.
Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçovska theksoi se sporti është një nga fushat që kjo Qeveri i kushton vëmendje të veçantë dhe se buxheti për sportin për vitin 2025 është tri herë më i madh se mjetet e ndara në vitin 2019.
“Për mua, ende pa u bërë ministre, ka qenë gjithmonë e rëndësishme që vendi ynë të kishte arsim cilësor dhe sport të mirë. Si rezultat i kësaj, buxheti për sportin këtë vit është dyfishuar krahasuar me vitin paraprak. Për shembull, nëse e merrni parasysh vitin 2019 janë ndarë rreth 280 milionë denarë për sportin, tani, për vitin 2025 kemi buxhet prej 1.1 miliardë denarëve. Kjo rritje e buxhetit për sportin është më shumë se tri herë. Gjithashtu, kjo tregon se ne si Qeveri e përkrahim sportin. Normalisht, kjo duhet të bëhet me qëllim që të arrihen rezultate. Kur ndajmë kaq shumë para, duhet ta dimë qëllimin përfundimtar, se çfarë dëshirojmë të arrijmë. Në periudhën e kaluar, disa klube treguan pakënaqësi dhe si rezultat i kësaj, ne si ministri planifikojmë që të bëjmë disa reforma, por kjo do ta sjellë uljen e subvencioneve direkte për klubet nga ana e ministrisë.
Çështja kryesore është se çfarë duam të arrijmë. Sporti duhet të sigurojë raport të duhur për të gjithë. Kjo veçanërisht u referohet ngjarjeve në kategoritë e të rinjve dhe pionerëve. Duhet të sigurojmë kushte për sportin, që çdo fëmijë të jetë i motivuar. Sporti krijon komb të shëndetshëm.
Kur bëhet fjalë për mbështetjen e sportit, tek unë gjithmonë do të keni një aleat”, potencoi ministrja Gordana Dimitrieska Koçoska.
“Si ish-përfaqësues në hendboll dhe ministër aktual i sportit, Ristovski theksoi se henbolli në bazë të rezultateve konkrete pozicionohet si sporti numër një në vend dhe statusin e njëjtë e ka edhe në Strategjinë e Ministrisë së Sportit.
– Hendbolli është sporti numër një në Maqedoni dhe padyshim që është kështu. Ne në ministri miratuam vendim që hendbollin ta shpallim sportin numër një në nivel kombëtar. Ka kundërshtime nga disa federata sportive kombëtare, por është shumë e lehtë ta mbrosh diçka kur ka rezultate.
Pothuajse të gjitha përfaqësimet në të gjitha kategoritë e moshave në hendboll janë kualifikuar në gara të mëdha, që nuk ndodh kështu në sportet e tjera dhe është logjike që pjesa më e madhe e mjeteve nga subvencionet shtetërore në sport të destinohen për hendbollin”, theksoi Ristovski.
Ai theksoi se duhet të ketë një strategji për zhvillimin e sportit dhe se Ministria e Sportit do ta krijojë atë në bashkëpunim me federatat kombëtare të sportit.
Në këtë panel diskutim, ministri Ristovski iu referua edhe projekteve infrastrukturore të Ministrisë së Sportit si bazë për zhvillimin e sportit.
Ministrja Dimitrieska-Koçoska dhe ministri Ristovski bashkërisht konfirmuan se Qeveria do të jetë edhe më serioze se më parë në përkushtimin e saj për zhvillimin e sportit në Maqedoni dhe se sportistët do të vazhdojnë të jenë në fokusin e politikave qeveritare.