Кumtesa|

25 mars 2025, Shkup – Menaxhimi i financave publike ka rol krucial në përkrahjen e zhvillimit nacional, sigurimin e stabilitetit dhe parashikueshmërisë në ekonomi. Prandaj, si Ministri e Financave po ndërmarrim masa për ballafaqimin e sfidave me të cilat përballemi në menaxhimin e financave publike.

Kjo u theksua nga zëvendësministri i Financave Nikollçe Jankullovski, i cili mori pjesë në panelin e diskutimit gjatë takimit të PEMPAL-it, organizatë e dedikuar për reformat në menaxhimin e financave publike.

Ai bëri të ditur se Programi i ri i reformave të menaxhimit të financave publike 2025-2028, i cili përfshin masa dhe aktivitete për të gjitha sfidat kryesore në menaxhimin e financave publike është në fazën përfundimtare të përpilimit të tij. Programi është dokument strategjik për zhvillimin e sistemit të menaxhimit të financave publike, me të cilin vazhdohen reformat e filluara nga periudha e mëparshme.  PRMFP 2018-2021 u miratua në fund të vitit 2017, me të cilin për herë të parë u vendos një kornizë gjithëpërfshirëse, konsistente dhe e besueshme për përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit të konsumit publik, disiplinës fiskale, qëndrueshmërisë së borxhit dhe menaxhimit efikas, transparent dhe modern të financave publike.

“Politika fiskale e Qeverisë orientohet në rivendosjen e stabilitetit makroekonomik dhe përkrahjen e aktivitetit ekonomik përmes konsolidimit gradual fiskal, përmirësimit të menaxhimit të financave publike dhe ruajtjes së nivelit të lartë të shpenzimeve kapitale. Përmes menaxhimit të duhur të financave publike synohet që gradualisht të arrihet rritja e PBB-së prej 5%, si dhe zvogëlimi i deficitit buxhetor në nivel nën 3% të PBB-së”, theksoi Jankullovski.

Ai sqaroi se Qeveria është fokusuar në uljen graduale të deficitit buxhetor në nivel nën 3.0% të PBB-së dhe se kjo ndërlidhet me investimet më të larta kapitale të planifikuara për projektet infrastrukturore, në radhë të parë për ndërtimin e infrastrukturës transportuese dhe komunale, investimet në kapacitetet energjetike dhe investimet në infrastrukturën arsimore dhe shëndetësore.

Takimi i PEMPAL-it, i cili po mbahet në Vjenë, i dedikohet trendeve të reja në menaxhimin e financave publike… Ngjarjet dhe aktivitetet që i zbaton PEMPAL-i janë mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer përvoja dhe për të gjetur zgjidhje praktike për sfidat që lindin aktualisht në menaxhimin e financave publike. Në takim marrin pjesë më shumë se 200 pjesëmarrës nga rreth 30 vende, duke përfshirë edhe përfaqësues të PEMPAL-it, të cilët janë gjithsej 20 anëtarë. Të pranishëm janë ministra financash, ekspertë, përfaqësues të Bankës Botërore etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *