4 mars 2025, Budapest – Transha e parë në vlerë prej rreth 11 milionë euro, nga mjetet e destinuara për përkrahjen e kompanive të siguruara me huanë hungareze, do të paguhet pasnesër, respektivisht mjetet do të transferohen nga buxheti qendror në Bankën Zhvillimore, njoftoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Në një prononcim nga Budapesti për Kanal 5, ajo theksoi se kërkesa e kompanive për shfrytëzimin e mjeteve është disa herë më e madhe se vlera e kredisë dhe se mjetet janë në dispozicion të të gjitha kompanive.
“Sipas kushteve të përcaktuara nga Qeveria, qasje në këto mjete kanë të drejtë të kenë të gjitha kompanitë, me përjashtim të atyre që merren me prodhimin e pijeve alkoolike, prodhimin apo tregtimin e duhanit, si dhe veprimtarive që lidhen me bixhozin, kazinotë dhe sipërmarrjet ekuivalente”, theksoi ministrja, duke shtuar se nuk ka qasje të drejtpërdrejtë në vendimet e bankave se cilat projekte do të përkrahen, por nëse do të ketë ndryshime, bankat mund t’i shqyrtojnë edhe një herë aplikimet dhe t’i marrin parasysh bilancet e kompanive.
Ajo iu referua edhe pjesës së huasë së tërhequr nga Hungaria për përkrahjen e komunave dhe u shpreh e kënaqur me realizimin e këtyre mjeteve.
“Pres të kemi realizim të shkëlqyeshëm, duke pasur parasysh se ky është një vit zgjedhor dhe se çdo kryetar komune, pavarësisht se cilës partie politike i përket, do të ketë vullnet që t’i realizojë sa më shpejt projektet për të cilat do të aplikojë”, theksoi ministrja.
Dje dhe sot, ministrja e Financave, së bashku me Kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrat e Qeverisë, morën pjesë në Samitin Hungarez-Maqedonas në Budapest.